Deputetët presin të kthehet kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi nga udhëtimi zyrtarë, e më pas të caktojnë seancë në Komisionin për Çështje Mandati dhe Imuniteti, për të diskutuar për mandatin e deputetit Nikolla Gruevski.

Gruevski tashmë gjashtë muaj është jashtë vendit dhe ka munguar në punën e tij, me çka janë plotësuar kushtet ligjore që t’i merret mandati i deputetit, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Kryetari i Komisionit për Çështje Mandati dhe Imunitetit Pavle Bogoevski, thotë se për mandatin e Gruevskit do të diskutohet padyshim, por nuk mund ta dijë se si do të votojnë deputetët.

“Nuk është në pyetje iniciativa, pasi e kemi detyrë ligjore. Do të thotë seanca e Komisionit sigurisht do të mbahet, por si do të votojnë deputetët nuk mund të them. Ndërsa theksoj se do të guxojnë mjaftueshëm për të vepruar në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet, ku thuhet se nëse deputeti gjashtë muaj mungon pa arsye, atëherë ai nuk është i denjë për të qenë deputet”, tha Bogoevski./Telegrafi/