LAJMI I FUNDIT:

Osmani rekordmen i Superligës

Osmani rekordmen i Superligës

Përparim Osmani vlerësohet ndër futbollistët e palodhshëm të Raiffeisen Superligës së Kosovës. Mbrojtësi i krahut të djathtë, në dy edicionet e fundit ka luajtur për tri skuadra të ndryshme dhe nuk ka fituar ndonjë trofe, por ajo që ka bërë ai në aspektin individual nuk është parë ndonjëherë, të paktën në Kosovë.

Osmani, 28-vjeçar, është rekordmen sa u përket paraqitjeve në Superligë gjatë dy edicioneve të fundit, meqë nuk ka munguar në asnjë ndeshje, shkruan sot “Koha Ditore”. Në dy edicionet e fundit ka 66 paraqitje në kampionat apo nga 33 paraqitje për edicion.


Para fillimit të edicionit 2014/15, Osmani luajti gjashtë muaj për Trepçën para se të transferohej në miniafatin kalimtar te skuadra e Dritës për gjashtë muaj të tjerë.

Te të dy këto skuadra ishte i pazëvendësueshëm në krahun e djathtë. Ndërsa para fillimit të edicionit 2015/16, u transferua te skuadra e Besës dhe vazhdoi me avazin e vjetër – duke mos munguar në asnjë ndeshje kampionale. Ai për këtë rekord ndihet krenar, edhe pse pranon se asnjëherë nuk e ka pasur një qëllim të tillë.

Osmani insiston se në fushë gjithmonë është futur për ta dhënë maksimumin nga vetja dhe për ta ndihmuar ekipin të nxjerrë rezultat pozitiv. Thotë se në asnjërën prej këtyre 66 paraqitjeve në dy edicionet e fundit nuk e ka kursyer veten.