LAJMI I FUNDIT:

Përfundon edicioni i pestë i “Dea Open Air 2018”

Përfundon edicioni i pestë i “Dea Open Air 2018”
Ilustrim

Në Sarandë përfundoi edicioni i pestë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit, “Dea Open Air 2018”.

Në seksionin e filmit të shkurtër konkurronin 31 filma, ndarë në dy nënkategori: në konkurrimin ndërkombëtar dhe konkurrimin studentor.


Juria e filmit të shkurtër e përbërë nga Dominik Streib (pedagog – Gjermani); Kimete Berisha (zyrtare në MKRS) dhe Eliodor Markja (regjisor montazhi – Tiranë), ndau këto çmime: Kupa DEA për idenë më të mirë (Çmimi i RTV 21) shkoi për filmin “Fatkeqësi” – Belgjikë 2017, me regjisorë: Séverine De Streyker dhe Maxime Feyers; Kupa DEA për montazhin më të mirë iu dha filmit “E Jona” – Francë 2017, me regjisor nga Dominique Preusse; Kupa DEA për regjinë më të mirë shkoi për Jules Comes, për filmin “Shën Hubert” – Gjermani, Belgjikë 2017; Kupa DEA për filmin e shkurtër më të mirë iu akordua filmit “Talia”- Toni Bestard , Spanjë, 2017.

Juria e filmit me metrazh të gjatë, e përbërë nga: Clemens Erbach (regjisor – Gjermani), Isabelle Welter (producente – Austri), Rusomir Bogdanovski (skenarist dhe pedagog i skenarit – Maqedoni), Genc Përmeti (skenarist dhe producent – Shqipëri), Luan Kryeziu (regjisor dhe skenarist – Kosovë), ndau këto çmime: Kupa DEA për skenarin më të mirë në filmin me metrazh të gjatë i shkoi: Luis Diogos për skenarin e filmit “Jetë sublime” – Portugali, 2018; Kupa DEA për kamerën më të mirë iu akordua operatorëve Ilya Kondratiev, Dmitry Polyakov dhe Alexei Galkin për fotografinë e filmit “Reflektim i humbur” – Federata Ruse, 2018; Kupa DEA për aktorin më të mirë iu dha aktorit zviceran, Christoph Jungmann, për filmin “Ftillo jetën tënde” – Zvicër, Gjermani 2018; Kupa DEA për regjinë më të mirë iu akordua regjisorit gjerman Steffen Hacker, për regjinë e filmit “Temperament” – Gjermani, 2018; Kupa DEA për filmin më të mirë shkoi te “Det i zbrazët dhe shterp” – Spanjë 2018, i regjisorëve Lucas Parnes dhe Jesús Serna.

Dea Open Air International Film Festival ndan tradicionalisht edhe çmimin e medias, i cili i vlerëson filmat e të konkurrimeve nga shkalla e angazhimit qytetar të krijimit artistik në formën e sensibilizimit të opinionit publik për çështje të rëndësishme të komunitetit. Juria e medias, e përbërë nga Ylli Sula (drejtor i Çelësi Media Grup – Shqipëri), Kamuran Goranci (drejtues i Divizionit të Arteve në MKRS) dhe Eda Merepeza ( gazetare dhe përkthyese), akordoi dy çmime: Çmimi special në konkurrimin e filmit të shkurtër shkoi për “Dita kalon, fillon mëngjesi” – Lina Erzen, Slloveni, 2017; për filmit me metrazh të gjatë shkoi te “Jetë sublime” – Luis Diogo.

DEA ndau edhe këtë vit Çmimin e publikut të Sarandës, i cili këtë vit shkoi për filmin Pola “E dyta Rembala” – Poloni 2017. /Telegrafi/