Ka përfunduar procesi i votimit të qytetarëve të Kosovës pranë përfaqësive diplomatike dhe konsullore.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka falënderuar të gjithë bashkatdhetarët për pjesëmarrjen në procesin e votimit pranë përfaqësive diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës.


Sipas MPJD-së, votimi jashtë vendit është zhvilluar në mënyrë të rregullt dhe në përputhje me procedurat ligjore, duke reflektuar përkushtimin e qytetarëve ndaj proceseve demokratike.

Në njoftimin e saj, MPJD ka shprehur mirënjohje edhe për misionet diplomatike dhe konsullore për angazhimin profesional, si dhe për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për bashkëpunimin e ngushtë gjatë organizimit të procesit.

Ministria ka theksuar se qytetarët e Kosovës kudo që jetojnë “edhe kësaj radhe dëshmuan lidhjen e fortë me atdheun dhe rolin e tyre aktiv në jetën demokratike të vendit”.