LAJMI I FUNDIT:

Optimizmi joreal i BE-së

Optimizmi joreal i BE-së

Sapo ka përfunduar takimi i ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për një angazhim më të plotë të këtij të fundit për Ballkanin Perëndimor. Në fund të qershorit që vjen, krerët e shtetit apo të qeverive të këtyre vendeve do të debatojnë sërish rreth së njëjtës tematikë, për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE, duke nxitur politikat e BE-së në rajon. Integrimi evropian i vendeve të Ballkanit Perëndimor është aspiratë e njohur e popujve të tyre. Përballë saj – kushtëzimet e BE-së për këto vende në rrugën e gjatë, por jo dhe pa fund drejt pranimit, që lidhen me problematika shumë të rëndësishme: Forcimin e shtetit të së drejtës, të demokracisë, të luftës kundër krimit dhe korrupsionit, rritjen e treguesve në ekonomi, ulja e papunësisë e të tjera që janë prezente në këto vende. Ndaj BE edhe në plan propagandistik u jep udhë mesazheve optimiste për t’i shërbyer forcimit të frymës evropiane.

Në këtë kuadër, Bashkimi Evropian pritet ta kthejë më mirë vështrimin në përmirësimin dhe normalizimin e marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën. Nga sa vihet re, qëndrimi i presidentit të ShBA-së, Joe Biden, i shprehur mbi dy muaj më parë, është i qartë, pa ekuivokë: “Dialogu midis Serbisë dhe Kosovës duhet të përqendrohet në njohjen reciproke midis dy shteteve”. Dhe më tej, se “Kosova duhet të jetë e pavarur, jo pjesë e Serbisë”. Në këto kushte, duke ndjekur dhe mesazhet që përcillen prej BE-së, në rrugën e anëtarësimit të vendeve në këtë organizëm të rëndësishëm, inkurajohet një bashkëpunim më i ngushtë i tij me administratën amerikane ndaj Ballkanit Perëndimor, kësaj agjende të përbashkët të tyre në përgjithësi dhe, brenda saj, marrëdhëniet Kosovë-Serbi.


Procesi i negocimit të këtyre marrëdhënieve deri tani ka pasur shumë ulje-ngritje. Shpesh i sforcuar. Prandaj dhe insistohet në një seriozitet më të madh ndaj tij. Për ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Heiko Maas, dialogu i normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, i udhëhequr nga Bashkimi Evropian, mbetet vendimtar.

Por, kjo s’do të thotë që të fshihesh pas një optimizmi të krisur, pa një bazë reale, sikurse është dukur dhe gjatë kësaj kohe. Kur ndodh kjo dhe me emisarë të BE-së, akoma më keq. Miroslav Lajçak, përfaqësues i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, çuditërisht i ka fryrë më shumë një “optimizmi” të tillë me përsëritjet përmes deklaratave të tij, se: dialogu Kosovë-Serbi mund të përmbyllet shpejt me një marrëveshje të përfundimtare nga të dyja vendet. Kështu, krijohet më tepër përshtypja e proserbizmit të tij, në kundërshtim me statusin që iu dha një vit më parë, në prill të vitit të kaluar, ish-ministrit të Jashtëm të Sllovakisë, diplomati i një vendi që vazhdon të mos e njohë shtetin e pavarur të Kosovës(?!). Pra, larg misionit real të përfaqësuesit të posaçëm të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve midis këtyre dy vendeve.

Mendojmë se dhe vetë BE, pavarësisht problemeve të tij, nuk ka qenë fort i kthjellët në qëndrimet ndaj këtij procesi dhe “qerrja” është shtyrë “thjesht për ta shtyrë”. Ndaj dhe njohja e ndërsjellë duket e largët. Nëse do të kërkohet të flitet si deri tani, për domosdoshmërinë e tyre në BE, thjesht për retorikë të Brukselit e të ngarkuar me eufemizëm, vështirë, në mos e pamundur, të arrihet në një marrëveshje gjithëpërfshirëse për zgjidhjen e tërë problemeve mes tyre. Çështja është gjithashtu për një presion ndërkombëtar dhe ky – jo dosido, por dhe as me standarde të dyfishta. Qëndrime si këto ushqejnë më shumë skepticizmin, pa harruar gjithashtu që arritja te marrëveshja e përbashkët nuk do të thotë ndërkohë njohje reciproke, e cila nuk do të ketë një rrugë të lehtë.

Nga ana tjetër, Serbia, kuptohet, është e interesuar që bisedimet të vazhdojnë pa mbarim. Dushan Janjiq, intelektual i njohur serb i Forumit për Marrëdhënie Etnike në Beograd, nuk e sheh të shpejtë këtë Marrëveshje. Optimizmi, për të cilin folëm më lart, për atë është “jo real dhe tregon për mosnjohje të situatës”. Problemi është si të mënjanohet ky lloj optimizmi dhe Bashkimi Evropian, duke zhbllokuar procesin e integrimit evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor, pa i zhgënjyer ato, të nxitë dhe inkurajojë dhe njohjen e shtetit të pavarur të Kosovës. Që politikat nacionaliste të mos rrinë zgjuar e strukur në lëvozhgën e mesazheve optimiste.