LAJMI I FUNDIT:

Pak më shumë moral, madje edhe në politikë!

Kreativiteti dhe fleksibiliteti: Serbia dhe “ postierët “ e Valdete Dakës, të quajtur OSBE, po organizojnë zgjedhjet lokale në veri të Kosovës, apo siç është legalizuar ndërkombëtarisht (neve edhe ashtu nuk na pyet kush për asgjë) në komunat me shumicë serbe! Nëse thoni komunat me shumicë, serbe atëherë mund të llogarisni në përkrahje ndërkombëtare apo, së paku në një buzëqeshje impresive dhe impozante të baroneshës Ashton, në ndërkohë që puthjet janë të ndara vetëm për dy bukuroshët e Ballkanit, Thaçin dhe Daçiqin.

Këta kanë ekskluzivitet për kissat e baroneshës Ashton. Të tjerët, apo vdekatarët e zakonshëm në mesin e të cilëve jam edhe unë, vetëm mund të ëndërrojmë të jenë në një perimetër 100 metërsh afër baroneshës, ndërsa për puthje mund të shpresojnë vetëm në kushte të fatamorganës, e që nënkupton që edhe mund të shpresohet, sepse në Kosovë në temperaturat 38-40 shkallë celsius dhe me furnizim të rregullt me ujë prej katër orëve brenda 24 orëve, fatamorganën e keni në prag të derës! Mos edhe brenda në shtëpi!


Në fakt, nëse nuk më është ndryshuar dioptria, e kam parë baroneshën duke i çokur faqet edhe me një kryeministër që nënkupton devalvimin e puthjeve në masë të madhe. Cili është ky njeri me fat të mirë apo me fat pak më të mirë nuk po ua them emrin, sepse… sepse?! Po definitivisht puthjet e baroneshës për zotin Thaçi po dalin të jenë puthje të Judës para kryqëzimit të Krishtit! Nuk ka gjasa të ndodhë ndryshe! Për Daçiqin është tjetër tregim. Atij vetëm sa po i trashen faqet edhe ashtu të fryra! Me Daçiqin Serbia po bëhet bashkëpronare e Kosovës pa qenë e detyruar të paguajë tatim në pronë. Faturat po i paguan Kosova dhe askush tjetër!

Nuk ka logjikë në një shtet edhe gjysmënormal që shteti që ka disponim armiqësor të jetë përcaktues për zhvillimin e proceseve politike apo organizimin e zgjedhjeve, siç po bën Serbia në Kosovë! Apo që postierët e Valdete Dakës të punësuar në OSBE të organizojnë zgjedhje vetëm në një pjesë të territorit të Kosovës. Faktikisht kjo nënkupton kontestimin e sovranitetit të pushtetit në atë pjesë të okupuar të Kosovës edhe nga Serbia, edhe nga OSBE, por edhe nga Brukseli dhe Uashingtoni!

Na kanë zënë ngushtë që na ka avulluar truri dhe këtë na kanë ambalazhuar si integrim të veriut, që do të thotë se po bëjnë përpjekje ta shesin m…n për mjaltë! Dikush kështu edhe po e blenë! Ia pafshin hajrin!

Pse postierët e Valdete Dakës nuk po lehtësojnë (organizojnë) zgjedhje për shqiptarët në Luginën e Preshevës?! Nëse ju, mozomakeq në fjalorin tuaj përdorni termin komunat me shumicë shqiptare në Kosovë (e të tilla janë pjesa dërrmuese e komunave në Kosovë), menjëherë do të akuzoheni se jeni kundër Kosovës multietnike, se jeni nacionalist i përbetuar, se jeni kundër marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim, se jeni kundër liberalizimit të vizave dhe proceseve tjera integruese në BE, NATO dhe anëtarësim në OKB! Duhet ta pranoni se të qenit udhëheqës i al-Qaedes duket të jetë kompliment krahasuar me akuzat e mësipërme! Prandaj, edhe është vështirë, mos të them e pamundur t’u rezistosh këtyre temperaturave që po e shkrijnë edhe çelikun dhe, rrjedhimisht, është normale që po bëhemi qull apo po ndahemi të lagur! Qoftë nga djersitja, nga fërkimet dhe presioni, apo thjesht mbase nuk po na mbanë, po i lagim tëlinjat! Apo brekët, siç po thonë këta që po e shëtisin Evropën!

Kosova gjithmonë ka pasur problem me krijimin e elitave intelektuale të vërteta, sepse elitat e vërteta intelektuale njëkohësisht janë edhe elita kombëtare! Në kohën e Titos intelektualët i kanë shërbyer Jugosllavisë dhe socializmit vetëqeverisës, ndërsa kanë luftuar pa kompromis nacionalistët dhe irredentistët shqiptarë! Ata “intelektualë” apo mbetjet e tyre sot janë pjesa “kreative” e kabinetit të presidentes Jahjaga, bashkëpunëtorë shumë të ngushtë dhe të besueshëm të kryeministrit Thaçi dhe disa ministra që dikur kishin reputacionin e një kombëtari! Apo të disa politikanëve opozitarë!

Besoni se sot është shumë vështirë ta deklaroni përcaktimin kombëtar, sipas vullnetit të lirë! Është rrethanë rënduese për karrierë dhe për një vend pune nëse thoni se keni qeni ish i burgosur politik apo, mos e dhashtë Zoti, se dëshironi bashkimin kombëtar. Bashkimi kombëtar tash ka derivuar në Republikë të Tretë. Siç kemi filluar, do të bëjmë republika më shumë se vet Franca e njohur për republikanizëm!

Njerëzit kreativë ofrojnë zgjidhje kreative. Sikur për dukjen e fletëvotimeve për zgjedhjet lokale në komunat me shumicë serbe! Për hir të kreativitetit lejohet të hiqen edhe kokat! Në fund të fundit, ç’vlerë ka koka e bukur dhe e mençur e Fadil Malokut përballë një ideje kreative të Lulezezës që ka luajtur valle para humanistit me përmasa botërore, siç ishte Moamer Gadafi?! Apo patriotit më të madh shqiptar të të gjitha kohërave, që nga Sulltan Pekmezi e deri te Sapmurat Nazarbajev, siç ishte dhe është Gjet Macolli, pjesa më e bukur udhëheqjes së kooperativës politike të quajtur AKR.

Realisht, koka që fluturon nuk llogaritet më se është bartëse e ideve kreative, sepse ajo mbetet peng dhe faturë e mbrojtjes së parimeve! E, këta intelektualët e dikurshëm, këlyshë të Titos dhe Rrahman Morinës, të sistemuar në sofrat e Jahjagës dhe Hashim Thaçit, nuk kanë parime në jetë, prandaj nuk kanë obligim t’i mbrojnë ato. Ata vetëm ofrojnë ide kreative dhe lëpijnë pjatat e atyre që i ushqejnë.

Dikur ishin pjatat e emajluara të Emos nga Celje, tash janë nga porcelani fine kinez i dinastisë Ming! Por, definitivisht, injorantët mbesin injorantë tërë jetën e tyre dhe të pafytyrët mbesin të pafytyrë! Mosha e tyre dhe zgjatja e rrogtarllëkut vetëm sa ua trashë lëkurën, prandaj edhe nuk e kanë ndjenjën e turpit. Nuk skuqen fare! Për kah jetëgjatësia politike, janë elefantë, lëkurën e kanë si të buallit, stilin e ecjes e kanë si zvarranikët (krokodili, gjarpri, hardhucat etj.), grykësinë e kanë si gjirafës (fyti i gjatë dhe i thellë), kafshojnë si hienat, kundërmojnë si qelbësit dhe besnikërinë e kanë si të qenit që u shërben të gjithë atyre që ua mbushin pjatat! Si rregull, në fund të tregimit ata gjithmonë e kafshojnë bëmirësin e tyre!

As Kosova nuk mund të jetë përjashtim. Fletëvotimet do të jenë ashtu si do Serbia dhe nëse u shkon mendja, në vend të logos së Republikës së Dytë të Kosovës do të vendosin logon e Car Dushanit. Ne nuk guxojmë të kundërshtojmë.

Fadil Maloku si kokë turku mbeti pa kokë duke u ekzekutuar nga një femër biologjike dhe një mashkull biologjik me hormone dhe qëndrim prej femre! Ndërsa, lehtësuesit apo postierët e OSBE-së do ta pranojnë pa problem! Interesant, shumë interesant, por neve nënën na kanë shkërdhyer më së shumti pikërisht lehtësuesit. Që nga UNMIK-u e deri te postierët e Valdetes! E kam një lutje për lehtësusuesit: mos na lehtësoni më shumë, po na shaloni burrërisht dhe egërsisht. Edhe ashtu gjithmonë po ndahemi të…!

Kush do t’i fitojë zgjedhjet lokale: Ka qenë si rregull se fituesi i zgjedhjeve lokale i ka fituar edhe ato të mëdhatë. Janë bërë shumë gjëra që nuk përkojnë me rregullat demokratike dhe ligjin, vetëm për t’i fituar zgjedhjet! Fillimisht, ato zgjedhje janë pranuar nga BE, duke deklaruar se janë në përputhje me standardet ndërkombëtare, e pastaj, kur është dashur të bëhet presion mbi të zgjedhurit, është “zbuluar Amerika“ duke deklaruar se ato zgjedhje kanë qenë të manipuluara dhe me vjedhje industriale të votave!

Ne në Kosovë jemi mësuar me hajni dhe vjedhje të zakonshme dhe nuk kemi ditur çka është vjedhja industriale. Ka dalë një Kuvend me të cilin “krenohet Kosova”, por turpërohet inteligjenca e njeriut dhe demokracia! Por, koha dhe proceset në të cilat po kalon Kosova i ka dhënë kompetencë dhe nur injorantëve të të gjitha partive politike dhe komuniteteve. Që nënkupton edhe Kosovës, pasi Kosova është edhe ashtu shtet i të gjitha komuniteteve që jetojnë aty!

Edhe tash zgjedhjet lokale do të jenë tregues për zgjedhjet e përgjithshme. Mendoj se në aspektin strategjik, fitues i zgjedhjeve lokale, por edhe të përgjithshme, do të jetë ai subjekt politik i cili do ta kthejë moralin në politik dhe i cili dinjitetin do ta ketë para interesit personal. Si model për zgjedhjet lokale do ta propozoja Rufki Sumën, kryetar të Hanit të Elezit, i cili mishëron në vete përkushtimin, moralin, dinjitetin, njerëzoren dhe kombëtaren. Rufki Suma është e kundërta e këtyre grykësve të pangopshëm, të cilët ndonëse kapen me pelë për dore nuk i lëshojnë postet e tyre deri sa “gjyqi ta thotë fjalën e vet përfundimtare”. Prandaj, edhe thashë se zgjedhjet do t’i fitojë ai ose ata që vlerat morale i kanë mbi detyrimin ligjor.

Në këtë kontekst mendoj se shumica e subjekteve garuese në zgjedhje, sidomos për zgjedhje të përgjithshme, duhet t’i përmirësojnë apo më mirë të them pastrojnë listat e tyre zgjedhore, duke e bërë dekriminalizimin e tyre moral, njerëzor, kombëtar dhe politik! Nuk paraqet rrezik aq të madh lista zgjedhore që ka të vdekur në të, por lista e të gjallëve që me veprimet e tyre kanë vdekur për së gjalli! Kjo listë prodhon deputetë sikur në legjislaturën aktuale, dhe për Kosovën do të ishte më mirë dhe më e përballueshme sfida me një fatkeqësi natyrore të përmasave të mëdha, se një legjislaturë e ngjashme me këtë që e kemi sot! Sepse, natyra tregohet e mëshirshme kurse njeriu i liruar prej të gjithë skrupujve nuk di për mëshirën!

Deri më tani nuk po shoh ndonjë ndryshim të madh apo përpjekje të rikthimit të moralit edhe në politikë. Prandaj, edhe është një dyngjyrësh: bardh e zi. Po riciklohen të vdekurit nga Varrezat e Elefantëve, në mungesë të kandidatëve tjerë! Po bëhen kalkulime për të ruajtur apo grabitur pushtetin, e jo për të ndërtuar shtetin! Po duket se as ata që ndihmuan në lindjen dhe krijimin e shtetit të Kosovës, nuk janë të interesuar për forcimin e tij. Madje, po e rrënojnë atë. Këta i kanë vetëm dy qëllime;

1. Ose po duan të na lidhin shumë me Serbinë duke na detyruar të bisedojmë me të për çështje ekskluzivisht të brendshme të Kosovës;

2. Ose po duan të na bashkojnë me Shqipërinë, pasi që t’i kenë marrë një pjesë të territorit të Kosovës duke i dhënë Serbisë.

Nuk po shoh rrugë të tretë përmes së cilës Kosova do të forcohej si shtet duke siguruar integritetin territorial dhe duke shtrirë sovranitetin në tërë territorin e saj. Mëdyshjet rreth fletëvotimeve dhe përcaktimi që strukturave kriminale në veri t’u njihet e drejta për neutralitet përballë statusit të Kosovës, është çmendi e radhës të cilin po e paketojnë nën petkun e ideve kreative! Vërtetë, a jemi aq të marrë të gëlltisim këtë karrem që po na hedhin ndërkombëtarët së bashku me Serbinë?! Këtë grep me krimba të vendit! Dikush qartazi duket se këtë e merr si mençuri! Nëse është shkruar të bie viktimë e bukurisë dhe sharmit të zonjushës Etna dhe Monika Bellushit, kjo nuk nënkupton që duhet të jem viktimë e sharmit dhe mençurisë së Zezdita Tahririt, Gjet Macollit, Marko Jakshiqit dhe Zvonko Veselinovoqit! Përkundër temperaturave të larta dhe avullimit të trurit nuk e besoj se kam arritur ende këtë shkallë të çmendurisë!

Prandaj, votën time do ta ndajë për Sahit Plisin i cili, edhe para togut të pushkatimit, duke injoruar interesat personale, brohoriti për bashkimin kombëtar dhe Luginën e Preshevës! U sakrifikua për ideale në emër të cilave na kanë rrjepur disa politikanë deri në asht! Pra, për kryeministër të Kosovës votoj Sahit Plisin, ndërsa për zgjedhje lokale për Partinë e të Fortëve. Arsyetimi është se Sahit Plisi na bën të qeshim, ndërsa politikanët e sotit kryesisht na bëjnë të qajmë! Ndërkaq, Partia e të Fortëve po luan qoke me ne pa i fituar zgjedhjet, në kohën që partitë tjera po luajnë qoke me ne pasi po i fitojnë zgjedhjet! Po e vlerësoj thjesht sinqeritetin!