Pa konsensus për presidentin, vendi rrezikon zgjedhje të reja

Procesi për zgjedhjen e presidentit të Kosovës po hyn në një fazë kritike, pasi takimet mes liderëve politikë nuk kanë prodhuar marrëveshje, duke rritur gjasat që vendi të shkojë drejt zgjedhjeve të reja.
Pas takimit pa rezultat të së hënës mes kryeministrit Albin Kurti dhe kreut të LDK-së Lumir Abdixhiku, të dy palët kanë konfirmuar dallime të thella për mënyrën e zgjedhjes së presidentit.
Abdixhiku ka deklaruar se nuk ka pasur zgjidhje, duke akuzuar Kurtin për insistim që posti i presidentit t’i takojë Lëvizjes Vetëvendosje.
“S’ka zgjidhje për presidentin. Kurti insistonte që posti t’i takojë LVV-së”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ai ka paralajmëruar edhe mundësinë e zgjedhjeve të reja, duke thënë se vendi duhet të përgatitet për këtë skenar.
“Duhet të bëhemi gati për skenarin e zgjedhjeve të reja dhe të jashtëzakonshme”, është shprehur ai.
Nga ana tjetër, Kurti ka zbuluar se i ka ofruar LDK-së një paketë të gjerë bashkëqeverisëse, por sipas tij këto oferta janë refuzuar.
“I ofrova postin e zëvendëskryeministrit, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe tri ministri të tjera”, ka thënë Kurti.
Ai ka shtuar se një tjetër ofertë ka qenë edhe pozita e kryetarit të Kuvendit për LDK-në, por pa sukses.
Pas dështimit të këtyre bisedimeve, Kurti ka bërë të ditur se ka kontaktuar edhe kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza.
“Para se të vija këtu i kam dërguar mesazh kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza dhe të shohim tash çka është e mundur që të ecim përpara”, ka deklaruar ai.
Megjithatë, ai ka theksuar se oferta e bërë për LDK-në nuk është e njëjtë për PDK-në.
“Propozimi ynë për bashkëqeverisje me LDK ka qenë ekskluziv për LDK-në”, është shprehur Kurti.
Këto zhvillime tregojnë se skena politike mbetet e fragmentuar dhe pa konsensus për zgjedhjen e kreut të shtetit, duke e afruar vendin drejt një krize institucionale.
Sipas afateve kushtetuese, më 28 prill përfundon afati i caktuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës për zgjedhjen e presidentit. Nëse ky proces nuk përmbyllet me sukses, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja brenda 45 ditëve.
Në këtë rast, nëse presidenti nuk zgjidhet deri më 28 qershor, zgjedhjet duhet të mbahen më së largu deri më 7 qershor.
Pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, subjektet politike nuk kanë arritur të gjejnë një konsensus për presidentin, ndërsa zhvillimet e fundit sinjalizojnë se vendi po shkon drejt një skenari të zgjedhjeve të jashtëzakonshme. /Telegrafi/
























































