LAJMI I FUNDIT:

Panairi i Librit në Tiranë dhe vështirësitë e botuesve

Panairi i Librit në Tiranë dhe vështirësitë e botuesve

Panairi i Librit në Tiranë u hap paraditen e së mërkurës. Aty janë ekspozuar rreth 200 tituj të rinj nga 100 ente botuese. Në edicionin e 21-të nuk mungojnë edhe qindra tituj të zgjedhur të ribotuar nga letërsia shqipe dhe ajo botërore. Botuesit dhe studiuesit e konsiderojnë Panairin si mundësi më të mirë për të takuar lexuesin.

Botuesja e “Pegit”, Loreta Berhami, ka shprehur shqetësimin për mbylljen e librarive.


“Trendi i mbylljes së librarive nuk është një trend që i përket vetëm Shqipërisë; nëpër botë është edhe më i përhapur. Janë bërë qiratë më të shtrenjta.”, tha Berhami, duke folur edhe për probleme të tjera: “Do ishte mirë që të kishte më shumë autorë që flisnin. Autorë shqiptarë ka. Për autorët e huaj janë problem fondet. Të sjellësh një autor të huaj në Shqipëri për një apo dy ditë është një ndërmarrje e shtrenjtë”, tha Berhami.

Studiuesi i njohur Xhevat Lloshi, shton: “Librat nuk i bëjmë për t’i lënë nëpër rafte. Për të rinjtë ka shumë rëndësi që t’u kundërvihen statistikave se një milion shqiptarë nuk lexojnë. Hapi i parë është organizimi i këtij panairi. Libri ka nevojë për reklamë. Panairi është reklama më e mirë”.

Edhe këtë vit panairit do t`i mungojë prezenca e emrave të mëdhenj të letërsisë shqiptare dhe asaj të huaj. Botuesit thonë se për t`i ftuar ata në këtë ngjarje të rëndësishme kulturore nevojiten shuma të mëdha parash. Ndërsa, surpriza e tij viti mbetet vepra e Ismail Kadaresë, “Kur sunduesit grinden”, për të cilën do të jetë i pranishëm edhe vet shkrimtari në ditën e premte, në ora 11.00.

Nga tradita e letërsisë shqipe në këtë panair botohet për herë të parë “Hekuri dhe Çeliku” i Mitrush Kutelit, themeluesit të prozës shqiptare, i shkruar në të njëjtin vit që ai u nda nga jeta, më 1967. Me këtë rast, Atalanta Pasko, e bija e Mitrush Kutelit, u shpreh se “ka rëndësi shumë të madhe se një botues ka drejtpërdrejt lexuesin dhe njihet me kërkesat edhe shijet e tij, pa librarin”. “Është shumë i rëndësishëm ky kontakt. Këtu vijnë ata që lexojnë. S’mund të them për ata që nuk vijnë këtu se nuk kam nga t’i dijë. Ka që janë të prirur drejt figurës më shumë, sesa brendisë. Por, lexuesi duhet që të respektohet për kërkesat që e ka. Ne këtë vit nga Kuteli sjellim një tregim të vogël, që është tregimi i fundit që ai ka pasur në dorë, nga punët e veta”, tha Pasko.

Ndërsa, botuesi Luan Pengili ka shprehur shqetësimin për përcjelljen e librit artistik tek lexuesi. “Libri artistik është shumë delikat. Ka vështirësi në fonde dhe gjithçka, prandaj duhet respektuar sa më tepër”, tha ai.

Edicioni i 21-të i librit do të mbyllet në datë 18 nëntor. Shumë dashamirës të librit kanë vizituar që në orët e para stendat e panairit. Përgjatë pesë ditëve të panairit, botuesit dhe autorët e librave të rinj do të zhvillojnë rreth 50 aktivitete, që kanë në qendër temën e leximit, duke mos lënë mënjanë takimet me lexuesin. /Shqiptarja/