LAJMI I FUNDIT:

Pamfleti i Enver Hoxhës, për “rolin e pabesë” të revizionizmit jugosllav

Pamfleti i Enver Hoxhës, për “rolin e pabesë” të revizionizmit jugosllav
Undated picture showig Albanain head of State Enver Hoxha during a political meeting. (Photo by - / AFP) (Photo credit should read -/AFP via Getty Images)

Nga: Joze Pirjevec

Me gjithë favorin e madh që Tito u bëri sovjetikëve me njohjen e RDGj-së, ata nuk e trajtuan atë me kujdesin e duhur. Ende pa kaluar dy javë, pas vendimit të tij për të injoruar “doktrinën” e Hallsteinit, Hrushovi, papritmas, për shkak të “shkeljes së parimeve të Leninit në ushtrinë sovjetike”, shkarkoi mareshalin e famshëm G. K. Zhukov, i cili në vitin 1945 kishte pushtuar Berlinin, dhe pas lufte kishte qenë ministri sovjetik i Mbrojtjes. Ai gjithashtu kishte qenë një nga bashkëpunëtorët e tij kryesorë që e kishte ndihmuar të ngrihej në pushtet, pasi ai kishte luajtur një rol vendimtar si në vrasjen e Berias ashtu edhe në shkatërrimin e fundit të “grupit antiparti”. Madje, ishte folur për një “ekip Hrushov-Zhukov”, që mendohej të kontrollonte arenën politike të Moskës, me jugosllavët që e aprovonin një mundësi të tillë, pasi ata llogarisnin se mareshali sovjetik do të ndikonte pozitivisht te Hrushovi i paparashikueshëm. Edhe në takimin me Titon në Bukuresht, ai tha se, “nëse Zhukovi do të përkrahte Molotovin dhe Malenkovin, do të këndonin zogj të tjerë”.

Dy muaj më vonë ai e shkarkoi atë, para se ai të kthehej në atdhe, pas një vizite zyrtare në Jugosllavi dhe Shqipëri. Fakti që ai e dërgoi ministrin në Beograd, sepse donte të përgatiste terrenin, si në ushtri edhe në parti, për “likuidimin” e tij, si dhe fakti që e shkarkoi ndërsa ai po fluturonte nga kryeqyteti jugosllav për në Moskë, u prit me indinjatë. Ishte e qartë se Hrushovi kërkoi të forconte pozitën dhe pushtetin e tij, duke e shfrytëzuar dhe keqpërdorur atë. Në të njëjtën kohë, me këtë shuplakë diplomatike në Moskë doli edhe një pamflet prej 100.000 kopjesh, i shkruar përsëri nga Enver Hoxha, ku ai sulmonte “rolin e pabesë” të revizionizmit jugosllav. Këto goditje të ulëta dhe të papritura nga Kremlini i detyruan liderët jugosllavë që ta rishqyrtojnë politikën e tyre të jashtme. Kardelin madje e dërguan në Greqi për të hyrë në kontakt me qeverinë e Athinës që, nëse do të ishte e nevojshme, si guri i fundit, të ringjallej pakti i Ballkanit.

Tri ditë pas publikimit të pamfletit të Hoxhës, më 29 tetor 1957 u sëmur Tito, me “dhimbje të forta mesi”, në mënyrë që ai të mos merrte pjesë në Konferencën e Moskës të partive komuniste të mbarë botës, të organizuar me rastin e 40-vjetorit të “Revolucionit të Madh Socialist të Tetorit”. Në konferencë ishte e ftuar gjithashtu edhe LKJ, por udhëheqësit e saj, me kujdes i kërkuan Moskës, së pari t’u shpjegojë se si do të organizohej. “Na është thënë”, thotë Kardeli, “se në të vërtetë do të jetë vetëm një konsultim mbi format dhe përvojat e veprimeve, por, nëse përgatitet dhe miratohet një dokument publik, ai do të jetë brenda linjës së paqes dhe bashkëjetesës.”

Kur në tetor arriti dokumenti me materialin bazë, doli se sovjetikët insistonin tek interpretimi dogmatik i solidaritetit socialist, si dhe forcimi i kampit të udhëhequr nga Bashkimi Sovjetik. Sidoqoftë, kjo për jugosllavët ishte e papranueshme. Tito i tha gjeneralit Milan Zhezhel, komandantit të rojës së tij: “Ne duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm. Nuk do t’i lejojmë as rusët dhe as perëndimorët që të përfitojnë nga ne. Ne duhet të vazhdojmë të ndjekim politikën tonë të pavarur. Vetëm në këtë mënyrë mund ta ruajmë reputacionin që kemi fituar në botë. Perëndimi mund të përfitonte nga kjo, dhe aty ata thonë se rusët na kanë tërhequr në kampin e tyre lindor. Unë as i vdekur nuk dua të shkoj në kamp”.

Në festimet e organizuara nga 3-19 nëntor 1957, delegacioni jugosllav kryesohej nga Kardeli dhe Rankoviqi, gjë që e mërziti shumë Hrushovin, pasi ai planifikoi që të dilte para publikut me Titon dhe Mao Ce Dunin, të ulur përkatësisht në të majtë e të djathtë të tij. Ai synonte që këtë mundësi ta shfrytëzonte për të thirrur një “konsultë të partive komuniste, si dhe të atyre punëtore të shteteve socialiste”, me të cilën, pas katastrofës hungareze donte të rivendoste udhëheqjen e PKBS-së në krye të të gjithave, si dhe ta mbyllte atë me një deklaratë të përbashkët, ku të konfirmonin parimin thelbësor “zhvillimi socialist”, ashtu siç diktohej nga përvoja sovjetike. Ai u përpoq ta bindte Kardelin që ta ndryshonte qëndrimin e tij dhe, pikërisht për këtë qëllim, e ftoi delegacionin jugosllav për një darkë jashtë Moskës. Patën një debat të nxehtë, ku Hrushovi i kritikoi jugosllavët që refuzuan ta nënshkruanin deklaratën, sepse ata kishin frikë të mërzisnin amerikanët:

“Keni nevojë për ndihmën amerikane, keni nevojë për grurë, ju e keni harruar marksizmin … Ju po largoheni nga socializmi, nëse ende nuk e keni lënë atë. Menduam se në Bukuresht ne u morëm vesh për gjithçka. Tani po shoh që i kam bërë keq llogaritë. Kam frikë të dal para popullit sovjetik dhe partisë dhe t’iu them sinqerisht se jugosllavët në Bukuresht më mashtruan”.

Sipas mendimit të 12 delegacioneve të tjera që nënshkruan deklaratën, arsyet e qëndrimit jugosllav duhen kërkuar te bindja e tyre, gjithashtu te bindjet e huaja të gabuara për marksizëm-leninizmin, në lidhje me marrëdhëniet e superfuqive në botë, si dhe te nënvlerësimi i rreziqeve të imperializmit, veçanërisht atij amerikan. Teza jugosllave se ekzistenca e dy blloqeve ushtarake shërben si rregullator i tensionit ndërkombëtar nuk është e pranueshme, pasi Traktati i Varshavës shërben për të mbrojtur arritjet e socializmit dhe, për këtë arsye, është një faktor thelbësor në ruajtjen e paqes; NATO është një mjet për të provokuar konfliktet imperialiste. Është e qartë, kështu thanë ata, se ‘shokët’ jugosllavë, kur vlerësojnë ngjarjet ndërkombëtare nuk nisen nga pozicionet e klasave.

Koncepti i tyre i bashkëjetesës paqësore devijon nga parimet leniniste, sepse nuk merr në konsideratë domosdoshmërinë e angazhimit ideologjik. Jugosllavët mendojnë se forcat socialiste në botë janë të fuqishme dhe se, për këtë arsye, nuk kanë pse të organizohen për fitoren e kampit. Kjo do të thotë se ata, me kundërshtimin e doktrinës marksiste-leniniste dhe të nevojës për një luftë të bashkërenduar, ia kanë lënë gjithçka spontanitetit të lëvizjes punëtore. Jugosllavët duan të ulen në dy karrige, por këtë gjë ata e mohojnë; për më tepër, ata dëmtojnë armën më të rëndësishme në dispozicion të klasës punëtore ndërkombëtare. Së bashku me delegatët e 63 partive të tjera komuniste apo partive të punës, të pranishme në Moskë, më 19 nëntor jugosllavët nënshkruan Manifestin e Paqes, i cili natyrisht që nuk i kënaqi sovjetikët.

Me këtë rast, Kardeli mbajti një fjalim, me të cilin mori miratimin e përgjithshëm, por, duke marrë presionin e ushtruar ndaj tij nga Hrushovi ditët e mëparshme, ky miratim nuk e ngushëlloi. Psikologjikisht ai ishte aq i rraskapitur, sa gjatë kthimit për në atdhe, afër Budapestit, i ra të fikët. Nga Moska ai u kthye me humor shumë të keq, por shumë i vendosur për të vazhduar me implementimin e mendimeve të tij politike. Për këtë ai mori edhe konfirmimin nga Plenumi IX i KQ të PKJ-së, i cili u mblodh në Brion më 7 dhjetor 1957. Pjesëmarrësit miratuan njëzëri qëndrimin e delegacionit jugosllav, ku ata gjithashtu theksuan se mendimet e ndryshme nuk duhet të jenë pengesë për “bashkëpunimin vëllazëror” mes partive dhe vendeve komuniste. Por kjo gjë ishte më e lehtë për t’u thënë sesa për t’u realizuar. /Libri “Tito dhe Shokët”, botuar në shqip nga Botart/