Ceremonitë e Çmimit Nobel marrin një vëmendje të veçantë publike jo thjesht për fituesit, por sidomos për kontributet e spikatura të tyre në fushat respektive. Vlera e çmimeve shkencore matet me kontributet metodologjike të nobelistëve në përmirësimin dhe thellimin e kërkimin shkencore, por sidomos në përfitimet reale në mjekësi, fizikë, kimi dhe ekonomi.

Vitet e fundit ka një lidhje më të drejtpërdrejtë të nobelistëve në ekonomi me sfidat që ka ekonomia dhe shoqëria. Kjo edhe për faktin se ndërsa po krijohet gjithnjë e më shumë pasuri në nivel global, e mbështetur kjo nga ekonomia e shkallës, ekonomia e dijes dhe revolucioni informatik, papunësia strukturore dhe pabarazia janë rritur në nivele kritike.

Kohezioni social dhe qëndrueshmëria politike janë në përkeqësim të përhershëm. Në një ekonomi të globalizuar lehtësisht të ndërthurur dhe të ndërvarur nga (diz)avantazhet e ekonomisë së shkallës disa qindra-miliardë fonde financiare, miliarda vlerë pasuri të patundshme, vepra arti dhe antikitetet, letrat me vlerë të tregjeve të kapitaleve, por edhe pasuri natyrore “të pafundme”, tregtohen nëpërmjet ankandeve të tyre respektive, të zhvilluara në çdo vend dhe në platforma globale për shitës dhe blerës potencialë, ku maksimizimi i përfitimeve nga të dyja palët shndërrohet në një lufte të egër.

Vitin e kaluar nobelistët e ekonomisë thyen kornizat e ngushta të kërkimeve shkencore dhe sollën një novacion të ri për kërkimin shkencor ku teoritë e tyre nuk testoheshin nëpër laboratorë virtualë, por u testuan dhe u përmirësuan gjatë studimit dhe implementimit direkt në komunitete konkrete në zonat dhe grupet sociale më të varfra dhe të prekura nga sëmundjet e shekullit, keqarsimimi dhe kequshqyerja.

Dy profesorët e Universitetit “Stanford” në Kaliforni, nobelistët e vitit 2020, u vlerësuan për zbulime teorike të implementuara në përmirësimin e ankandeve ku një formë e tyre janë edhe prokurimet publike.

Bazuar në fjalorët ekonomikë, “ankandi është një shitje zakonisht publike e mallrave ose pasurisë, ku njerëzit bëjnë oferta gjithnjë e më të larta (= oferta parash) për secilin send, derisa sendi t’i shitet personit që do të paguajë më shumë”

Studimet tregojnë se shitësit në ankande i kanë shitur mallrat, shërbimet ose të drejtat publike ofertuesit më të lartë, ose blerësit i kanë blerë nga kushdo që bën ofertën më të lirë.

Në rastin e prokurimeve publike, zbatimi i teorisë së nobelistëve të vitit 2020 nënkupton që shteti e përfiton një shërbim private për blerje mallrash dhe shërbimesh publike mundësisht me shumëllojshmëri sa më të madhe për të përzgjedhur, pra sa më shumë konkurrues, me koston sa më të ulët dhe sa më shpejt.

“Zbulimet e tyre janë me përfitim të madh për shoqërinë”, tha Peter Fredriksson, kryetari i Komitetit të Çmimeve. Duke mbajtur parasysh që përfitimet e pjesëmarrësve në ankande ku shitësi dhe blerësi “luftojnë” të maksimizojnë përfitimet e tyre reciproke jo vetëm financiare, duke mbajtur parasysh fushën e palimituar të ankandeve, rritjen e pjesëmarrësve në ankande, e favorizuar kjo edhe nga opsionet online, shtohen mundësitë që përfituesit privatë dhe publikë të ushqejnë një ekonomi të shëndetshme.

N.q.s. kompanitë publike dhe qeveritë do të përdorin metodat e ankandeve dhe prokurimeve publike, ku përfshihen edhe partneritetet publike private bazuar në gjetjet dhe rekomandimet shkencore të dy studiuesve, rriten efektet pozitive edhe për taksapaguesit, të cilët në deklaratën zyrtare për Çmimin Nobel 2020 në Ekonomi, qartësohen si përfitues të gjetjeve shkencore në fushën e ankandeve.

Siç konstatohet edhe në realitetin antishkencor të qeverisjes në Shqipëri, gara për ankandet është kryesisht e deformuar dhe lehtësisht e korruptueshme. Ankandet dhe prokurimet e drejtpërdrejta janë rritur, prokurimet publike private preferenciale që përzgjidhen jo sipas strategjive të zhvillimit dhe studimeve të thelluara për kostot dhe përfitimet jo vetëm financiare të investimeve publike. Humbjet e mëdha në trajtën e keqqeverisjes për shkak të korrupsionit dhe kapjes së shtetit për përzgjedhjet pa ankande korrekte të kompanive fituese, i dëmtojnë taksapaguesit.

Së pari, në dëmtimin, zvogëlimin dhe vrasjen e potencialeve të rritjeve te shëndetshme ekonomike; dhe së dyti, nëpërmjet taksave më të larta që duhet të paguhen çdo vit jo vetëm për buxhetin vjetor, por edhe për pagesën e borxheve të rënda të krijuara nga ankandet, prokurimet publike dhe partneritet publike private preferenciale pa ankande përzgjedhëse, që ushqejnë taksën e lartë të korrupsionit dhe kapjes së shtetit. Edhe pandemia konsiderohet një mundësi abuzive nga qeveritë arrogante dhe të korruptuara, këtu përfshihen edhe “blerjet me marrëveshjet sekrete”.

Pikërisht që taksapaguesit kudo dhe në veçanti taksapaguesit e varfër shqiptarë të përfitojnë nga shkenca dhe dija, duhet qe qeverisja të ndryshojë në thelbin e saj duke u bazuar në shkencë dhe në modelet më të suksesshme dhe duke e braktisur qeverisjen jashtë proceseve konkurruese.

Qeverisja duhet të maksimizojë përfitimet nga pasuritë natyrore; nga efikasiteti dhe eficenca e çdo qindarke të taksapaguesve nga buxheti i shtetit në trajtën e shpenzimeve dhe investimeve publike.

Përfitimet duhen rritur, edhe ankandet transparente dhe konkurruese edhe për disa të drejta jomateriale që ka çdo shtet, siç janë frekuencat e sinjaleve dixhitale për radiot dhe TV-të dhe licencat e ofrimit të 3, 4 apo 5G-së, për të lehtësuar aksesin e internetit kudo, me cilësi sa më të lartë dhe me kosto sa më të ulët. Përfituesit e ankandeve, edhe sipas dy novelistëve, nuk do të jenë ata që do të ofrojnë vlerën financiare më të vogël, por përfitimin social, ekonomik dhe financiar më të mirë.

Kjo kërkon që pjesë e përzgjedhjes për ankandet, prokurimet publike dhe partneritet publike private të jenë edhe një set kriteresh përzgjedhëse për impaktet ekologjike, për promovimin e barazisë gjinore dhe përgjegjësisë sociale për stafet e tyre dhe për projektet private dhe publike ku konkurrojnë dhe synojnë të fitojnë.

Fatkeqësisht, kemi analiza profesionale lidhur me impaktin e zbatimit të ankandeve konkurruese në ekonominë tonë dhe sidomos për humbjet e rënda sociale, ekonomike e financiare që krijojnë qeveritë që qeverisin me arrogancë dhe babëzi.

Vetëm qeverisja e bazuar te dija dhe zbatimi i të rejave shkencore mund t’i mbrojë përfituesit realë dhe në veçanti taksapaguesit nga ankandet, prokurimet dhe partneritet publike pa konkurrentë ose të paracaktuara, ku humbasin disa qindramilionë dollarë, euro apo miliarda lekë shpërdorime abuzive dhe korruptive.