eksperti ad

Kombëtarja e Paraguait është kualifikuar tutje në Kupën e Botës, pasi eliminoi Gjermaninë pas ekzekutimit të penalltive në raundin e 1/16 së finales. Koha e rregullt dhe vazhdimet përfunduan me rezultatin 1:1, ndërsa paraguajanët treguan më shumë qetësi nga pika e bardhë.

Gjermania e nisi ndeshjen në mënyrë shumë ofensive. Trajneri Julian Nagelsmann vendosi të luante me dy sulmues, duke e pozicionuar Kai Havertzin në rolin e "dhjetëshit", ndërsa Deniz Undav ishte pika më e avancuar e sulmit.


Që nga minuta e parë, gjermanët ushtruan presion të madh mbi kundërshtarin. Paraguai u detyrua të mbrohej për pjesën më të madhe të pjesës së parë, i vendosur rreth 30 metra larg portës së tij. Megjithatë, dominimi i Gjermanisë nuk u shoqërua me raste të pastra shënimi, pasi paraguajanët u mbrojtën me disiplinë, duke ndërprerë aksionet me faulle taktike dhe ndërhyrje të sakta.

telegrafi.com

Surpriza erdhi në minutën e 42-të. Në një nga daljet e rralla në gjysmën e fushës gjermane, Mathias Galarza krosoi nga krahu i djathtë, ndërsa Julio Enciso u gjend i pambuluar në zonë dhe me një goditje të saktë me kokë mposhti portierin gjerman për rezultatin 1:0.

Gjermania reagoi në pjesën e dytë dhe gjeti golin e barazimit në minutën e 54-të. Pas një tjetër aksioni nga krahët, Florian Wirtz tentoi drejt portës, ndërsa Kai Havertz devijoi topin me kokë në shtyllën e parë, duke e dërguar në rrjetë për 1:1.

Pavarësisht përpjekjeve të të dyja skuadrave, rezultati mbeti i pandryshuar edhe pas 120 minutave lojë dhe fituesi u vendos nga penalltitë.

Nga pika e bardhë, paraguajanët u treguan më të saktë dhe shkaktuan një nga surprizat më të mëdha të këtij Botërori, duke eliminuar një prej favoritëve për trofeun me rezultat 3-4.

Me këtë fitore, Paraguai siguroi një vend në 1/8 e finales, ku do të përballet me fituesin e duelit mes Francës dhe Suedisë. /Telegrafi/

telegrafi sport app