LAJMI I FUNDIT:

Përfundimi i Luftës së Parë Botërore, mes politikës dhe të kaluarës imagjinare serbe

Përfundimi i Luftës së Parë Botërore, mes politikës dhe të kaluarës imagjinare serbe

Ardian Kastrati

Politikat e identitetit që kanë për qëllim vetëpërkufizimin e kombit, në rastin e Serbisë, në mungesë të vlerave të së tashmes për t’u ofruar si një faktor koheziv shoqëror, ato prapë vazhdojnë të kërkojnë referencë në të kaluarën. Kështu, edhe regjimi aktual, me Vuçiqin në krye, vazhdon të ushqyerit e kësaj lidhje të politikës me të kaluarën imagjinare, duke i fshirë pjesët e “padëshiruara” të cilat në karakterin e tyre ideologjik nuk mund të përputhen me fotografinë e mitizuar të “historisë së dëshirueshme” të Vuçiqit. Situata e tillë e traumës kolektive identitare serbe kërkon një ndryshim urgjent në kuadrin e tyre normativ-institucional


Më 2 gusht 1914, fëmijët e Kattia dhe Thomas Mannit planifikonin të shfaqnin pjesën teatrale “Kutia e Pandorës”, në shtëpinë e tyre të verës në Bad Tölz, Gjermani. Gjithçka ishte gati kur dado hyri dhe tha: “Lufta filloi!” Kattia vinte nga një familje industrialiste hebraike, ndërsa burri i saj, Thomas Mann, ishte një romancier, shkrimtar e filantrop i njohur gjerman dhe laureat i çmimit Nobel për Letërsi në vitin 1929.

Një nga historianët më të njohur të Gjermanisë së shekullit XX, Jörn Leonhard, i frymëzuar me anekdotën e kujtimeve të fëmijëve të Kattia dhe Thomas Mannit, me të njëjtin titull, “Kutia e Pandorës”, e shkruan librin e tij monumental për Luftën e Parë Botërore duke shpjeguar origjinën, rrjedhën dhe pasojat e kësaj lufte.

Miti i Kutisë së Pandorës është pothuajse metaforë ideale për të shpjeguar Luftën e Parë Botërore, sepse si pasojë e kësaj lufte, perandoritë e vjetra u zhdukën ose u përballën me vështirësi të ashpra, ndërsa shtetet në zhvillim u përpoqën të gjejnë vendin e tyre në një epokë paqëndrueshmërie. Në të njëjtën kohë linden ideologji të reja radikale që krijuan marrëdhënie të panjohura më herët midis masave, elitave politike dhe shtetit. Si pasojë e traktateve të pasluftës dhe turbullirave ekonomike që transformuan gjeopolitikën, filloi edhe Lufta e Dytë Botërore, ndërsa disa shtete, si Serbia, edhe në kohët moderne vazhduan të jetojnë me vitin 1389 dhe 1914 duke pritur realizimin e tyre nacional të ndërtuar mbi mitet dhe narracionin e luftërave të humbura. Kutia e Pandorës pra bën të qartë se cilat rreziqe me përmasa botërore dolën në sipërfaqe, kur plumbi i parë u gjuajt në verën e vitit 1914 në Sarajevë nga serbi Gavrilo Princip, duke vrarë trashëgimtarin e fronit Austro-Hungarez, Franz Ferdinand, dhe gruan e tij – dukeshën Sophie. Dhe, pikërisht ky plumb i parë është ende me rëndësi për Serbinë e vitit 2018.

Nga momenti kur u nënshkrua Traktati i Versajës, dhe në veçanti neni 231 që tregon fajtorët për fillimin e luftës, siç elaboron Olga Pintar, fituesit dhe humbësit, por edhe pjesëmarrësit e pakënaqur të luftës, ndërmorën një varg aktivitetesh politike për të shpjeguar sërish shkaqet e fillimit të luftës. Kështu, për herë të parë në Gjermani, në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme, u themelua “Kriegsschuldreferat” – një organ që merrte në përgjegjësi hulumtimin e shkaqeve të shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, pasuar nga dy agjenci me të njëjtat qëllime (Arbeitsausschuss Deutscher Verband dhe Zentralstelle für Erforschung der Kriegsursachen), dhe një komitet të veçantë parlamentar (Der Untersuchungsausschuss ). Në fund u botua një ditar me vëllimet në “Die Grosse Politik”, duke hedh poshtë konkluzionet e Versajës dhe duke liruar nga përgjegjësia Gjermaninë për shpërthimin e luftës, për të drejtuar gishtin kah Franca dhe Rusia.

Përgjigja erdhi shpejt nga shtetet aleate, duke dhënë dëshmi lidhur me fajtorin përmes “Documents on the Origins of the War” në Britaninë e Madhe dhe “Documents Diplomatiques Français” në France. Kjo u pasua me materialet e botuara nga “Diplomatische Aktenstücke” ne Austri dhe me “Meždunarodnyeotnošenija v èpohuimperializma: Dokumentyizarhivovcarskogo i Vremennogopravitelʹstv” në Bashkimin Sovjetik. Projekte të tilla absurde i ndikuan politikat ndër-evropiane të kohës, duke rritur tensionet të cilat pastaj çuan në shpërthimin e një lufte të re botërore.

Pas Luftës së Dytë Botërore, duke i ikur një qasje të tillë dhe duke ju falënderuar SHBA-ve me Planin Marshall, Evropa hyri në një periudhë permanente të paqes dhe të zhvillimit, fillimisht përmes Unionit Ekonomik, duke kulmuar më vonë me Unionin Politik si projekti më liberal i njohur në botë deri në kohën e themelimit të tij.

Eric J. Hobsbawm thotë se e sheh të sotmen si një kohë shqetësimi dhe konfuzioni dhe kohë pa vizione për të ardhmen, dhe kjo i korrespondon shumë politikës dhe ideologjisë së shtetit të sotshëm serb i cili vazhdon që interpretimin e Luftës së Parë Botërore (dhe jo vetëm të parës) ta shoh ekskluzivisht përmes optikes së dominimit të parimit kombëtar, parim që në këtë rast duket më i fuqishëm seç ishte në botën e pas shpalljes së 14 pikave të Wilsonit. Pra, përderisa bota e ka trajtuar interpretimin e Luftës së Parë Botërore në vitin 1918 me qasjen e gabuar që u përshkrua më lartë, ndërsa ka evoluar qasjen e interpretimit, pozitivisht, pas Luftës së Dytë Botërore, Serbia e vitit 2018 e trajton të njëjtën temë sikur në vitin 1918. Shteti Serb në mënyrë implicite ua thotë qytetarëve serb se Gavrilo Princip ishte hero i tyre kombëtar dhe në mënyrë eksplicite i kujton faktorit ndërkombëtar se Serbia ishte pjesë e aleatëve që fituan luftën – ama në asnjë mënyre nuk e provokoj fillimin e luftës! Kjo pra, thënë me ironi në gjuhën e tyre, i bie një “Boshnjaçko lludillo alli sa srpskim pishtolem” (Një çmenduri boshnjake me revole serbe).

Kjo është tipike për një “reality show” serb, që këta prodhojnë shekuj me radhë. Historianët dhe historiografia serbe e relativizojnë bashkëpunimin e “Mllada Bosna” (Bosnja e re) me “Slloboda illi smrt” (Liri apo vdekje), pastaj me Qeverinë në Beograd, si dhe faktin që ideologu kryesor Vladimir Gacinoviq i “Mllada Bosnës” ishte pasues i anarkizmit rus të Kropotkinit dhe Bakunjinit. Sipas shumicës së historianëve serbë, këto fakte janë irrelevante dhe se me rëndësi është konteksti historik në të cilin u zhvillua ngjarja e që sipas tyre ishte shprehje e luftës antiimperialiste e popujve që ishin të sunduar për shekuj – si puna e këtij popullit serb!

“Nashe çe sjene hodati po Beçu, llutati po dvoru, pllashiti gospodu” (Hijet tona do të ecin nëpër Vjenë, do të shëtisin nëpër oborr perandorak, do t’i trembin aristokratët”, është një grafit i ri i shkruar dhe i shoqëruar me foto të Gavrilo Principit nga serbët 100 vite pas Luftës së Parë Botërore dhe këtë grafit nuk e ka shkruar luftëtari i fundit serb i frontit të Selanikut, Aleksa Radovanoviq, nga fshati Mariq në Medvegje, i cili ka vdekur në moshën 105-vjeçare në vitin 2005. Këtë grafit e kane bërë të rinjtë serbë të inspiruar me Gavrilo Principin e mitizuar nga historianët dhe shteti serb.

Duke analizuar ndikimin e mitit të Betejës së Kosovës të vitit 1389 në funksion të manipulimeve etnike, Ivan Çoloviq elaboron tezën e Vadimir Didierit sesi Gavrilo Princip veten e ka parë pikërisht mbi simbolikën e figurës së Millosh Kopiliqit, duke bërë kështu konfirmimin e radhës për shpirtin çlirimtar të popullit serb. Përgjigjet në tezën e Dedierit mund t’i gjejmë edhe në kontekstin e kohës në të cilën ai e ka botuar librin “Sarajevo 1914”, e që është viti 1966. Në këtë kohë, në mesin e viteve ’60 të shekullit XX, në Jugosllavinë socialiste, nën ndikimin gradual të Serbisë, në Federatë u riaktivizua kulti i Gavrilo Principit. I pari ishte Dobrica Çosiq me romanin “Vreme smrti” (Koha e vdekjes, 1972), i cili fillimisht paraqiste një ideologji të nëntokës për të ardhur në shprehje kjo më vonë – pas vdekjes së Titos. Gjatë viteve ’80 nëpër Serbi u dha shfaqja teatrale “Kollubarska Bitka” (Beteja e Kolubarit) e bazuar pikërisht në romanin e Çosiqit. Siç shprehet historiania serbe Dubravka Stojanoviq, ky është momenti kyç dhe misioni u nis me këtë “zbulim të madh” në histori, sepse gazetat shkruanin se si njerëzit hynin në teatër sikur të ishte një kishë, se ishte një ngjarje e barabartë me një ritual fetar dhe të gjithë brohorisnin “jurish” (në sulm); disa qanin dhe krejt kjo mund të krahasohej me ditët e para të një kombi të porsalindur.

Pra, mitizimi i Luftës së Parë Botërore filloi me letërsi, duke i inkorporuar pastaj ato edhe në tekstet shkollore në Serbi, pa kaluar nëpër ndonjë kritikë serioze të histiorografisë. Sot në tekstet shkollore të historisë në Serbi, vëren Stojanoviq, ka edhe citate si ky i një oficeri francez: “Ishte vetëm kalorësia franceze e cila me një përpjekje të jashtëzakonshme e arrinte këmbësorinë serbe”. Është fjala për frontet në Luftën e Parë Botërore dhe imagjinoni se si ushqehen me mite fëmijët serb në vitin 2018.

Rezultatet e të ushqyerit me mite më vonë u janë përkthyer me disfata, siç janë shembujt prej vitit 1991 e deri në vitin 1999, prandaj kurrë, as Arkani, nuk e piu kafen e premtuar në Zagreb dhe as Shesheli nuk arriti t’i dëbojë shqiptarët përtej Alpeve Shqiptare. Por, pikërisht disfatat gjatë historisë, shteti serb i fut lehtësisht në menynë e narracionit të tyre politik dhe nacionalist. Shembulli i shfaqjes teatrale “Beteja e Kolubarit” tregon se ajo në vete ishte një “Betejë e Kosovës”, por me një fitore në fund. Kjo nuk do të thotë që fitorja është më e rëndësishme se disfata. Përkundrazi, disfata është më e rëndësishme për ta dhe lidhur me këtë Stojanoviq shtron pyetje dhe elaboron se pse festohet disfata e Betejës së Kosovës kur serbët kanë edhe plot disfata të tjera gjatë historisë, siç është për shembull Beteja e Sllivnicës më 1885, kur janë mposhtur keq nga bullgarët. Çështja është se bullgarët tanimë nuk janë të renditur lartë në listën e armiqve historikë të Serbisë. Prandaj, përmes mitit të Betejës së Kosovës serbët paraqesin veten si mbrojtës të civilizimit të krishterë nga armiqtë e vërtetë që vijnë nga Lindja Islame, duke e shpall edhe Kosovën si territor të shenjtë serb.

Kështu, në memorien kolektive serbe ata kanë ndërtuar pozitën e viktimës, duke besuar se i heqin moralisht të gjitha fajet për veprimet e mëvonshme – që nga 1389 e tutje – dhe se kjo paraqet një lloj privilegji për të ardhmen serbe. Në këtë rrafsh, disfata pra është politikisht shumë më fitimprurëse sesa fitorja, është një avantazh i pastër mbi të cilin mund të organizohet revanshizmi, mobilizimi politik, homogjenizimi i kombit, sepse disfata e forcon frikën kolektive dhe ankthin – si forca lëvizëse të rëndësishme për luftërat e së ardhmes. Në kontekstin e mësipërm, Ivan Çoloviq, në librin e tij “Smrt na Kosovu Polju” (Vdekja në fushën e Kosovës), i mbështet konstatimet se të gjitha regjimet dhe ideologjitë serbe kanë gjetur një hapësire ideale në disfatën e Betejës së Kosovës për të ndërtuar manipulime politike, duke e paraqitur këtë disfatë si viktimizim të Serbisë para botës perëndimore. Pra, kjo logjikë e narracionit politik e historik serb ka llogaritur gjithmonë se të qënit “viktimë” për “qëllime të mëdha”, tek të tjerët krijon ndjenja të mira e simpati për të dobëtin.

Serbia ka luajtur ‘viktimën’ edhe në Jugosllavinë Socialiste, kur ka pasur pushtet të pakrahasueshëm – për shembull në raport me shqiptarët e Kosovës. Për ne që kemi jetuar në atë kohë dhe e mbajmë në mend, na është i njohur Rasti Martinoviq. Ky serb nga Gjilani, me prirje homoseksuale, lëndohet pasi ka “luajtur” me shishe xhami rreth vrimës anale (për onanizëm). Nga pushteti dhe mediat në Beograd, rasti paraqitet si dhunim nga shqiptarët, gjë të cilën më vonë e demanton ekspertiza mjekësore. E njëjta ka ndodhur gjatë luftërave të viteve 1991-1999, kur pushteti serb ka kryer gjenocid ndaj popujve tjerë. Në Beograd, ushtarëve të vrarë serbë iu është vendosur shpesh një tabelë rreth qafës me mbishkrimin “Meso za beogradske pijace” (Mish për tregjet e Beogradit), se gjoja ato porosi i kanë shkruar kroatët apo boshnjakët. Pra, ky mjet i vetëviktimizimit është përdorur për të krijuar identitetin kolektiv serb përmes narracioneve të ngjashme, si në rastet më lartë, ku serbët janë viktima kurse “të tjerët” xhelatë të pashpirt.

Kjo mënyrë e të identifikuarit serb, pra si “viktimë”, nuk ka për qëllim që të tregojë të vërtetën mbi të kaluarën; qëllimi është i dukshëm: zgjidhje te dhunshme për çështjen serbe. Siç e shohim në motivimet e vetë terroristëve, dhe në historinë e gjatë të fashizmit, këto manovra mund të çojnë në vrasje në të ardhmen. Pretendimi i pafajësisë nga pozitat e pushteteve të tilla, të forta politike e militare, në esencë është një mashtrim i vjetër fashist. Nazistët pretendonin monopolin për viktimizimin. “Mein Kampf” (Lufta ime) ka “shpjegime” të gjata se si hebrenjtë dhe jo-gjermanët e tjerë ia bënë Hitlerit jetën tepër të vështire si një djalë i ri në Monarkinë e Habsburgëve. Si i tillë, mendimi nazist ishte se duhet të ndjehemi si viktima kur të sulmojmë.

Pas humbjeve të njëpasnjëshme gjatë viteve 1990, ky narrativ që krijoi identitetin kolektiv serb si “të viktimizuar”, nuk mundi t’i përballojë presionit të pamjeve të gjenocidit në Srebrenicë dhe në Kosovë, dhe rrjedhimisht populli serb, i gjendur në këtë konfuzion, përjetoi një traumë të identitetit kolektiv. Me qëllim që të dilet nga kjo situatë e traumës identitare të viteve 1990, Vuçiqi “me dosta” nuk iu referohet atyre si vite të lavdisë serbe, por si vepra e fundit e shkatërrimit të një shteti totalitar të Jugosllavisë, kohë kjo në të cilën sipas tyre më së shumti e pësoi populli serb. Kështu, sot kërkohet lavdia e Serbisë para dhe gjatë Luftës së Parë Botërore, ku prapë narrativi është i njëjtë, sepse thekson se ishte Serbia ajo që luftoi krah aleatëve, por më shumë përfituan nga paqja gjermanët e austriakët; se ishte Serbia ajo qe çliroi vendet, si Sllovenia, Kroacia e Bosnja, dhe prapë humbi me formimin e dy Jugosllavive etj.

Ndërrimi i roleve të Serbisë përmes rezervuarit historik nga i cili prodhohen mitet e preferuara mbi të cilat janë ndërtuar regjimet politike në Serbi, nuk fillon me Vuçiqin. Edhe historiania Stojanoviq thotë se në historiografinë serbe pas Luftës së Dytë Botërore, partizanët ishin të pakonkurrencë në mbrojtjen e popullit “duarthatë” dhe liridashës serb nga okupatori fashist dhe kolaboracionistët e tij antikomunistë (ustashë, çetnikë dhe të tjerë) dhe se në këto narracione askund nuk permendeshin për shembull persekutimet e hebrenjve. Me vdekjen e Titos, kur viteve 1980 sistemi socialist nis të dobësohej, vendin e partizanëve e zëvendësoi “populli antifashist serb” i cili së bashku me hebrenjtë “më së shumti u persekutua” në llogoret kroate. Kjo shërbeu për përgatitjen e luftërave të viteve 1990. Pas luftës së Kosovës, nga vitet 2000 e tutje, regjimet politike prape e rikonstruuan Luftën e Dytë Botërore përmes librave të historisë, duke i kthyer tani në viktima antikomunistët (çetnikët e Drazha Mihajlloviqit) dhe se ishin partizanët ata të cilët kryen krime mbi popullin serb.

E tëra kjo konfirmon tezën se ishin “heronjtë serbë” ata që luajtën rol kryesor në historinë serbe, por megjithatë ishin “serbët si viktima” heronjtë të vërtetë të kujtesës kolektive serbe. Duke marrë parasysh se “të kujtuarit gabim të së kaluarës” (si në rastin serb) përbën themelet e identiteteve kolektive, është shumë e rrezikshme kur të njëjtat themele legjitimohen nga historiografia.

Ndër problemet më të zakonshme me të cilat përballet historiografia janë problemet e miteve historike dhe stereotipave historikë. Mitet historike dhe stereotipat paraqesin një problem deri në atë masë kur e kaluara shërben si legjitimim për qëndrimet dhe veprimet e politikës bashkëkohore, duke na paraqitur një tablo të shtrembëruar të realitetit historik. Politikat e identitetit që kanë për qëllim vetëpërkufizimin e kombit në rastin e Serbisë, në mungesë të vlerave të së tashmes për t’u ofruar si faktor koheziv shoqëror, ato prapë vazhdojnë të kërkojnë referencë në të kaluarën. Kështu, regjimi aktual serb me Vuçiqin në krye, vazhdon të ushqyerit e kësaj lidhjeje të politikës me të kaluarën imagjinare duke fshirë pjesët e “padëshiruara” të cilat në karakterin e tyre ideologjik nuk mund të përputhen me fotografinë e mitizuar të “historisë së dëshirueshme”. Situata e tillë e “traumës kolektive identitare” serbe kërkon një ndryshim urgjent në kuadrin e tyre normativ-institucional. Marrëdhënia fatale e historisë me politikën për “interesa kombëtare serbe” i ka dërguar disa herë në luftëra humbëse me të tjerët. Serbia e sotshme ka nevojë për shkëputje të politikës zyrtare me historitë e imagjinuara kombëtare, duke i siguruar politikës aktuale vetëm një vend në histori.

Fatkeqësisht, në shënimin e 100-vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, Serbia e Vuçiqit vazhdon të afirmojë këtë vazhdimësi në mes të politikës dhe të kaluarës imagjinare, përderisa shtetet që shënuan këtë përvjetor në Paris vazhduan ta afirmojnë shkëputjen në mes të politikës aktuale dhe të kaluarës së keqe. Kjo u vërejt edhe në mënyrën e manifestimit të përvjetorit në Paris, ku u tentua që të gjitha palët të ndihen triumfale, përderisa Vulini në Serbi organizoj ushtrime ushtarake me emër irritues “Fituesi i shekullit, 1918-2018”, me 8,000 ushtarë serbë duke dhënë sinjalin se ka 100 vite që janë në pritje të një Gavrilo Principi tjetër në Serbinë e tyre “moderne” e cila nuk është e themeluar në bazë të forcës ushtarake që ka, por mbi aftësinë e përdorimit të këtyre forcave në funksion të “paqes”. Këtë disponim në raport me Perëndimin e manifestoi këtë të diele edhe Nemanja Matiqi, lojtari serb i Manchester United, duke refuzuar të vendos lulëkuqen në fanele (The remembrance poppy) me justifikimin se këto vende e kanë bombarduar fshatin e tij Vrello në Serbi në vitin 1999.

Adam Hochschild e jep një tablo të jashtëzakonshme se si duhet përkujtuar kjo luftë dhe luftërat e tjera në funksion të paqes. Pas masakrave pesëmujore të përmasave industriale, në Ditën e Krishtlindjeve në vitin 1914, luftimet në Frontin Perëndimor u mbyllën spontanisht. Ushtarët britanikë dhe gjermanë në Francë dhe në Belgjikë, ndaluan të gjuanin me njëri-tjetrin, duke dalë nga hendeqe me baltë dhe duke shkëmbyer ushqime e dhurata dhe duke luajtur një lojë futbolli për të vazhduar me luftën e egër ku mbetën qindra mijëra të vrarë në të njëjtin front vetëm një ose dy ditë më pas.

Kjo ngjarje e cila është realizuar në vitet e fundit në libra, këngë, në një film dhe një operë, është historikisht e saktë, prandaj festimi i kësaj ngjarjeje është i sigurt, sepse nuk nxit luftëra të reja. Për këtë qëllim, në 100-vjetorin e kësaj ngjarjeje, në Francë u ngrit një ekspozitë me dokumente, harta, uniforma dhe suvenirë të tjera nga periudha e armëpushimit në sallën e Kuvendit të Bashkisë së Armentierit. Një turne përkujtimor i futbollit të të rinjve u zhvillua në Belgjikë me skuadra nga Britania, Belgjika, Franca, Austria dhe Gjermania, në terrenin e ndërtuar rishtazi të quajtur “Parku i lojërave të Paqes së Flandersit”. UEFA ka marrë pjesë në promovimin e turneut të futbollit të Armëpushimit të Krishtlindjeve dhe kjo paketë materialesh që ka mbërritur në më shumë se 30,000 shkolla britanike ka emrin “Futbolli kujton”. Pra, u dha mesazh civilizues dhe u injektuan ekonomitë lokale përmes këtyre manifestimeve.

Natyrisht, mënyra më e mirë për të shprehur mirënjohjen ndaj luftëtarëve për paqe është: të mos fillosh luftëra të reja, kurse në Serbi përkujtimi ekskluziv që ju bëhet heronjve serbë të luftës ende nuk del nga formati “Hvala vam za rat” (Faleminderit për luftën) që tregon se në Serbi ka ende pesë stinë: pranvera, vera, vjeshta, dimri dhe lufta.

Brenda këtij konteksti është vështire t’i besohet metamorfozës së Vuçuit – nga njeriu i regjimit fashist në njeriun e paqes. Megjithatë, Kosova duhet të dialogojë, sepse projekti evropian që ne synojmë është mbështetur që nga fillimi në kapërcimin e urrejtjes historike dhe në nxitjen e pajtimit. Kjo është rezonanca e debatit evropian. BE-ja, ashtu siç ekziston sot, u bë e mundur jo përmes dominimit që vjen me fitoren me armë, as nga një armëpushim i ngrirë, por përmes afrimit të durueshëm dhe të kujdesshëm. Modeli më i mirë për Vuçiqin, të cilin e mbajnë në pushtet Perëndimi dhe jo Rusia, ndoshta do të ishte modeli gjerman që quhet “Vergangenheitsbewältigung”, e që do të thotë një kombinim i analizimit të së kaluarës, duke u marrë me të, duke nxjerrë mësime nga ajo dhe duke mësuar të jetojë me të.