Penguan policinë në Parkun Nacional “Sharri”, dy persona nën hetim

Policia ka njoftuar se më 12 maj 2026, rreth orës 18:30, zyrtarët policorë të angazhuar me detyrë sekondare në Parkun Nacional “Sharri”, së bashku me zyrtarët e pyjeve, gjatë patrullimit në terren kanë hasur në një mjet transportues të druve, të përshkruar si “xhip i modifikuar”, në të cilin ndodheshin tre persona.
Sipas njoftimit, pas ndalimit të mjetit, dy nga personat e pranishëm kanë penguar vazhdimisht zyrtarët policorë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.
Policia bën të ditur se gjatë arrestimit të shoferit të mjetit, njëri nga personat, i cili sipas njoftimit mbante në dorë një motorsharrë, ka vazhduar pengimin ndaj zyrtarëve policorë.
Lidhur me rastin, njësia e hetimeve të stacionit ka kontaktuar prokurorin e shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit penal ndaj dy personave të dyshuar, të identifikuar me inicialet I.D dhe F.D, për veprën penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”.
Ndërkohë, për shoferin e mjetit, i cili sipas policisë kishte tentuar t’i shmangej zyrtarëve, është urdhëruar inicimi i një shënimi zyrtar, i cili do të hetohet nga hetimet e stacionit në bashkëpunim me zyrtarët e Parkut Nacional “Sharri”, me qëllim të identifikimit të vendndodhjes së prerjes së druve.
Po ashtu, sipas njoftimit, ndaj shoferit është shqiptuar edhe gjobë për moszbatim të urdhrave të zyrtarit policor.
Policia ka bërë të ditur se personat e dyshuar janë liruar në procedurë të rregullt. /Telegrafi/



















































