LAJMI I FUNDIT:

Ose të bashkuar ose shkuam të gjithë!

Ose të bashkuar ose shkuam të gjithë!

Rreshtat në vijim janë një përpjekje modeste për të pasqyruar nevojën tonë për njëri-tjetrin. Në fakt, këtu flitet edhe për Bashkësinë Islame të Kosovës, por gjithnjë duke mos identifikuar atë me sjelljet e lidershipit të saj.

Ekzistimi biologjik i njeriut është i kushtëzuar nga tri nevoja kryesore, pa minimumin e të cilave zor se mund të jetohet: ushqimi, veshmbathja dhe strehimi. Por, a është i mjaftueshëm vetëm ekzistimi biologjik që një njeri të quhet njeri?


Përgjigjen në këtë pyetje e kanë dhënë studimet e shumta që janë bërë prej antropologëve, dijetarëve, psikologëve posaçërisht nga teologët dhe filozofët.

Njeriu është krijesa e vetme në natyrë që interesohet për më shumë se veç të është. Karshi instinktit për të jetuar, në karakterin e njeriut është i fiksuar edhe komponenti për të qenë fatbardhë. Fatbardhësia realizohet nëpërmes punës që bëjmë në të mirë të shoqërisë. Sa më shumë që njeriu të jetë i mirë dhe i dobishëm për shoqërinë, aq më shumë fatbardhësia trimëron karakterin e tij. Vendimi i Zotit që njeriun ta emërojë për zëvendës të vetin në Tokë, nuk erdhi nga nevoja e Zotit për zëvendës, por nga vullneti hyjnor që njeriu të dallohet nga qeniet tjera biologjike dhe të ngrihet lartë nivelit vetëm ekzistencial.

Zëvendësi i Zotit në tokë duhej të ishte diçka më shumë sesa veç të jetohej. Të nisur nga këtu, duke pranuar faktin se jeta është e mbushur me probleme e konflikte, në kuptimin e saj fenomenal, ajo para nesh prezanton harmonitë dhe disharmonitë e saj. Zëvendësi i Zotit ka për detyrë t’i qaset jetës seriozisht, sepse, ajo është e përbërë edhe nga e mira dhe e keqja si fakt esencial dhe i pashmangshëm i ekzistencës njerëzore.

Lufta kundër njeri-tjetrit tek ne zhvillohet në masë më të madhe se sa tek qeniet tjera. Nga ky kontekst, qëllimi i të qenit “zëvendës” është të veprohet mbi postulatin që objektiva e luftës morale të përqendrohet në përafrimin tonë, si dhe në mënjanimin e konflikteve mes njerëzve. Kjo ishte detyrë parësore e profetëve, duhet të jetë edhe jona.

Feja është institucion që kërkon të sillemi mirë me të gjithë. Duke marrë për bazë faktorët gjeografikë dhe shoqërorë që ndikojnë fuqishëm në formimin e personalitetit të njeriut, Islami zhvilloi një koncept specifik për kohën kur u paraqit. Ai, pasi pranoi faktin se shoqëria njerëzore është e përbërë nga kategori të racave, popujve, shteteve, fiseve mbase edhe familjeve, me një përkushtim të madh iu qas krijimit të një shoqërie të qëndrueshme, pikërisht mbi bazën e barabarësisë mes njerëzve. Fillimisht, doli me sentencën se këto kategori nuk duhet të klasifikohen si mure ndarëse apo si alibi për privilegje. Veprimi në bazë të principeve që funksionojnë konform ligjeve të natyrës dhe historisë, është kusht për të kuptuar filozofinë e historisë. Si pjesë përbërëse të një tërësie shoqërore, këto kategori përbëjnë fuqinë e kohezionit të cilit e porositë Zoti.

Kur Kurani komunikon me njeriun, në shumë raste atij i drejtohet me “O ju njerëz” e jo vetëm “O ju besimtarë”. Ajeti i 13 i kaptinës “Huxhuratë”, që flet për atë se jemi të një nëne dhe të një babai dhe se ndarja e gjinisë njerëzore në kategori të racave, popujve apo fiseve është për tu njohur e jo për privilegje, më vonë, nga Muhamedi a.s. do të interpretohet në mënyrë bravozore. Është e njohur hytbeja në haxhin lamtumirës. Të pranishmit u befasuan me paraqitjen e profetit i cili në vend se fjalimin i tij t’ia dedikonte vetëm besimtarëve myslimanë, siç edhe prisnin, ai, si për çudi, fjalimin e vet ia dedikoi tërë njerëzimit, pa bërë dallime mes feve, kombeve apo ideologjive të kohës. Duke folur mbi bazën e njerëzores, në atë fjalim u dha mesazhi i qartë se dallimi mes njerëzve shprehet nëpërmes devotshmërisë dhe veprave që i kryejnë ata.

Andaj, sot njerëzit e fesë si dhe institucionet që thirren në të, sikur edhe profetët më parë, janë të parët që duhet të luajnë rolin e përhapjes së vlerave për një jetë të përbashkët. Kombi jonë ka nevojë për njerëz që duke vënë fenë në shërbim të njeriut, thërrasin dhe punojnë për të mirën e vendit dhe shoqërisë. Sipas Islamit, e moralshme, përveç tjerash, është edhe dhënia e hakut çdo gjëje dhe secilit që e meriton. Shkelja e të drejtave si një akt i shëmtuar që më së paku duhej të ishte pjesë e veprimtarisë së njerëzve të fesë, nëpër kohë të ndryshme, ka shkaktuar pezëm tek masat dhe ka pasë raste kur këta të fundit, duke shikuar fenë nën llupën e veprimeve të njerëzve të fesë, për shkak të sjelljeve të papranueshme të tyre, fesë i janë larguar.

Përgjegjësia për këtë, sipas parimeve të Islamit do të bie mbi ta dhe do të përgjigjen para Zotit në Ditën e Gjykimit, ndërsa në këtë botë do të jetojnë të poshtëruar.

Mund të ketë ndodh që aty-këtu, udhëheqësit fetarë u gjetën në anën e padrejtësive ndaj punonjësve të vet. Shih për këtë arsye, kur jemi këtu, është mëse e domosdoshme të bëjmë dallimin mes Bashkësisë Islame si institucion dhe njerëzve që udhëheqin me të. Identifikimi i Bashkësinë Islame me kreun e saj dhe me njerëzit që i ka përreth, do të ishte vlerësim i gabuar. Edhe pse ndoshta hytbeja lamtumirëse e profetit qëndron e varur nëpër muret e zyrave ku punohet, disa nga ata harrojnë se mesazhi i dhënë në atë ligjëratë historike të Muhamedit a.s. ishte pikërisht lufta kundër diskriminimit, diferencimit, turpit dhe padrejtësisë nga njerëzve. Sipas Islamit, të gjithë njerëzit janë vëllezër, kanë një krijues, kanë një baba dhe vijnë prej një materie. Që të tri këto komponente janë tërësia e substratit të asaj që profeti i Zotit kishte proklamuar përbashkësinë vëllazërore mes njerëzve.

Nëse Islami përqendrohet mbi filozofinë e unitetit pa dallim feje, race, kombi, fisi e familje, atëherë si është e mundur të ndodhin këto ndasi në mes vet myslimanëve? Përse lidershipi i Bashkësisë Islame të Kosovës nuk punon më shumë në mënjanimin e këtyre diferencave të krijuara, ndoshta nga boshllëku i aktivitetit të tyre? Nuk mund të bindem se këta udhëheqës nuk dinë që fuqia dhe fama e tyre varet nga marrëdhëniet që i krijojnë mes njerëzve, jo vetëm të konfesionit islam, por edhe me gjithë bashkëkombësit tjerët?

Tkurrja në veprimtaritë që nuk përkojnë me dinamikat e jetës, përqendrimi në muhabete të thata më shumë se sa iniciativat e nevojshme për tu faktorizuar si institucion, Bashkësinë Islame të Kosovës e kanë sjellë në pozitë të rëndë. Mungesa e frymës tolerante brenda saj, si dhe toni i ashpër që del nga atje, Bashkësinë Islame e ka bërë një institucion të mbyllur në vetvete. Nuk është e tepërt të rikujtojmë momentin kur Aliu, halifeja i tretë, po dërgonte Malik bin Harisin në Egjipt, në shkresën kredenciale kishte shkruar: “Zemra jote le të jetë e mbushur me mëshirë dhe dashuri ndaj të gjithë qytetarëve, pa dallim feje. Bëhu i butë karshi tyre, me ta mos u sill sikur ashpër, kujdesu për dhimmitë si vëllezër sipas fesë, nëse janë myslimanë, ose për vëllezër sipas krijimit, nëse nuk janë myslimanë”.

Është për tu ardhur keq që kjo politikë e tanishme po ndikon negativisht në vetëdijen e edhe të rinisë shqiptare e cila shumë herë, dhe ndoshta pa vetëdije, po bie viktimë e politikave disa fytyrëshe. Ngurtësia në qëndrime, si dhe deklarimet e pamatura të kreut të tanishëm të Bashkësisë Islame të Kosovës se kinse pas vete ka ushtri me mijëra vetë, tek qytetarët e posaçërisht tek konfesionet tjera fetare mund të shkaktojë huti. Mashtrohet kreu i këtij institucioni kur thirret në numrin e imamëve, mujezinëve, xhematlinjëve dhe punonjësve të tjerë të Bashkësisë Islame se ata mbështetin politikat e tij të gabuara. Fjalët e aty-këtushme që dilnin nga goja e tij se është kundër ndërtimit të katedrales, në fakt ato fjalë thuheshin sa për të nxitur të rinjtë, por jo për të shprehur qëndrim të një institucioni fetar siç është Bashkësia Islame e Kosovës. Në vend të këtyre qëndrime, ata do të duhej të shkruanin se ka qytete, mbase edhe në botën islame ku numri i kishave, katedraleve dhe sinagogave është më i madh se në shumë qytete tjera të botës perëndimore. Nëse dëshirojnë t’i kontribuojnë kombit dhe shtetit, por edhe fesë islame, duhet të shpjegohet fakti se civilizimi islam asnjëherë nuk ishte përjashtues ndaj besimtarëve të feve tjera, aq më pak ndaj besimtarëve të vet, vetëm pse kishin qëndrime dhe botëkuptime ndryshme nga pushtetarët.

Është në interesin tonë të krijohen kushtet për një përbashkësi edhe më të madhe, më të fortë dhe më të qëndrueshme. Kjo është përgjegjësi e liderëve të bashkësive fetare tek shqiptarët, nëse ata vërtetë dëshirojnë të kryejnë detyrimet e feve që u përkasin dhe nëse vërtetë punojnë për interesat kombëtare.

Thellësisht jemi të bindur dhe paluhatshëm qëndrojmë prapa nevojës për marrëdhënie të qëndrueshme mes të gjithëve. Duhet të shfrytëzohet çdo rast dhe çdo rrethanë për të promovuar tolerancën mes nesh. Ka kohë që jemi duke thirrur të bëjmë përpjekje serioze për një frymë të re, e mbështetur në traditën islame dhe e ndihmuar nga idetë moderne përparimtare të kohës. Nëpër solemnitete tona fetare, si rasti i hapjeve të xhamive të reja, mund të ftohen edhe përfaqësues, priftërinjtë dhe punëtorë fetarë, e pse jo edhe qytetarë të feve tjera. Nëpërmes këtyre solemniteteve do të forcohet raporti gjithë kombëtar, por edhe dashuria mes nesh do të shtohet.

Lidershipi i tanishëm i Bashkësisë Islame duhet të kthjellohet. Ai duhet të kishte kuptuar se Bashkësisë Islame të Kosovës i nevojitet një udhëheqje e re me vizion të qartë e cila ka parasysh pikësëpari emrin e Allahut dhe interesin e njerëzve të këtij nënqielli.

Në trend

Më shumë
Arratiset Enver Sekiraqa, Policia ka informuar të gjitha vendkalimet kufitare

Arratiset Enver Sekiraqa, Policia ka informuar të gjitha vendkalimet kufitare

Drejtësi
Policët nepalez e ndaluan të riun, por mbetën pa fjalë kur ai u tregoi patentë shoferin

Policët nepalez e ndaluan të riun, por mbetën pa fjalë kur ai u tregoi patentë shoferin

Auto
Meç i madh i boksit mes Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk - detajet minutë pas minute

Meç i madh i boksit mes Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk - detajet minutë pas minute

Boks
Vetëm dy vende do të mbijetonin pas apokalipsit bërthamor - çka do t'i shpëtonte këto shtete

Vetëm dy vende do të mbijetonin pas apokalipsit bërthamor - çka do t'i shpëtonte këto shtete

Botë
Arrihet pajtueshmëri për tekstin përfundimtar të rezolutës për Srebrenicën

Arrihet pajtueshmëri për tekstin përfundimtar të rezolutës për Srebrenicën

Bosnja
Mbyllet sezoni në Bundesliga: Bayer Leverkusen me rekord, mësohen të gjitha verdiktet

Mbyllet sezoni në Bundesliga: Bayer Leverkusen me rekord, mësohen të gjitha verdiktet

Bundesliga
Kalo në kategori