LAJMI I FUNDIT:

Përfundon gjykimi i ‘mbretit të kriptovalutave’ në Mal të Zi

Përfundon gjykimi i ‘mbretit të kriptovalutave’ në Mal të Zi

I arratisuri ndërkombëtar dhe i ashtuquajturi mbreti i kriptovalutave, Hyeong Do Kwon dhe partneri i tij i biznesit Hon Chang Joon, të cilët po gjykohen në Gjykatën Themelore në Podgoricë për falsifikimin e dokumenteve të udhëtimit, theksuan se ishin të bindur se pasaportat e tyre ishin të ligjshme.

Pas seancës dëgjimore të tyre, gjyqtarja Ivana Beçiq ka njoftuar se do të nxjerrë aktgjykim të hënën, më 19 qershor.


Ata janë akuzuar për falsifikimin e pasaportave, me të cilat synonin të largoheshin nga Mali i Zi më 23 mars, me një fluturim privat për në Dubai.

Asokohe, ata u arrestuan në aeroportin e Podgoricës, pasi përdornin pasaportë false të Kosta Rikës, ndërsa gjatë kontrollit, te Do Kwon u gjetën edhe dokumente të rreme udhëtimi nga Koreja dhe Belgjika.

Për Do Kwon, më herët, Interpoli kishte shpallur urdhër-arrest me akuzën e një mashtrimi ndërkombëtar prej 40 miliardë dollarësh, përmes kriptovalutave. Vitin e kaluar, kriptovalutat Terra dhe Luna të Do Kwon përjetuan kolaps.

Për shkak të nisjes së hetimeve dhe akuzave se ai ka mashtruar kreditorët, ekstradimi i tij kërkohet nga Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Ndërkohë, Gjykata e Lartë në Podgoricë urdhëroi paraburgim ekstradimi prej gjashtë muajsh për Do Kwon dhe Chang Joon. Brenda kësaj periudhe, gjykata malazeze duhet të vendosë lidhur me ekstradimin e tyre në Korenë e Jugut.

Institucionet e sigurisë në Mal të Zi nuk e dinë se si Do Kwon, me bashkudhëtarin e tij, ka hyrë në Mal të Zi.

Dëshmia e Do Kwon-it

Do Kwon dhe Chang Joon u sollën në gjykatë me një furgon policie, nga i cili dolën me pranga në duar, të ndjekur nga kameramanë dhe gazetarë të shumtë të mediave malazeze.

Gjatë paraqitjes së mbrojtjes, Do Kwon foli para gjykatës për mënyrën se arritën të pajiseshin me pasaportat e Kosta Rikës, me të cilat donin të largoheshin nga Mali i Zi.

Siç ka njoftuar avokati mbrojtës i Do Kwon, avokati i Podgoricës, Goran Rodiq, pasaportat i kanë marrë përmes një agjencie në Singapor.

“Dokumentet janë marrë përmes shtetësisë ekonomike apo investuese. E gjithë kjo është bërë nga një agjenci e njohur në botë dhe në Mal të Zi dhe kanë marrë pasaportën në Singapor, ku kanë hyrë rregullisht dhe kanë plotësuar aplikacionin”, tha avokati Rodiq.

Ai tha gjithashtu se Do Kwon e pranoi konstatimin e Interpolit se pasaportat e tyre nuk ishin të rregullta, siç ishte përcaktuar nga prokurori.

“Do Kwon, sot pa për herë të parë raportin e Interpolit lidhur me atë se dokumentet, me të cilat donin të dilnin nga Mali i Zi, nuk ishin të rregullta. Dhe si njeri i arsyeshëm, ai e pranoi këtë fakt dhe nuk insistoi që vlefshmëria e dokumenteve të verifikohej në Kosta Rikë”.

Do Kwon do të merret në pyetje nga prokurori special

Pas përfundimit të procesit në Gjykatën Themelore, Do Kwon do të merret në pyetje nga Prokurori special për krimin të organizuar.

Avokati Goran Rodiq tha se ka marrë njoftimin se Do Kwon dhe Chang Joon do të merren në pyetje në paraburgim “në cilësinë e qytetarëve”.

“Do të merren në pyetje lidhur me formimin e një rasti, por nuk kam më shumë detaje se për çfarë bëhet fjalë”, tha Rodiq.

Më herët ishte bërë e ditur se Prokurori special do të marrë në pyetje Do Kwon në lidhje me letrën dërguar kryeministrit Dritan Abazoviq, në të cilën ai tregonte lidhjet e tij financiare me liderin e Lëvizjes “Evropa tani”, Milojko Spajiq.

Abazoviq ka konfirmuar se letra i kishte arritur disa ditë para fushatës për zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 11 qershor.

Spajiq hodhi poshtë akuzat se Lëvizja e tij ishte financuar nga Do Kwon ose nga dikush prej kripto-komunitetit dhe e akuzoi Abazoviqin për keqpërdorim të institucioneve.

Njëkohësisht ai ka konfirmuar se Do Kwon e njeh që nga viti 2018, ndërkaq për herë të fundit e ka takuar në nëntor të vitit të kaluar.

Partia e Spajiqit fitoi më së shumti vota dhe mandate parlamentare në zgjedhje, prandaj ai duhet të emërohet si mandatar për krijimin e përbërjes së Qeverisë së re të Malit të Zi. /REL/