LAJMI I FUNDIT:

Peja, qyteti që po e rikthen primatin e turizmit në vend – mbi 75 mijë turistë u regjistruan në vitin 2018

Peja, qyteti që po e rikthen primatin e turizmit në vend – mbi 75 mijë turistë u regjistruan në vitin 2018

I shtrirë poshtë Grykës së Rugovës, me një horizont të mrekullueshëm, ajrin e pastër e të fortë, qyteti i Pejës mbetet njëra nga hapësirat që ngjall dëshirën e turistëve për ta vizituar e pse jo edhe për t’i kaluar pushimet.

Ndonëse në mungesë të një strategjie të qartë të zhvillimit të turizmit nga ana e institucioneve shtetërore, iniciativat private të pejanëve kanë bërë që qyteti perëndimor ta kthejë primatin e dikurshëm të mikpritësit të qindra mijëra vizitorëve që vinë edhe nga pikat më të largëta të globit.


Bjeshkët e Nemuna, që kanë një natyrë magjike e që shërbejnë si mushkëritë e qytetit, janë vetëm një nga pjesët e bukurisë së kësaj ane që vizitorët e preferojnë shumë.

Kjo tanimë është bërë edhe më atraktive me atë që po njihet si turizmi i aventurave, e që ngërthen në vete atraksionin dhe adrenalinën mu në zemër të kësaj natyre.

Shtegu i ngjitjes nëpër shkëmbinj“Via Ferrata”në një anë, dhe “Zip Line”- shtegu i cili kalohet në ajër, përmes një litari metalik, të shoqëruara me ofertën e monumenteve kulturore dhe historike në Pejë, për Virtyt Gacaferrin, udhëheqës i operatorit turistik “Balkan Nature Adventure”, po e kthen qytetin e Pejës në një oazë të turizmit në Kosovë.

Gacaferri ka theksuar për Telegrafin se turizmi ka rritje dhe kjo po shihet sipas tij, edhe nëse lexohen statistikat, duke shtuar se Kosova si zonë është rritur në rëndësi të vizitave.

Ai ka kujtuar Pejën turistike të viteve 80-ta kur turistët gjermanë vizitonin këtë rajon me motoçikleta.

“Është kënaqësi, tash pas 40 viteve, me u përsëritë një atmosferë të tillë”, ka shtuar Gacaferri.

Ai ka thënë se problem që po ballafaqohet oferta pejane e turizmit është papastërtia (bërlloku), mungesa e kuadrove të shkolluara – të cilët do të ofronin shërbime dhe të rritnin nivelin konkurrencë.

“Problemi i tretë është infrastruktura. Në vend që të ndërtohet një autostradë në rrugën Istog – Pejë – Deçan – Prizren, më mirë të ndërtohet një shteg kulturor që mund të kalohet më biçikleta, ose mund të kalohet në këmbë. Duhet të investohen ato para në një qendër të skijimit”, ka shtuar Gacaferri.

Ai ka theksuar se politika e përgjithshme zhvillimore turizmin e ka lënë prapa, sepse sipas tij, nuk mund të thuhet që autostrada e përkrah turizmin.

“Autostrada për Shkup e përkrah turizmin e Maqedonisë. Infrastruktura turistike për dimër është ndërtimi i qendrës së skijimit, ndërsa infrastruktura e verës është ndërtimi i shtigjeve të ecjes, respektivisht përgatitja e staneve nëpër bjeshkë për pritje të turistëve jo me hotele megalomane, por me pritje të vogla”, ka thënë Gacaferri.

Drejtoresha e Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik në Komunën e Pejës, Xhenet Syka, duke treguar shifrat e turistëve që po e vizitojnë Pejën, ka thënë se vetëm vitin 2018, sipas shifrave zyrtare, në qytetin perëndimor të Kosovës kanë qëndruar mbi 75 mijë turistë.

Syka ka thënë për Telegrafin se statistikat flasin se janë mbi 130 mijë fjetje që janë regjistruar nëpër bujtinat, hotelet dhe hostelet e këtij qyteti.

“Rritja e turizmit në Pejë po ndodhë më hapa shumë të shpejtë, ku nga viti në vit kemi një rritje prej 31 për qind të numrit të vizitorëve. Derisa, trendi i rritjes së numrit të fjetjeve është 15.6 për qind”, ka shtuar ajo.

Sipas saj, këto shifra janë tregues pse pejanët po shfaqin interesim në hapjen e hoteleve, bujtinave dhe restoranteve.

“Sa i përket vizitave, gjermanët prinë për nga numri i turistëve që vizitojnë Pejën, të përcjellë nga anglezët, austriakët, italianët, zviceranët, por që nuk mungojnë edhe vizitorët nga shtetet aziatike dhe ata përtej oqeanit – Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA)”, ka theksuar Syka.

Ndikim pozitiv në begatimin e ofertës turistike të Pejës në aspektin kulturor, ka dhënë edhe festivali i animacionit Anibar, festival i cili e ka shënuar dekadën e parë të ekzistimit.

Vullnet Sanaja, drejtor i festivalit, ka theksuar se këtë vit janë mbi 100 mysafirë të këtij festivali të cilët janë akomoduar në hotelet e qytetit të Pejës, gjë e cila po tregon për rritjen e turizmit kulturor në qytet.

Ai ka thënë se përmes Anibarit të rinjtë kanë pasur mundësi me u aftësuar në disa fusha, si në media, promovim të festivalit, se si t’i koordinojnë aktivitetet specifike, gjëra të cilat e bëjnë atë të ndjehet mirë sepse sipas tij, po bën diçka për komunitetin.

“Angazhimi i vullnetarëve në Anibar, i cili në fillim ishte 15, këtë edicion është rritur me 80 të rinj, e që është mundësi e mirë që t’i fitojnë disa aftësi që ju duhen me pas edhe në profesionet e tyre”, ka theksuar Sanaja.

Gjatë rrugës për në Grykën e Rugovës, mund të takoni shumë turistë të huaj, të cilët vinë nga shtete të ndryshme.

Në një bisedë me një turist gjerman, ai ka treguar për Telegrafin se një vit më parë ka qëndruar për pushime në Mal të Zi, me ç’rast i ka pëlqyer rajoni  dhe ka vendosur që këtë vit, së bashku me një mik të tij, ta vizitojnë Kosovën.

“Jam vërtet i interesuar për këtë zonë. Vitin e kaluar i kemi kaluar pushimet në Malin e Zi, dhe ka na pëlqyer ky rajon. Gjithashtu më pëlqen të eksploroj. Pasi nuk kam qenë asnjëherë, Kosova ka qenë në listën time. Jam mësues i gjermanishtes dhe kam pasur nxënës nga Kosova dhe Shqipëria, ata kanë qenë miqësor dhe më kanë bërë kureshtar për këta njerëz”, ka rrëfyer turisti gjerman./Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Votoi pro Kosovës në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, kërcënohet deputeti boshnjak

Votoi pro Kosovës në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, kërcënohet deputeti boshnjak

Lajme
Diskriminimi ndaj shqiptarëve në Serbi, Von Cramon dhe eurodeputetët e tjerë shprehin shqetësimin dhe kërkojnë veprime

Diskriminimi ndaj shqiptarëve në Serbi, Von Cramon dhe eurodeputetët e tjerë shprehin shqetësimin dhe kërkojnë veprime

Lugina
Numri i serbëve në Kosovë po zvogëlohet, por jo për shkak të “terrorit shqiptar”, Knaus: Pretendimet e tilla të Vuçiqit janë mashtrim

Numri i serbëve në Kosovë po zvogëlohet, por jo për shkak të “terrorit shqiptar”, Knaus: Pretendimet e tilla të Vuçiqit janë mashtrim

Lajme
Dokumentari i televizionit Rai 3, reagon Rama: Sulmohet Meloni duke hedhur baltë mbi Shqipërinë

Dokumentari i televizionit Rai 3, reagon Rama: Sulmohet Meloni duke hedhur baltë mbi Shqipërinë

Lajme
Gazetari britanik tregon nëse mund të ketë luftë në Kosovë dhe Bosnjë

Gazetari britanik tregon nëse mund të ketë luftë në Kosovë dhe Bosnjë

Siguri
U tregua e ashpër ndaj Vuçiqit në Këshill të Sigurimit - reagime të shumta në mbështetje të përfaqësues së Maltës

U tregua e ashpër ndaj Vuçiqit në Këshill të Sigurimit - reagime të shumta në mbështetje të përfaqësues së Maltës

Lajme
Kalo në kategori