LAJMI I FUNDIT:

Nuk pritet dekriminalizimi i politikës (Video)

Nuk pritet dekriminalizimi i politikës (Video)

Aktakuzat nuk do të paraqesin problem për t’u futur në lista zgjedhore të zgjedhjeve të ardhshme lokale.

Iniciativat e përmendura nga presidenti Hashim Thaçi, njëra për ndryshimet në Kodin Penal, e tjetra për dekriminalizimin, përmes një kodi të veçantë, deri tani kanë mbetur vetëm fjalë .


Presidenti Thaçi, sipas Ismet Kryeziut nga KDI-ja, aktualisht është më shumë i zënë me procesin e demarkacionit, ku edhe ka vënë firmën e tij në marrëveshjen e gushtit, atëherë në pozitën e ministrit të Jashtëm, raporton KTV.

Kryeziu vlerëson si vështirë të arritshme që të hyjë në fuqi legjislacioni i tillë, që do të parandalonte garimin e personave që përballen me drejtësinë, para se të mbahen zgjedhjet lokale.

Ndërsa, Petrit Zogaj, thotë se nga iniciativat e përmendura në muajin maj, pikërisht në zyrat e FOL-it prej Presidentit Thaçi, ende nuk ka asnjë hap konkret.

Zogaj, dekriminalizimin e sheh si proces të vështirë për subjektet politike në vend, në veçanti për partinë më të madhe në vend, PDK-në.

KTV-ja ka kërkuar përgjigje nga zyra për informim e presidentit Thaçi, me pyetjet nëse kanë filluar të ndërmerren hapa konkretë për këto çështje dhe nëse ndryshime të tilla synohet të futen në fuqi para zgjedhjeve lokale, por nuk ka marrë përgjigje.

Aktualisht, një numër i madh i zyrtarëve të lartë në komuna të vendit, pavarësisht aktakuzave apo edhe dënimeve me vendime të plotfuqishme, vazhdojnë të kryejnë funksionet e tyre publike.

Ndërsa për ndryshimet në Kodin Penal, presidenti Thaçi i kishte arsyetuar me siç ishte shprehur boshllëqet e gjendura në të, duke mos saktësuar se në cilat nene do të propozohen ndryshimet.

RIKI_DEKRIMINALIZIMI 1907 from Koha.net on Vimeo.