Parlamenti i Egjiptit miratoi të hënën vendosjen e forcave të armatosura jashtë vendit për të luftuar “milicitë kriminale” dhe “grupet e huaja terroriste” në një “front perëndimor”, pasi presidenti Abdel Fattah al-Sisi paralajmëroi që Kajro mund të ndërhynte në Libinë fqinje përtej kufirit perëndimor të Egjiptit.

Sipas France24, përcjell Telegrafi, parlamenti miratoi njëzëri “vendosjen e anëtarëve të forcave të armatosura të Egjiptit në misione luftarake jashtë kufijve të Egjiptit për të mbrojtur sigurinë kombëtare egjiptiane … kundër milicisë kriminale të armatosur dhe elementeve terroriste të huaj”, thuhet në një deklaratë.

Vendimi erdhi pasi Sisi tha javën e kaluar se Egjipti nuk do të qëndronte “anash” nëse ekzistonte një kërcënim për sigurinë kombëtare në Egjipt nëse parlamenti jepte miratimin e tij.

Po sipas France24, masa mund të sjellë Egjiptin dhe Turqinë, të dy aleatët amerikanë që mbështesin palët rivale, në konfrontim të drejtpërdrejtë.

Sisi e ka quajtur qytetin bregdetar strategjik Sirte një “vijë të kuqe” dhe paralajmëroi se çdo sulm mbi qytetin do të shtynte Kajron të ndërhynte ushtarakisht për të mbrojtur kufirin e saj perëndimor me vendin e pasur me naftë.

Libia u zhyt në kaos kur një kryengritje e mbështetur nga NATO në 2011 rrëzoi diktatorin Muammar Gaddafi, i cili u vra më vonë.

Vendi tani është i ndarë midis territorit në lindje të kontrolluar nga luftëtarët – të quajtur Ushtria Kombëtare Libiane (LNA) – besnike ndaj kryekomandantit Khalifa Haftar dhe një qeverie të mbështetur nga OKB në Tripoli, në perëndim. /Telegrafi/