LAJMI I FUNDIT:

Nuk ka zgjidhje dhe nuk ka dalje për Mbretërinë e Bashkuar

Nuk ka zgjidhje dhe nuk ka dalje për Mbretërinë e Bashkuar

Përpjekja e tejzgjatur e Mbretërisë së Bashkuar për të dalë nga Bashkimi Evropian ka përmbysur dy iluzione me të cilat bota ka jetuar që nga fundi i Luftës së Ftohtë: sovraniteti kombëtar dhe integrimi ekonomik, dy pikat fundore të historisë, sipas esesë së famshme të Francis Fukuyama të vitit 1989.

Nga pikëpamja juridike, bota përbëhet nga 191 vende sovrane, të cilat hyjnë lirisht në traktate, marrëveshje dhe koalicione për të rregulluar marrëdhëniet e tyre me njëta-tjetrën. Mbretëria e Bashkuar është njëra prej tyre. Dështimi për të bërë dalje kuptimplotë nga BE do të jetë e para në historinë moderne në të cilën një shtet sovran detyrohet të qëndrojë brenda një bashkimi vullnetar për shkak se, pavarësisht se ligjërisht ka të drejtë të ikë, dalja është tepër e kushtueshme.


Shtrëngimi në këtë rast duhet të kuptohet si një presion në vijimësi, që varion nga përdorimi i forcës në njërën anë te sanksionet ekonomike dhe kulturore në anën tjetër, ku sovraniteti i një vendi matet nga vulnerabiliteti i saj përballë formave të ndryshme të presionit me të cilat përballet.

Në këtë kriter, shumë pak nga 191 shtetet e botës janë me të vërtetë sovrane, në kuptimin që vetëm forca ushtarake mund t’i detyrojë ato të ndryshojnë politikat apo sistemet e qeverisjes: natyrisht që të tilla janë Shtetet e Bashkuara, Kina, Rusia e ndoshta, Japonia dhe India. Britania ka kuptuar përmes dhimbjes limitet e sovranitetit të vet.

Rezultati i një zgjedhjeje të thjeshtë brenda apo jashtë që iu dha votuesve të Mbretërisë së Bashkuar në referendumin Brexit në qershor 2016 ka rezultuar pothuajse i pamundur të vihet në zbatim. Pengesa kryesore nuk vjen nga vështirësitë e negocimit të traktateve të reja, por nga gjykimi i atyre në detyrë për të drejtuar jetën politike në Britani, gjë që e ka bërë koston e një tërheqjeje këmbëngulëse tepër të madhe.

Të gjitha përpjekjet e 30 muajve të fundit të kryeministres Theresa May i janë përkushtuar respektimit të votës popullore për të dalë nga BE sipas fjalës por jo sipas faktit. Kjo strategji mundësohet nga fakti se nuk ka qenë kurrë e qartë se nga çfarë po dilte Britania. BE dhe regjimet e saj ekonomike i ngjajnë më shumë një kandili deti se sa një bashkimi politik dhe ekonomik.

Për klasën politike të Britanisë, testi i sovranitetit kombëtar nuk është aftësia e saj për të dalë nga BE. Është aftësia e saj për të dalë me sa më pak trazira që të jetë e mundur për të vijuar biznesin si zakonisht dhe kjo do të thotë, integrimi ekonomik i Mbretërisë së Bashkuar me vendet e BE-së. Po pastaj, çfarë mund të thuhet për ata që votuan me këmbëngulje për shkëputjen e lidhjeve të Britanisë me BE?

Kjo më sjell mua te iluzioni i dytë: besimi i verbër në virtytin superior të integrimit ekonomik përtej kufijve, me bindjen e nënkuptuar të kësaj se kufijtë kombëtarë janë pengesa për tregje të integruara në mënyrë më perfekte. Nga ky këndvështrim, funksioni i vetëm i shtetit komb është për të siguruar që politika kombëtarë është në konformitet për tregun, një këndvështrim që i sheh vendet thjeshtë si degë të qeverisjes.

Por siç e ka thënë fuqishëm ekonomisti i Harvardit Dani Rodrik, kjo mënyrë e të parit të shteteve kombe thjeshtë si mjete për integrim botëror injoron faktin që qeveritë moderne janë në përgjithësi llogaridhënëse për vendimet e tyre përballë popujve të vet. Mundet që nga integrimi ekonomik të përfitojnë të gjithë në terma afatgjatë; por në terma afatshkurtër, integrimi është shumë trazues nga pikëpamja ekonomike dhe kultutore. Kjo është arsyeja se pse konflikti mes integrimit ekonomik dhe politikës demokratike është rritur.

Arkitektët e BE-së i kanë parë shtetet kombe anëtare më së shumti si instrumente juridike për themelimin e katër lirive të tregut të përbashkët: lëvizje e lirë e mallrave, kapitalit, shërbimeve dhe punës. Por qeveritë në BE janë llogaridhënëse para votuesve të vet. Ata nuk mund të injorojnë kostot e integrimit ekonomik në të njëjtën mënyrë siç bënin pararendësit e tyre të shekullit të nëntëmbëdhjetë, të cilët kishin elektorate të vegjël dhe perandori të mëdha.

Të gjithë Evropianistët me mend kanë qenë prej kohësh të vetëdijshëm për problemin e deficitit demokratik të BE-së, por shumë pak gjëra janë bërë për këtë. Ndryshe nga ekonomitë, politikat nuk kanë migruar mjaftueshëm përtej kufijve kombëtarë. Për rrjedhojë është shumë e logjikshme që Evropianistë të bindur si ish-ministri grek i Financave Yanis Varoufakis ka bërë thirrje për Shtetet e Bashkuara të Evropës. Vetëm një parlament i mirëfilltë që mban përgjegjës një president të zgjedhur mund të bëjë tregun e përbashkët të ligjshëm dhe demokratik.

Por Shtetet e Bashkuara të Evropës janë përtej politikës praktikë. Askush nuk mund të bëjë një demokraci legjitime thjeshtë duke shkruar një kushtetutë të re. Votuesit duhet të brendësojnë ndjenjën e posedimit mbi politikën e tyre dhe kjo ndjenjë pronësie dhe detyrimi rritet në mënyrë organike, jo me recetë.

Kështu, pavarësisht të gjithë informacionit ekstra që ne tashmë kemi mbi kostot dhe komplikimet e daljes, debati mbi Brexit nuk ka përparuar shumë që nga vera e vitit 2016. Gazetari britanik Ambrose Evans-Pritchard, një votues i daljes, shkroi në Daily Telegraph më 13 qershor 2016 mbi “zjedhjen elementare të Mbretërisë së Bashkuar: të rikthejë vetëqeverisjen e plotë të këtij kombi ose të vijojë të jetojë nën një regjim më të lartë supranacional, sunduar nga Këshilli i BE-së të cilin ne nuk e zgjedhim në asnjë kuptim”.

Rodrik ishte dakord se “rregullat e BE-së të nevojshme për të krijuar një treg të përbashkët Evropian janë shtrirë në mënyrë domethënëse përtej asaj që mund të mbështetet nga legjitimiteti demokratik,” por mbetej optimist se entiteti politik i Evropës së bashkuar mund të evoluojë për të mbështetur tregun e përbashkët.

Pyetja është nëse Mbretëria e Bashkuar nuk mundet më të zgjedhë të vetëqeveriset. Duket se ajo është e zënë në një rrjetë nga e cila nuk ka shpëtim. Nëse kjo ndjesi vijon të dominojë votuesit në të gjithë BE-në, ajo ka gjasa do t’i japë fund demokracisë liberale në Evropë. Dhe rikthimi i Djajve – rritja e mëtejshme e demokracisë joliberale, e akoma më keq, nuk mund të hidhen poshtë si të pamundura. /Project Syndicate/BIRN/