LAJMI I FUNDIT:

Paqartësia e Bankave Qendrore shkakton tronditje në bursa

Paqartësia e Bankave Qendrore shkakton tronditje në bursa

Shitjet nën panik në titujt e borxhit dhe bursat globale kanë vazhduar në fillim të kësaj jave, ndërkohë që lëndët e para kanë rënë gjithashtu, për shkak të shqetësimeve se bankat qendrore të ekonomive më të mëdha në botë po vënë në dyshim përfitimet nga politikat lehtësuese monetare.

Titujt e kapitalit në Europë dhe Azi kanë rënë ndjeshëm, apo në nivelin që treguan kur Britania doli nga Bashkimi Europian më 23-24 Qershor. Tregjet financiare janë tronditur nga periudha e qetësisë, nga një rritje e shqetësimeve mbi perspektivën e politikave të bankave qendrore.


Zyrtarët e Rezervës Federale shtuan gjatë javës së kaluar mundësitë për një rritje të normave të interesit, duke thënë se ekonomia e Shteteve të Bashkuara mund të mbinxehet nëse pritet shumë për vazhdimin e ciklit tkurrës.
Nga ana tjetër, Banka Qendrore Europiane dhe Banka e Japonisë mund të ngadalësojnë përpjekjet për lehtësim monetar, duke parë dhe rezultatin e këtyre politikave deri më tani.

Humbjet e përmbledhura ishin këto; Indeksi europian me 600 kompani të listuara humbi 1.8% në hapje të sesionit tregtar. Indeksi i Azisë së paqësorit MSCI ra me 2%, duke i kryesuar humbjet prodhuesit e lëndëve të para.

Samsung humbi 7% në bursën e Koresë së Jugut, si pasojë e defekteve me produktin e ri Galaxy Note 7. Në titujt e borxhit të Eurozonës, ato të Portugalisë kryesuan humbësit, ndërsa yield-et e titujve gjerman të borxhit u rritën në 0.04%, niveli më i lartë që prej Brexit. Çmimi me normën e kthimit në titujt e borxhit lëviz në mënyrë të zhdrejtë.

Nafta ra në rreth 45$ për fuçi, ndërsa në tregun valutor, jeni është fuqizuar ndjeshëm dhe valuta e Koresë së Jugut ra me 1.4%. Është diçka e zakontë që jeni japonez dhe ari të rriten në një kohë të trazirave globale, duke përbërë një mundësi për ata që e parashikojnë. /Telegrafi/