Zhvillimet e fundit, mblidhet LDK


Anëtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) janë mbledhur sot në selinë qendrore të partisë, në një takim që vjen pas zhvillimeve të fundit në skenën politike.
Sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Visar Azemi për Telegrafin ka thënë se nuk bëhet fjalë për mbledhje të Kryesisë së partisë, por nuk ka dhënë detaje lidhur me arsyen e pranisë së zyrtarëve të LDK-së në seli.
“Jo, nuk kemi mbledhje të Kryesisë”, është shprehur shkurt Azemi.
Edhe deputeti i LDK-së, Anton Quni para mediave ka refuzuar të komentojë zhvillimet para gazetarëve, duke bërë të ditur se partia do të dalë me një komunikatë zyrtare.
“Nuk japim deklarime, do të dalim me komunikatë”, ka thënë Quni.
Ndryshe një ditë më parë u dorëzuan nënshkrimet e nevojshme për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), me synimin për shkarkimin e Lumir Abdixhikut nga posti i kryetarit të LDK-së, pasi partia u rendit sërish e treta në zgjedhjet e 7 qershorit. /Telegrafi/






































