Një vazhdim i filmit të famshëm romantik “How to Lose a Guy in 10 Days” është në fazat e hershme të zhvillimit nga Paramount, më shumë se dy dekada pas publikimit të origjinalit.

Lajmin e ka bërë të ditur ekskluzivisht Variety.


Kate Hudson, e cila në filmin e vitit 2003 interpretoi gazetaren Andie Anderson, është angazhuar si producente e projektit së bashku me Stacey Sher.

Ndërkohë, ende nuk është përzgjedhur skenaristi dhe detajet e historisë së re nuk janë përcaktuar.

Sipas raportimeve, Paramount dhe ekipi krijues synojnë që Hudson dhe Matthew McConaughey të rikthehen në rolet e tyre ikonike, Andie Anderson dhe Benjamin Barry.

Megjithatë, rikthimi i tyre në ekran nuk është konfirmuar ende dhe do të varet nga skenari dhe drejtimi që do të marrë filmi.

“How to Lose a Guy in 10 Days”, i publikuar në vitin 2003, tregonte historinë e Andie-t, një gazetareje që përpiqet të shkruajë një artikull se si ta bëjë një burrë të ndahet prej saj brenda 10 ditësh, ndërsa Benjamin vendos një bast se mund ta bëjë një grua të dashurohet me të në të njëjtën periudhë.

Planet e tyre përplasen dhe marrëdhënia shndërrohet në një histori dashurie. Filmi u bë një prej komedive romantike më të njohura të viteve 2000 dhe arkëtoi rreth 177 milionë dollarë (afërsisht 152 milionë euro) në mbarë botën.

Për momentin, nuk ka ende një datë publikimi apo detaje për historinë e vazhdimit. /Telegrafi/

- YouTube www.youtube.com