PD: Rama përpjekje për mbijetesë politike

“Ai sot në fjalën e tij në grupin parlamentar nuk ofroi asnjë arsye të vetme që e shtyn atë të përdorë mos votimin e ligjeve që kërkojnë 84 vota në parlament, për të bllokuar statusin e kandidatit”, tha zëdhënësja e selisë blu, Albana Mustafaraj.
Sipas saj, “shqiptarët e dinë se bllokimi i amendamenteve të kodit rrugor që imponojnë teknologji te re për drejtuesit e automjeteve dhe uljen e aksidenteve vdekjeprurëse rrugore, bllokimin e rekomandimeve ndërkombëtare për luftën e korrupsionit ndaj zyrtarëve, apo bllokimi i ligjeve që vijnë si detyrim nga anëtarësia e Shqipërisë në organizatën Botërore të Tregtisë, bëhet me qëllimin e vetëm, për të mos lejuar që Shqipëria të marrë statusin e kandidatit”.
Zëdhënësja shtoi se nëse Partia Socialiste, ka kundërshti për ligjet, mund t’i kishte sjellë propozimet e saj. “Partia Demokratike fton z. Rama që të lërë mënjanë agjendën e tij personale politike, të mos vazhdojë bllokimin e grupit të tij parlamentar dhe ti lejojë deputetët e PS të votojë për këto ligje që përbëjnë edhe kushtin më kryesor për integrimin e vendit”, shtoi ajo. /Start/




















































