LAJMI I FUNDIT:

Për polakët e kulturuar dhe shqiptarët injorantë

Për polakët e kulturuar dhe shqiptarët injorantë

Nëse e bëjmë një listë të popujve të kulturuar apo të civilizuar në Evropë, polakët duhet të jenë diku në krye të saj, kurse shqiptarët në fund. Çfarëdo kriteri që merrni për klasifikim, rezultati është i njëjtë.

Sa më larg vendlindjes, pamja e Atdheut është më e mirë dhe detajet dalin në shesh në mënyrë më të qartë. Është gërditëse sesi shqiptarët e shfaqin një tendencë të përbuzjes ndaj tjerëve, duke mos e ditur që nën ta nuk ka popuj tjerë. Shpesh, i turpëruar, i dëgjoj disa idiotë (shqiptarë pra) sesi flasin për polakët me një nënçmim të madh. Por, asnjë popull në histori nuk është treguar më stoik dhe më kontribuues në kulturë sesa polakët.


Të gjendesh në mes gjermanëve dhe rusëve është më shumë keq se sa mirë. Polakët me sukses e kanë përballuar këtë trysni. Polakët kanë qenë të parët që e thyen sistemin komunist dhe krijuan valën e ndryshimeve që i përfshiu vendet tjera socialiste në Evropë. Në këtë kohë edhe Papa (polak) ka qenë revolucionar. Kjo ka qenë koha kur te ne shqiptarët në formë ende ishin grupet marksiste-leniniste kurse në Shqipëri komunizmi mbahej mirë dhe askush nuk kishte shpresa se do të rrënohet ky sistem. Kjo flet për distancën kulturore në mes të polakëve dhe shqiptarëve.

Perceptimi i polakut në mendjen e shqiptarit është tejet negativ dhe është ndërtuar nga përrallat e përhapura nga injorantët dhe skizofrenët. Ky soj i njerëzve edhe sot ka ndikim në mesin e shqiptarëve, kurse në mesin e polakëve vetëm intelektualët kanë ndikim. Këto përralla për temë e kanë shqiptarin e ‘fortë‘ i cili ka bërë ‘kërdi‘ (seksuale) ndaj biondeve të bukura polake. Burrat polakë në këto përralla janë qyqanë se nuk mujnë as atë punë me ua ba grave t‘veta.

Këto përralla e kanë origjinën nga fillimi i viteve të 1970. Në këtë kohë shqiptarët që jetonin në Jugosllavi kishin para dhe mundësi ta vizitonin Poloninë, një vend fatkeq që kishte rënë nën bllokun socialist dhe nën diktatin rus. Në pozitë edhe më të mirë kanë qenë ata që punonin në Austri apo në Gjermani dhe që Poloninë e kishin më afër në aspektin gjeografik dhe më të qasshëm në atë financiar. Këta njerëz në Poloni kanë shkuar për ‘turizëm seksual‘. Tregimet e tyre për Poloninë janë gërditëse. Në pah të këtyre tregimeve është potenca seksuale e shqiptarit, e pakrahasuar me mehkujt tjerë të botës.

E keqja e kësaj pune është se shqiptarët e izoluar edhe sot e kanë në mendje polakun e portretizuar nga këta turistë seksualë.

Në verën e vitit 1980, pas një shëtitje në Hungari dhe në Çekosllovaki, kam shkuar në Poloni. Natyrisht që unë kam patur tjetër perceptim për këtë vend. Megjithatë, Polonia për mua krijoi shok kulturor. Në Krakovë u vendosa, për të qëndruar disa ditë në një konvikt të studentëve që ishte më i mirë se Hotel Bozhuri në Prishtinë. Sa për krahasim, Universiteti i Krakovës është themeluar në vitin 1364, kurse unë vija nga një universitet i themeluar në vitin 1970. Në Krakovë nga viti 1364 e deri më 1970 duhet të kenë ndodhur shumë e shumë gjëra që kanë munguar në Prishtinë.

Qytetet polake, edhe pse të ngufatura nga komunizmi, kishin rend njerëzor, kulturor, urbanistik… Muzetë e tyre ishin të shumta dhe të llojllojshme. Transporti publik (trenat, autobusët, tramvajët) qarkullonin pa asnjë problem. Në Poloni në këtë kohë nuk ka patur fshat pa rrugë të asfaltuar dhe pa u përfshirë në planin urbanistik. Nuk ka patur shtëpi pa televizor, telefon, makinë, pa marrë parasysh që ato nuk ishin prodhime perëndimore. Njerëzit ishin aq të mirësjellshëm dhe me njohuri të gjëra saqë ishte kënaqësi e madhe të bisedoje me ta.

Tashti, krahasojeni këtë gjendje me Kosovën dhe pjesët tjera të Jugosllavisë ku kanë jetuar shqiptarët, dhe mos e përjashtoni as Shqipërinë. Te ne në atë kohë asfalti në fshat ka qenë diçka i paimagjinueshëm. Të mos flasim për urbanizëm, se shumica dërmuese e vendbanimeve nuk kanë patur telefona, ujësjellës, kanalizim… Atëherë ne në nevojtore (WC) shkonim disa minuta larg prej shtëpisë. Të mos flasim për gjendjen e tualeteve tona dhe për banjot që nuk i kishim dhe laheshim vetëm gjatë të dielave, kryesisht.

Tashti, ne patjetër duhet ta pyesim veten: si ka mundësi që një njeri nga mesi jonë të ketë paragjykime për polakët?

Me polakët mahnitem edhe në Londër. Çdo mëngjes shoh nëna polake që i çojnë fëmijët në shkollë dhe rrugës me mburrje flasin vetëm gjuhën e tyre. Në shkollë, nxënësit polakë mes veti, po ashtu flasin vetëm polonisht. Polakët mes vete nuk flasin anglisht.

Në anën tjetër i vëren shqiptarët që e bëjnë të kundërtën. Ndjehen të turpëruar për atë që janë. Flasin anglisht për gërdi se nuk e dinë këtë gjuhë. Por, dëshira e tyre që të mos identifikohen si ata që janë, është e madhe dhe u ka krijuar kompleks të rëndë. Megjithatë, në trup të tyre, në fytyrë dhe në sy u shihet ndryshku i një fshatarësie të prapambetur feudale shqiptare të cilën e vërtetojnë si ta çelin gojën me thanë naj llaf të pakuptimtë. Edhe më keq, numri i nxënësve shqiptarë që flasin shqip pa problem, është i vogël. Por, gjëja e mirë te ta është se nuk vuajnë nga kompleksi i inferioritetit sikur prindërit e tyre.

Natyrisht, disa gjëra nuk piqen me zor. Kërkojnë kohë dhe mund. Por, polakët për ne shqiptarët duhet të jenë shembull i mirë.