LAJMI I FUNDIT:

Pajaziti: Formimi i ushtrisë nuk duhet të nxisë zili te subjektet politike

Pajaziti: Formimi i ushtrisë nuk duhet të nxisë zili te subjektet politike

Deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti ka thënë se vendimi për shndërrimin e FSK-së në ushtri është parasegjithash vullnet i popullit të Kosovës.

Ai në emisionin “Dossier D” në RTV Dukagjini ka thënë se procesi i transformimit të FSK-së në ushtri duhet të ketë bashkërendim me partnerët tonë, pasi e njëjta ka ndodhë edhe kur është shndërruar UÇK-ja në TMK, apo TMK-ja në FSK.


“Bërja e ushtrisë nuk ka të bëjë me bisedimet aktuale me Serbinë, por ka të bëjë forcimin e sigurisë dhe stabilitetin e vendit dhe rajonit. Koordinimi është proces i domosdoshëm, edhe pse ndonjëherë bëhet ndonjë hap i ngutshëm”.

Bërja e ushtrisë sipas deputetit të PDK-së është diçka që patjetër duhet të ndodhë.

“Gjithçka që ka të bëj me interesin e vendit është e mirë, nuk ka vend për zili këtu, as me poena politikë, por ka të bëj me interesin e vendit”.

Deputeti i koalicionit qeveritar ka thënë se pengesa nga serbët ka pasur edhe në të kaluarën, por të gjithë e dinë se Ushtria e Kosovës është diçka që nuk mund të ndalet.

Duke folur për votimin në Parlamentin Evropian, pro liberalizimit të vizave Pajaziti ka thënë se brenda 3-4 muajve qytetarët edhe mund të lëvizin pa viza.

“Të gjitha vendet që kanë kaluar në këtë proces, pas votimit në Parlamentit Evropian kanë lëvizur pa viza pas 3-4 muajve”, deklaroi Pajaziti./Telegrafi/