LAJMI I FUNDIT:

PDK në Mitrovicë: Qytetarët nuk mashtrohen nga shpifësit

PDK në Mitrovicë: Qytetarët nuk mashtrohen nga shpifësit

Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Mitrovicë ka përgënjeshtruar lajmin e publikuar në disa portale për gjoja përzgjedhjen e kabinetit qeverisës të kandidates për kryetare të Komunës së Mitrovicës, Valdete Idrizi.

PDK thekson se kjo nuk është asgjë tjetër, pos një shpifje.


“Pas publikimit të këtij lajmi tendencioz, është kontaktuar Policia e Kosovës dhe është angazhuar një avokat për të gjetur burimin e këtij lajmi të rremë. Besojmë në institucionet tona dhe në zbardhjen e këtyre rasteve, të cilat kanë për qëllim të dezorientojnë votuesit para balotazhit të 19 nëntorit”, thuhet në reagimin e PDK-së.

Sipas kësaj partie, ata që nuk kanë program qeverisës, që nuk kanë vizion dhe që kanë mashtruar qytetarët për katër vjet, pretendojnë që nëpërmjet shfrytëzimit të këtyre metodave të ulëta ta shmangin humbjen e sigurt.

“Por tashmë e kanë të qartë të gjithë se kandidatja e PDK-së, Valdete Idrizi, është fituesja mbi të keqen dhe mashtrimin. Qytetarët e Mitrovicës nuk mashtrohen më as nga lajmet e rreme dhe as nga fushata përçarëse dhe primitive. Mitrovica është tepër e madhe për vogëlsinë dhe paditurinë e tyre të tmerrshme.  Kandidatja e PDK-së për kryetare të Komunës së Mitrovicës, Valdete Idrizi, i garanton qytetarët e Mitrovicës, se kabineti i saj qeverisës do të formohet prej njerëzve më të mirë që ka Mitrovica dhe prej profesionistëve më të suksesshëm”, thuhet në reagim.