LAJMI I FUNDIT:

Parashikimet e zymta të Bogdan Bodanoviqit

Parashikimet e zymta të Bogdan Bodanoviqit
Ilustrim

Në emër të Serbisë janë vrarë jo vetëm njerëzit, por edhe qytetet e tëra. Në Ballkan është vrarë civilizimi. Edhe ata pak intelektualë serbë që mendojnë ndryshe, jetojnë skutave nën ethe pa e pasur rastin që të flasin për shtegdalje nga sistemi i instaluar nga Milloshevqi, ndaj ikin përditë … Kështu thoshte Bogdan Bogdanoviq, disidenti serb që vdiq në Vjenë

Zbrazja e vendbanimeve të të tera po vazhdon me trend të frikshëm. Asnjë shkallë nataliteti nuk e ndalon ikjen e njerëzve. Statistikat zyrtare heshtin me qellim. Dihet se kur nuk japin rezultat armët, ka mënyra tjera për të mbaruar punën e nisur. Pasojat e kësaj politike shihen kudo; edhe në Serbi, në Kosovë, në Bosnje, por edhe në Maqedoni e Kroaci, sado që të gjitha deri tash nuk kanë shfaqur publikisht ndonjë brengë për këtë eksod të heshtur fatal për të ardhmen e afërt të pjesës më të madhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Nëse statistikat demografike flasin për shkallen e shtimit natyror të popullatës me shtatë apo edhe njëzetë promilë, kjo përqindje nxirret nga numri i mbetur i popullatës pa pasur parasysh ata që tashmë kanë zënë vend diku në ndonjë shtet të botës, nga Evropa Perëndimorë e deri në Zelandën e Re. Nga ky zhvillim shihet mirë se me politikë të përhershme konfliktuoze, njerëzit normal ikin pa bujë të madhe, natë e ditë. Këtë e di mirë politika e instaluar dhe vazhdon.


Ata që ikin një herë, nuk kthehen më. Kjo është dëshmuar me shekuj.

Derisa po qëndronte në Paris, Bogdanoviqi takon një gazetar serb nga Sarajeva i cili i thotë: “Më shumë me shkaktonte dhembje qetësia e Beogradit, derisa shikonte Sarajevën duke u djegur, sesa vdekja. Beogradi shikonte vrasjen e Sarajevës në televizor, sikur të ishte diku në planetin Mars”.

Bogdan Bogdanoviqi dha shumë intervista jashtë Serbisë, pasi mediat serbe e kishin bojkotuar moti. Mediat serbe e kishin bojkotuar arkitektin e njohur qysh nga mbledhja e tetë e KQ të LK të Serbisë. Ai më nuk pati rast të mbrohet, por iku ilegalisht nga qyteti ku kishte lindur. Vendosi të shkruante kudo që jetonte, derisa të jetë gjallë, dhe ashtu bëri. Esetë e tija të botuara në një libër voluminoz dëshmojnë energjinë e madhe intelektuale.

“Druhem se Beogradi më nuk do jetë kurrë ai që ishte dikur, ai qyteti i dikurshëm me intelektualë e qytetarë të formuar. Beogradi tash është i okupuar, jo nga gjermanët, por nga bandat kriminale serbe”, shkruante ai. “Shëtisin aty të lirë kriminel e vrasës të lirë të luftës, vrasës te fëmijëve të pandëshkuar kurrë. Ata janë kudo dhe më askush nuk merr guxim të thotë edhe një fjalë për ta. Është mbushur qyteti me njerëz të huaj, me uniforma, të maskuar, ‘trima e heronj’ që kanë ardhur nga fushëbetejat e krimit”, thotë Bogdanoviqi.

“Për dallim nga okupimi gjerman, ky është okupim shumë më i zi. Atëherë e dinim pse kanë ardhur gjermanët, por tash këta që e kanë okupuar Beogradin paraqiten serbë dhe japin leksione për serbizimin, ndërsa intelektualëve u thonë se ju nuk na kuptoni. Ata na i shpjegojnë traditat serbe dhe se cila është ardhmëria e tyre e mjerë! Ka dallim qyteti i shkatërruar dhe i vrarë nga lufta. Qyteti i vrarë më nuk dëshiron të mëkëmbet, as të ripërtërihet”.

Bogdanoviqi dyshon se ata qytetarë të Vukovarit që kanë ikur prej aty, më nuk do të kthehen kurrë. Ai qytet më nuk ka dëshirë të ngjallet, ai është vrarë.

Qytet i vrarë është ai të cilit ia kanë vrarë metaforën kapitale që e bën të gjallë.

“I vrarë është sot Mostari. Ai është qytet i vrarë. Aty më nuk ka asgjë që jep shpresë për rimëkëmbje. Ura u ndërtua, por më nuk është ajo urë nga e cila ka marrë emrin qyteti. Njerëzit më nuk kane emocione për të. Mostarit ia kanë vrarë fjalën kapitale, e ajo ishte vet ura. Qyteti ishte ndërtuar mu për shkak të urës dhe shihej si simbol i një alegorie ndërtimi oriental, i filozofisë islame”.

“Serbët sot jetojnë si populli i fundit i botes. Kam frikë se edhe psikika e serbëve është rrezikuar. Ata serbë më nuk mund të shikohen si njerëz normal. Gjysma e tyre jetojnë në një botë tjetër. Në letrën që i pata dërguar KQ të LK-së të Serbisë, si profet ia kam qëlluar të gjitha pasojave që do të kemi nga politika që po instalohej dhe të cilën e pa bota me sy. Kam pohuar se do të jemi ‘indianet’ e fundit në Evropë. Në momente ndjej frikë për fatin e popullit serb. Ne dimë se nacionalizmi, në esencë asgjëson shpirtin e një kombi. Nacionalizmi serb ka asgjësuar kombin serb dhe është në fazën e fundit të shkatërrimit të tij”.

Sistemi i tashëm politik ka elemente të fashizmit dhe të nacional-socializmit. Ky sistem është instaluar nga nevoja fizike që kanë pushtetarët për nazizmin e fashizmin. Ky sistem krimi nuk ka kampe e gulagë. Serbisë më nuk i duhet një gulag, pasi i gjithë shteti është shndërruar në një gulag. Milosheviqi e shndërroi Serbinë në kamp përqendrimi. E shndërroi në institut të shpëlarjes së trurit, përmes mediave shtetërore. U instalua një lloj fashizmi më i zi se ai që ka përjetuar gjithë Evropa. Tash po vrasin edhe serbë”.

“Edhe mediat që duken të lira, nuk janë të tilla. Me ndihmën e RTS-it kanë arritur atë që donin. Atyre nuk iu duhet një Serbi e re, por detyrimi i të gjithë atyre që mendojnë ndryshe të largohen. Eksodi i intelektualëve nuk ka të ndalur. Më nuk ka mbetur as një kundërshtar i mentalitetit fashist që është instaluar në pushtet. Rinia nuk e duron totalitarizmin dhe po ikën ditë e natë. Ikin nga çdo rast i rekrutimit, sepse nuk duan të vriten kot. Askush nga ky pushtet nuk mendon për amnistinë e atyre që kanë ikur, sepse ashtu ka dashur vet pushteti politik që shihet edhe sot e gjithë ditën”.