LAJMI I FUNDIT:

Më pak se 20 për qind e bizneseve në Shqipëri kërkuan ristrukturimin e kredive bankare

Më pak se 20 për qind e bizneseve në Shqipëri kërkuan ristrukturimin e kredive bankare

Më pak se 20 për qind e bizneseve kredimarrëse në sektorin bankar kanë kërkuar ristrukturimin e kreidve bankare pas shpërthimit të pandemisë COVID-19.

Banka e Shqipërisë ka kryer një anketë me nëntë banka tregtare, si pjesë e vjrotimit periodik të aktivitetit kreditues.

Synimi i saj ishte mbledhja e opinionit të sektorit bankar mbi ndikimin e pandemisë në financat e bizneseve kredimarrëse në banka, si edhe mbi efektivitetin e pritur të instrumenteve të ndryshme për nxitjen e kreditimit.

Tetë prej nëntë bankave që morën pjesë në pyetësor, të cilat zotërojnë rreth 72 për qind të totalit të kredisë akorduar bizneseve, raportuan se pjesa e klientëve të tyre të cilit kishin nevojë për ristrukturim, apo kishin ristrukturuar kreditë aktuale, luhatet në intervalin deri në 20 për qind. Vetëm një bankë u shpreh se klientët e saj që kishin nevojë për të ristrukturuar kreditë aktuale luhateshin në intervalin 21 për qind deri 40 për qind.

Megjithatë, përtej kërkesave të bizneseve për ristrukturim, bankat vlerësojnë se impakti i krizës në të ardhurat e sipërmarrjes ka qenë i konsiderueshëm.

Sipas opinionit të shumicës bankave të pyetura, pandemia ka pasur një ndikim negativ në të ardhurat e rreth 40 për qind deri në 60 për qind të bizneseve kredimarrëse.

Sipas Bankës së Shqipërisë, në tremujorin e tretë kredia për biznese është rritur me 6.9 për qind krahasuar me një vit më parë, normë kjo 0.4 pikë përqindje më e ulët se një tremujor më parë. Ky ngadalësim pasqyroi frenimin e kredisë për likuiditet dhe ilustron përmirësimin e të ardhurave dhe flukseve financiare të bizneseve në këtë periudhë.

Ndërkohë, kredia për investime ka shfaqur performancën më të mirë, me një rritje prej 8.8 për qind. Kushtet e favorshme monetare dhe avantazhet e ofruara nga skemat e prezantuara nga qeveria kanë ndihmuar si kredinë për biznese ashtu edhe individët.

Sipas opinionit të bankave, faktori më i rëndësishëm që pritet të përcaktojë ecurinë e kredisë në të ardhmen është performanca e treguesve makroekonomikë, e lidhur kryesisht me ecurinë e sektorëve specifikë të ekonomisë.

Rëndësia e këtij faktori vlerësohet në nivelin 4.4 nga një maksimum prej 5. Po ashtu, politikat mbështetëse ekonomike janë vlerësuar si faktor i rëndësishëm për zhvillimet në tregun e kredisë.

Bankat gjykuan se faktori më pak i rëndësishëm ndër ta, ishte ai i lidhur me ecurinë e kredive me probleme apo shëndetin e bilancit të vetë bankave. Mesatarisht, ky faktor u vlerësua i një rëndësie prej 2.9, duke sugjeruar se bankat nuk e shohin bilancin e tyre si faktor pengues në kreditim. /Monitor/