LAJMI I FUNDIT:

Ofrohen 120 vende pune në Panairin e Punës në Vushtrri

Ofrohen 120 vende pune në Panairin e Punës në Vushtrri

27 kompani kryesisht nga Vushtrria kanë ofruar mbi 120 vende të pune, sot në ditën e parë të Panairit të punës që është mbajtur në organizim të përbashkët nga Komuna e Vushtrrisë, GIZ-i gjerman dhe Ministria e Mirëqenies Sociale.

Me rastin e hapjes së këtij panairi që po mbahet për të dytën herë rresht në Vushtrri, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku, tha se mundësitë reale për punësim ekzistojnë, por kërkesa e kompanive është për punonjës të kualifikuar, ndaj ai apeloi te të rinjtë që të orientohen drejt profesioneve. Ai shtoi se ky panair i punës është një rast i mirë për punëkërkuesit dhe bizneset që këta të takohen së bashku.


“Nga bizneset kërkoj të ofrojnë kushte të mira, që punëkërkuesit, e në rend të parë të rinjtë të kenë një vend pune të qëndrueshëm. Si mundësi tjetër që është bërë gjatë këtij viti dhe është prioritet i qeverisë komunale në Vushtrri është ndërlidhja e teorisë në shkolla me praktikën. Duhet bërë një marrëveshje drejtoria e shkollës me bizneset që nxënësit të bëjnë praktik në biznese”, tha Mulaku.

Shumë të rëndësishëm për qasjen ndaj tregut të punës këtë panair e kanë vlerësuar edhe partnerët ndërkombëtar, si përfaqësuesi i BE-së Miha Pezel si dhe përfaqësuesja e GIZ-it, Vjosa Mullatahiri.

Ndërsa Arta Haxhaj, drejtoreshë për ekonomi, bujqësi dhe zhvillim rural në Komunën e Vushtrrisë tha se ky panair i punës konsiderohet të jetë mjaft i rëndësishëm për ndërmarrjet e Vushtrrisë e po ashtu edhe për të rinjtë, ku dihet se kërkesat për punë ditëve të sotme janë të mëdha. /Veriu.info/Telegrafi/