LAJMI I FUNDIT:

OSBE e gatshme për të mbështetur KQZ-në

OSBE e gatshme për të mbështetur KQZ-në

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë ka shprehur gatishmërinë për mbështetje të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në organizimin e zgjedhjeve të parakohshme të 11 qershorit.

Viteve të fundit, Misioni i OSBE-së në Kosovë i ka ofruar KQZ-së forma të ndryshme të mbështetjes teknike.


“Kur është fjala për zgjedhjet e ardhshme, roli i mundshëm i OSBE-së nuk është përcaktuar ende,” i kanë thënë arbresh.info, zyrtarë të këtij misioni, shef i të cilës aktualisht është Jan Braathu.

Pritet që një numër madh i monitoruesve të mbikëqyrin këtë proces zgjedhor përfshirë organizatat vendore dhe të huaja.

Kryesisht ky mision ka pasur rol të veçantë për procesin zgjedhor në komunat me shumicë serbe, veçanërisht ato në veri të vendit.

“Jemi në kontakt me KQZ-në e palët tjera, dhe do të jemi të gatshëm të japim çfarëdo forme të mbështetjes që mund të nevojitet dhe kërkohet”, janë shprehur në këtë mision për arbresh.info.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në ditën e caktimit të datës për zgjedhjet e parakohshme nacionale kërkoi nga Bashkimi Evropian të kenë sa më tepër vëzhgues, dhe të kemi pjesëmarrje sa më të madhe edhe të organizatave joqeveritare, medieve, dhe vëzhguesve ndërkombëtarë.

Edhe institucionet e tjera përgjegjëse janë zotuar për një proces të besueshëm, transparent dhe të pranueshëm nga i gjithë spektri politik kosovarë dhe faktori ndërkombëtarë. /arbresh.info/