LAJMI I FUNDIT:

Obama i pafuqishëm

Obama i pafuqishëm

Kush mund ta kuptojë këtë: çdo vit vdesin 34 mijë amerikanë prej armëve të zjarrit. Ky është sa numri i banorëve të një qyteti të vogël. Terroristët, kriminelë labilë mendërisht dhe kushdo tjetër që dëshiron, mund t’i sigurojë armët lehtësisht. Por, jo gjithmonë pistoletat dhe armët automatike mund të tregtohen nëpër dyqane. Amerikanët mund t’i blejnë ato edhe në panairet përkatëse ose edhe në internet. Më e pakta mbi 300 milionë armë posedojnë amerikanët.

Edhe Omar Mateen, i cili ekzekutoi 49 vetë në klubin e natës në Orlando, nuk e pati problem të blinte armët. Kjo edhe pse ai ishte marrë disa herë në pyetje nga FBI-ja për plane të mundshme terroriste.


Që SHBA-ja ka nevojë për ligje më të ashpra për armët, ndërkohë këtë e beson shumica dërmuese e amerikanëve. Por politikanët e tyre dështojnë për turp. Prej vitesh lobi i armëve në NRA e mban si peng SHBA-në, u jep ryshfet deputetëve, që kanë nevojë për para, për të financuar fushatat e tyre elektorale. Korrupsion sipas llojit të SHBA-së. E në mes një president i pafuqishëm Barack Obama, i cili pas çdo masakre – në San Bernadino, në Newtown apo tani në Orlando – ofron vetëm fjalë të bukura. Në fund të fundit ai i ka duart e lidhura, për aq kohë sa Kongresi e bllokon këtë temë.

Deri në zgjedhjet që zhvillohen në nëntor deputetët – veçanërisht republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve – duan të përfitojnë nga koha. Gjatë fushatës elektorale ata do të shfaqin në publik patriotizmin e shtirur. Në veprimtaritë e tyre do të këndojnë himnin kombëtar dhe do të mbajnë dorën e hapur në zemër: çfarë hipokritësh! Shumë syresh vetëm patriotë nuk mund të jenë. Ata janë armiq të popullit të tyre. Sepse as islamistët më të këqinj nuk ia arrijnë që të vrasin çdo vit dhjetra mijëra amerikanë. Refuzimi i deputetëve për të miratuar ligje më të rrepta për armët, tek e fundit bën që radikalë, islamistë e të çmendur, apo gra e burra jo të qendrueshëm psiqikisht t’i sigurojnë lehtë armët dhe të vrasin amerikanë. Çdo ditë.

Sa e topitur duhet të jetë një shoqëri, për ta pranuar një gjë të tillë si të vetëkuptueshme?