LAJMI I FUNDIT:

(Pas)lufta e (pa)pastër e UÇK-së

(Pas)lufta e (pa)pastër e UÇK-së

Mbase titulli me dy palë kllapa, edhe mund të e hutojë lexuesin, por gjithsesi shpreh dilemën qysh në fillim, në plotëninë e saj. Ishte e pastër apo e papastër lufta, e sidomos paslufta e UÇK-së, dhe sidomos dilemën se çka është UCK-ja e pasluftës?

Gjithsesi, nëse nisemi sipas asaj fjalës së moçme se “kali i mirë çon pluhur shumë”, mund të thuhet se ose “kali“ është lodhur, ose pluhur ka mbetur pak edhe në bazën politike të “vijës së luftës”, ku po thuhet me humor se edhe kopshtet janë shtruar në asfalt, edhe pulat janë pa sqep. Pra, s’ka pluhur. Gjithçka është nxjerr në rrugë të shtruar. Është trashë lëkura e meritokracisë.

Çfarë duan, pra, mediat tona të mbulojnë, duke i fryrë këtij zjarri? Përse pikërisht tash, në një emision televiziv, historia merr karakter politik, futet si instrument politik, e me raste edhe si pjesë joformale e institucionit të akuzës publike për të sulmuar, për të kriminalizuar në mënyrë të përgjithësuar vijën e ashtuquajtur të luftës prej pozitave krejtësisht të paqarta politike e shoqërore? Në cilin elektorat llogarit strategu i fushatës?


Duke menduar se oratori ka pretendime politike në prag të zgjedhjeve në LDK, të cilat për shkak të baraspeshës politike kanë edhe karakter nacional, një pjesë e meritokracisë së (pas)luftës, e cila erdhi dhe qëndroi në pushtet duke u thirrur pikërisht në vlerat dhe meritat e luftës, filluan një fushatë “ad hominem” ndaj tij. Pra, filluan të godasin personalitetin e tij, pa u ndalur fare, të merren me akuzat publike të cilat, në fakt, nuk është se nuk kanë mbështetje në ngjarjet e (pas)luftës, por gjithsesi mund të kontestohet interpretimi i tyre si dhe motivet e “akuzës”.

“Asnjë luftë nuk është e pastër”, thotë edhe mbrojtja publike e cila në këtë rast e mbron “organin” e akuzës. Rrjedhimisht, as lufta e UÇK-së nuk ishte e pastër, nxjerrin përfundimin komentuesit politikë të akuzave që pretendojnë të jenë të bazuara në ligje, qofshin ato ndërkombëtare apo vendore. Kështu, edhe opozita e opozitës, duke u ngatërruar në fjalët e veta, dhe në pretendimet e veta, asnjëherë nuk arriti të aktualizohet, të bëhet pretenduese e vërtetë për pushtet, një forcë reale në të cilën duhet llogaritur. Duke e përgjithësuar dyshimin publik për krimet dhe kriminelët e mundshëm, në mënyrë jokritike kontestohet patriotizmi legjitim prej pozitave të një qytetarie të dyshimtë të mbarsur në “kafiqat” e ish-Jugosllavisë. Opozita e opozitës, një grup intelektualësh të larguar, jo vetëm nga lufta për pushtet, por edhe nga opozita, ende nuk po arrin të artikulohet, as të organizohet, dhe aq më pak të bëhet alternativë, pikërisht për shkak të gatishmërisë që të futet në lojë me kushtet e rrethanat e (o)pozitës formale, të cilat ata po i kritikojnë dhe akuzojnë në vazhdimësi. Sapo u afrohet në mundësi nga (o)pozita, e kapin dhe degradohen.

Është e njohur se kjo temë aktualizohet sa herë në LDK pretendohen ndryshime, ose marrjen e drejtimit të saj nga forca që pretendojnë vazhdimësinë e LDK-së burimore, asaj LDK-je e cila doli nga grupi i intelektualëve në fillim të viteve 1990, i cili po e reformonte ish-Lidhjen Komuniste dhe po dilte në ballë të luftës politike për pavarësi. Kjo linjë e udhëhequr deri në vitin 2005, nga presidenti Ibrahim Rugova, ndiqte një strategji të refuzimit të organizuar dhe ndërtimit të institucioneve paralele, duke shpresuar në rrënimin ushtarak dhe politik të Serbisë nëpër luftërat në ish-Jugosllavi, dhe shkëputjen pa luftë, si rezultat i njohjes ndërkombëtare. Përgjatë kësaj rruge, kishte mjaftë bashkëthemelues të LDK-së të cilët pastaj u shkëputën si të pakënaqur me politikën e presidentit Rugova, dhe vetëm pas vdekjes së tij u rishfaqën me pretendime dhe me ringjalljen e ideve burimore, duke parë mundësinë e tyre në frontin kundër vijës së luftës, me të cilën ata nënkuptojnë çdokënd që ishte pjesë e UÇK-së, duke harrur se nga ajo pas lufte dolën disa organizime politike që e pretendojnë vazhdimësinë e saj. Duke mohuar luftën, mohojnë edhe patriotizmin dhe pavarësinë.

Çfarë po bëhet të përfitohet nga kriminalizimi, akuzat publike mbi vijën e luftës, pa pasur kurajo të ndahet lufta nga paslufta si dhe krimet politike prej krimit të organizuar në çka është shndërruar pas lufte një pjesë e ish-drejtuesve të luftës?

Në shoqërinë kosovare nuk ka shoqëri civile të mirëfilltë e cila do të emëronte gjërat dhe do të fliste prej pozitave qytetare dhe interesave të qytetarit. Krejt ka mbetur në disa intelektualë që pretendojnë të jenë koka të ndryshimeve, pa ofruar ndonjë platformë reale. Financimet nga jashtë, në vend se të përdorën për të ndërtuar një alternativë demokratike kundrejt oligarkisë, janë (keq)përdorur për pasurim individual e familjar duke u korruptuar vet, në vend se të luftojnë korrupsionin në shoqërinë e pasluftës.

Vetëm pretendimet për të marrë drejtimin e LDK-së nuk janë të mjaftueshme për të shpjeguar gjithë këtë vrer që u derdh nga të dyja anët, dhe gjithë kjo tregon se edhe LDK-ja në pjesën më të madhe sot kontrollohet nga ajo që e quajnë “Vija e luftës”. Është e qartë se ka skaduar afati politik i ish-drejtuesve të luftës dhe se meritokracia ishte e pranueshme derisa të ndërtohen institucionet dhe të vihet në prag të BE-së. Por, në pragun e BE-së, dera ka mbetur e mbyllur për udhëheqjen e korruptuar dhe oligarkinë e pangopur kosovare e cila të përbashkëtën, përmes fuqisë politike e represonit, e ka bërë të veten.

Alternativa e re nuk është më të mohosh luftën, por të ofrosh alternativë qytetare e cila në Serbi për shembull po formësohet, me ndihmën perëndimore, përmes lëvizjes “1 nga 5 milion” ose “Poshtë këmishat e përgjakura”, një demokraci nga poshtë, jashtë ideologjive të së kaluarës, jashtë armiqësive të së kaluarës, për një interes qytetar, për një marrëveshje me qytetarin e cila po e sfidon seriozisht oligarkinë dhe “meritokracinë” serbe, të ngritur dhe të mbajtur mbi mitin e Kosovës. Ajo e ka krijuar linjën e frontit me oligarkinë dhe interesat euroaziatike në Serbi.

Alternativa qytetare në Kosovë, fatkeqësisht nuk është shfaqur ende në skenë as nga pozita, as nga opozita, e as nga opozita e opozitës. (Pa)pastërtia e (pas)luftës së UÇK-së nuk është çështje e debateve televizive, ku debatuesit shahen dhe barrikadohen edhe më fort në llogore lufte. As mbrojtësit e UÇK-së, as ata që e shajnë nuk arrijnë të flasin për krimet, pa i interpretuar anshëm edhe pa kapur zinxhirin e përgjegjësisë. Gjykatat, dhe krejt sistemi i drejtësisë i kontrolluar nga politika, nuk lënë mundësi për këtë.

Ndërkohë, krimet janë çështje gjykatash dhe jo debatesh politike dhe a(m)kademike kosovare. Zbardhja e krimeve është pretendim i ligjshëm, por kjo duhet të bëhet në forma që nxjerr në dritë kriminelët dhe nuk irriton ndjenjat sublime të familjarëve dhe pjesëmarrësve të luftës çlirimtare e cila deshën apo nuk deshën të tjerët, qëndron në bazën e shtetit të pavarur të Kosovës. Vija frontale kundër “Vijës së lutës” vetëm se mobilizon për konfrontim të brendshëm mbi çështje krejtësisht historike dhe aspak aktuale. Tendenca që përmes komisioneve parlamentare me e legjitimu krimin, dhe zhurma për tema dytësore, tregojnë më së miri se intelektualët e pavarur janë mëse të varur nga politika e sidomos ambicia e tyre.