LAJMI I FUNDIT:

Përfaqësuesit e institucioneve të energjisë diskutojnë para komunitetit të biznesit për sigurinë e furnizimit me rrymë

Përfaqësuesit e institucioneve të energjisë diskutojnë para komunitetit të biznesit për sigurinë e furnizimit me rrymë

Përfaqësuesit e kompanive të sektorit privat patën mundësi të mësojnë më shumë për aktivitetet e institucioneve përgjegjëse për sigurim të furnizimit me energji elektrike përmes bashkimit të tregjeve të energjisë elektrike në Evropën Juglindore, në një forum diskutimi të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Arben Nagavci, Specialist i Menaxhimit të Projekteve në Aktivitetin e USAID-it për Qëndrueshmëri Energjetike, ofroi një perspektivë mbi zhvillimin e sektorit të energjisë në Kosovë si dhe rolin e rëndësishëm që USAID ka pasur në avancimin e këtij sektori.


Kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymer Fejzullahu, u fokusua në nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit për bashkimin e tregjeve të energjisë elektrike të Evropës Juglindore.

Ai theksoi rëndësinë e këtij bashkimi për integrimin e tregut pan-evropian të energjisë elektrike dhe sigurinë e përgjithshme të furnizimit me energji në rajon.

Në njoftim thuhet se ndër të tjera, Fejzullahu foli edhe për krijimin e bursës së përbashkët dhe bashkimin e tregut me Shqipërinë si dhe funksionalizimin e ALPEX-it, duke theksuar se bursa e energjisë do të jetë çelësi i rritjes së transparencës në sektorin e energjisë.

Ndër temat që u diskutuan ishte edhe zhvillimi i Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë dhe përgatitjet e nevojshme të sistemit energjetik të Kosovës dhe kornizës ligjore përkatëse për të mbështetur prodhimin e energjisë elektrike nga këto burime.

Kryeshefi Ekzekutiv i Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) Evetar Zeqiri, foli për rëndësinë e pavarësimit energjetik të Kosovës tri vite më parë, duke e konsideruar si arritje tejet të rëndësishme për sigurinë energjetike, e cila jo vetëm që ofroi më shumë dy shtetet shqiptare, por edhe avancoi tutje bashkëpunimin tonë drejt një modeli të tregut të përbashkët energjetik të synuar.

Zeqiri tha se rrjetet transmetuese duhet të jenë mundësuese, e jo fyte të ngushta drejt tranzicionit të pastër energjetik, ndërsa për të arritur këtë nevojiten investime për zgjerimin e mëtejmë të rrjeteve, duke përmendur edhe planet ambicioze që KOSTT ka në këtë aspekt.

Ndërsa, Rudina Heroi Puka, Drejtore për Kujdesin ndaj Konsumatorëve, Tarifa dhe Çështje Rregullative në Kompaninë e Furnizimit me Energji Elektrike KESCO, si dhe bashkëthemeluese e Komitetit të Grave në Energji dhe Miniera, foli për rolin jetik që gratë luajnë në sigurimin e furnizimit me energji elektrike dhe integrimin e tregut duke sjellë aftësi, perspektiva dhe inovacione të ndryshme në sektorin e energjisë.

Puka tha se përfshirja e grave kontribuon në zhvillimin e sistemeve energjetike të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe elastike, duke shtuar se inkurajimi i diversitetit dhe përfshirjes gjinore nuk është vetëm një çështje e drejtësisë sociale, por edhe një qasje strategjike për adresimin e sfidave komplekse me të cilat përballet sektori i energjisë.

Në fund, Shkumbin Hysa, shef i Degës ALPEX në Kosovë, sqaroi rolin e ALPEX dhe përfitimet për sektorin privat dhe investitorët potencialë, sidomos ata të interesuar në burimet e ripërtërishme të energjisë. Hysa përshkroi procesin për bizneset e interesuara për tregtimin e energjisë elektrike në ALPEX dhe theksoi rolin e tij në lehtësimin e qasjes në treg.