Për herë të tretë është dërguar në kuvend por puna më aq është ndalur. Projektligji për financimin e partive politike duket se nuk po gjen vullnet politik që të vazhdohet me plotësim-ndryshimin e tij. Kjo, sipas monitoruesve të Kuvendit të Kosovës, ka disa shkaqe.

Një ligj me rëndësi të madhe po vazhdon të mbesë në sirtarët e kuvendit të Kosovës që nga 2013-ta, prej kur nuk u ndryshua asnjëherë.

Projektligji për financimin e partive politike, që është aktualisht për herë të tretë në procedurë plotësim-ndryshimi, mëton ta avancojë transparencën dhe llogaridhënien financiare të partive politike.

Por, kjo duket se po paraqet telashe për vetë subjektet politike.

“Mungesa e vullnetit politik për t’i hapur kuletat e tyre besoj është arsye pse ky proces po bllokohet”, ka thënë Eugen Cakolli nga KDI për RTV Dukagjinin.

Rëndësia e këtij projektligji u vu në pah edhe nga ndërkombëtarët, që përmes procesit të MSA-së, Kosovës i është dhënë edhe afat se kur duhet ta procedojë këtë projektligj.

“Tani Kosova ka marr obligim në kuadër të planit të zbatimit të MSA-së që ta zbatoj këtë projektligj deri kah muaji qershor dhe pres që subjektet politike sa më shpejt të hapin punën e grupit punues të merren komentet  dhe të procedohet për votim të plotë në Kuvend”, shtoi Cakolli.

Për analistët është absurde që partitë të kërkojnë llogari nëse ato nuk pranojnë të publikojnë financat.

Sipas shoqërisë civile, ndër të tjera, me projektligjin e ri, Zyra për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim, do të ketë pavarësi funksionale e buxhetore nga KQZ-ja dhe kështu nuk do të ketë as ndikim nga partitë politike që përfaqësohen në KQZ.