LAJMI I FUNDIT:

Një mësim nga nobelistja bjelloruse

Një mësim nga nobelistja bjelloruse

Svetllana Aleksieviq, nobelistja bjelloruse u përkthye menjëherë në shqip. Më së shumti në Kosovë. Kuptohet se interesi i parë i shqiptarëve ishte ai komercial. Në do të shikosh për ndonjë stil të lartë, elemente të rralla të kompozicionit, ke humbur kohë. Kjo sepse ajo nuk të jep asnjë mundësi të tillë dhe për më tepër nuk duket se e ka pasur sfidë në përpjekjet e saj letraro-gazetareske.

Aleksieviq nuk do të bëhej fare e njohur aq sa duhet, paçka se ishte përkthyer dhe auditori ndërkombëtar kishte kohë që e kish në duar, nëse një vendim i beftë i Komitetit të Çmimeve të Nobelit nuk do t’i jepte çmimin e lartë në vitin 2015.


Në të gjithë atë që bëri kjo gazetare, e cila u shndërrua në një shkrimtare të njohur, ishte dëshmimi pa zbukurim, por në një kënd tjetër i ngjarjeve më të mëdha historike. Ajo i zhveshi atje ku nuk mban më. Që do të thotë, ajo tregoi zonat toksike për sytë menefregistë të botës, ndërsa për ata që kishin harruar Luftën e tmerrshme Botërore u solli edhe njëherë personazhet e gjalla e të panjohura me rrëfimin e protagonisteve femra. Me syrin e njeriut të kujdesshëm të letrave hoqi heroizmin patetik, frymën panegjirike, shmangu lëvdatat dhe rrëfeu sesi gruaja e hapësirës sovjetike përballi luftën, u nënshtrua prej saj, denatyralizua, pati frikë dhe gjeti forcë prej saj dhe si u njësua me të me natyrshmërinë e qenies që i bashkangjitet vdekjes.

Në këto episode, ti gjen realisht frymëzime të jashtëzakonshme dhe histori njerëzore, ku i bëhet himn qenies së thjeshtë femërore dhe njeriut të vogël, atë që historia nuk begenis ta marrë në konsideratë, kurse letërsia me elementët e saj e fut në hapësirat e figuracioneve duke e shëmtuar skajshëm ose duke e zbukuruar në një formë të tillë artificiale, që ti ia di kuptimin ende pa e lexuar. Aman, ti nuk e di dot se çfarë mendon një sanitare që tërheq pa ditur dy robër, një rus dhe një gjerman dhe kur e kupton dhe do të marr vendimin ekstrem, kujtohet se mbi të gjitha ata janë të barabartë sepse janë dy jetë njerëzore. Ti nuk mund të kuptosh sesi është të të marrin njeriun më të afërt, me të cilin ke kaluar jetën për një kapriço të regjimit, vetëm gjysmë dite pasi ai është kthyer nga robëria naziste. Ti nuk kupton pse një femër kërkon të lyhet kur sapo ka nisur bombardimin dhe do të vritet në 90 për qind të rasteve, ashtu si nuk kupton një heroinë ruse që nuk bërtet kur i presin këmbën vetëm se ka turp për atë staturë që ka treguar deri atëherë.

Një mozaik i tërë historish femërore dhe fëminore në librin e kësaj autore të bëjnë të kuptosh sesi është realisht lufta. Pa zbukurime. E vërtetë, si dy pika loti. Si është historia e vërtetë dhe më shumë se kaq, pse jeta është e bukur edhe kur lind nga vdekja.

Shumë vite më parë, një regjisor i njohur rus, në periudhën e fundit të marrëdhënieve në mes të dy vendeve tona kishte ardhur në Shqipëri për të bërë një film monumental për historinë e Luftës. E shoqëron një ish-partizan, Sofokli Lazri, më vonë një nga njerëzit më me ndikim në strukturën e lartë të drejtimit në Shqipëri. Historitë që ndan me regjisorin janë të bukura, por nuk thonë asgjë. Të dy e dinë fare mirë këtë fakt. Shqiptari, si një njeri që e njeh kulturën e di mirë kërkesën dhe ndihmën që kërkon regjisori. I duhet një fabul, që të ketë bazë të vërtetë për realizimin e tij.

Koha e gjatë e të dyve me njëri-tjetrin ka rezultuar e kotë, derisa një moment i vjen ndërmend një histori e bukur dhe e jetuar e një bashkëvendasi të tij. I tregon historinë e Zaho Kokës, trimit që hapi luftën me fashistët në bregdet dhe vdekjen e jashtëzakonshme të së dashurës së tij. Por, i tregon edhe sesi “e shpiku” luftën heroi që të vetëvritej, sepse jeta tashmë ishte e kotë për të.

Regjisori rus do të mahnitej. “Kjo është”, i tha. Paradoksalisht filmi do mbeste në mes sepse marrëdhëniet e vendeve dhe gjeopolitika ka logjikë tjetër. U fut në letargji dhe historia, sepse në fakt, përveç, z. Lazri, nuk u trajtua asnjëherë mirë. Fryma panegjirike e mori në qafë një nga historitë më të bukura të luftës, që do t’i shërbente letërsisë dhe jo vetëm.

Si për ironi të kohërave, Xhimi Lazri, i biri i Sofos, e ka përkthyer mjeshtërisht nga rusishtja autoren bjelloruse, me një regjistër shumë të përshtatshëm, por mbi të gjitha me një shpirt që tregon realisht një përballje të madhe historike dhe një respekt për luftën. Mësimi i librit është i bukur: neve kemi nevojë për dëshmi të tilla, të tilla që tregojnë realisht përballjet njerëzore pa zbukurime dhe pa panegjirizma. Këto të bëjnë të kujtosh realisht se çfarë ka ndodhur dhe jo vetëm.

Për fat të keq, Kosova, as 20 vjet pas luftës ka premisa ta mbyllë luftën me histori shumë qesharake, ku po shpallen heronj, njerëz që s’kanë fare lidhje me luftën dhe po ngrihen shumë kinse. Shqipëria është e tejmbushur me pseudo të desidencës dhe histori të stisura që e bëjnë qesharake një narracion të tërë, ashtu si komunistët dolën blof me ngritjen e një idili lufte, që në të vërtetë nxori zbuluar shpesh gjëra të paqena dhe heronj të stisur.

Ndaj, për këtë duhet letërsia dhe njerëzit e drejtë, ata që i vlejnë çdo rrëgjimi sepse i duhen vetë historisë. Asaj të thjeshtës, që e bënë njerëzit realë.