LAJMI I FUNDIT:

Një ish-diplomat amerikan pranon se ka punuar si agjent i Kubës

Një ish-diplomat amerikan pranon se ka punuar si agjent i Kubës

Një ish-diplomat amerikan i tha një gjykatësi federal të enjten se do të pranojë fajësinë për akuzat se ka punuar për dekada si agjent sekret për Kubën komuniste, një zgjidhje e papritur e shpejtë e një çështjeje që prokurorët e kishin quajtur një nga tradhtitë më të rënda në historinë e Shërbimit të Huaj të Departamentit të Shtetit.

Prokurorët dhe avokati i ish-diplomatit 73 vjeçar Manuel Rocha thanë se marrëveshja për pranimin e fajësisë përfshin një dënim, për të cilin është rënë dakord, por ata nuk zbuluan detaje të tjera në një seancë në gjykatë që u mbajt të enjten.


Ai do të kthehet në gjykatë më 12 prill, kur është planifikuar të zyrtarizojë pranimin e fajësisë dhe të marrë dënimin.

“Jam dakord”, tha zoti Rocha, me pranga në duar dhe këmbë, kur u pyet nga gjykatësja Beth Bloom nëse dëshiron të ndryshojë deklarimin e pafajësisë.

Prokurorët, në këmbim, ranë dakord të heqin dorë nga 13 akuza, përfshirë ato për transferime të paligjshme të parave dhe dhënien e deklaratave të rreme.

Seanca e shkurtër nuk hodhi dritë të re mbi pyetjen që ka rezultuar e pashpjegueshme që nga arrestimi i Rocha në dhjetor: Çfarë bëri ai saktësisht për të ndihmuar Kubën ndërsa punonte në Departamentin e Shtetit për dy dekada?

Ai ka shërbyer si ambasador në Bolivi dhe ka mbajtur poste të rëndësishme në ambasadat në Argjentinë, Meksikë, në Shtëpinë e Bardhë dhe në Seksionin e Interesave të Shteteve të Bashkuara në Havanë.

“Ambasador Rocha”, siç preferonte të quhej ai, ishte i njohur në mesin e elitës së Majamit për stilin e tij aristokratik, pothuajse mbretëror, që përshtatej me nivelin e tij të lartë të arsimimit në universitetet më të mira të Amerikës.

Pas largimit nga Departamenti i Shtetit ai punoi si këshilltar special i komandantit të Komandës Jugore të Shteteve të Bashkuara dhe së fundmi si një mbështetës i fortë i ish presidentit Donald Trump dhe i vijës së ashpër ndaj Kubës, një personazh që miqtë dhe prokurorët thonë se Rocha e adoptoi për të fshehur besnikërinë e tij të vërtetë.

Peter Lapp, i cili mbikëqyri operacionet e FBI-së kundër Kubës midis viteve 1998 dhe 2005, tha se nga zgjidhja e shpejtë e çështjes përfiton jo vetëm zoti Rocha, por edhe qeveria, e cila do të mësojë shumë rreth depërtimit të Kubës në qarqet e politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara.

Zakonisht në rastet e kundërzbulimit, i pandehuri akuzohet për spiunazh. Por zoti Rocha u akuzua për krimet më të vogla të veprimit si agjent i huaj, të cilat mbartin dënime maksimale nga pesë deri në 10 vjet burg, duke e bërë më të lehtë për prokurorët dhe zotin Rocha që të arrijnë një marrëveshje.

“Është një zgjidhje e favorshme për të dyja palët”, tha zoti Lapp, i cili drejtoi hetimin ndaj zonjës Ana Montes, zyrtarja më e lartë amerikane e dënuar ndonjëherë për spiunazh për Kubën. “Ai merr një shpërblim të konsiderueshëm dhe mundësinë për të parë përsëri familjen e tij dhe Shtetet e Bashkuara do të jenë në gjendje të kryejnë një vlerësim të plotë të dëmit që nuk do të ishte i mundur pa bashkëpunimin e tij”.

Por marrëveshja u kritikua nga komunitetin kuban dhe disa ekspertë ligjorë që thanë se dënimi ndaj tij mund të jetë shumë i lehtë.

“Çdo dënim që e lejon atë të shohë përsëri dritën e ditës nuk do të ishte drejtësi”, tha Carlos Trujillo, një avokat në Majami që ka shërbyer në postin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Organizatën e Shteteve Amerikane gjatë administratës së Presidentit Trump.

Një zëdhënës i Departamentit të Drejtësisë nuk pranoi të komentonte për këtë çështje. /VOA/

Në trend Botë

Më shumë

"E pabesueshme, qesharake, absurde...", reagimet ndaj deklaratës së Borrellit, se mezi pret të punojë me qeverinë e re të Serbisë

Botë
Erdogan foli pas ndërprerjes së marrëdhënieve tregtare mes Turqisë dhe Izraelit

Erdogan foli pas ndërprerjes së marrëdhënieve tregtare mes Turqisë dhe Izraelit

Azia
Në njërën dorë kryqin, në tjetrin Kuranin duke u djegur në Malmo - video dramatike u transmetua live në rrjetet sociale

Në njërën dorë kryqin, në tjetrin Kuranin duke u djegur në Malmo - video dramatike u transmetua live në rrjetet sociale

Evropa
Kievi mund të sulmojë me armë britanike Rusinë

Kievi mund të sulmojë me armë britanike Rusinë

Evropa
Komandanti i Azov kritikoi Zelenskyn: Ne nuk kemi qasje në armët perëndimore, po e mbrojmë vendin me gjak

Komandanti i Azov kritikoi Zelenskyn: Ne nuk kemi qasje në armët perëndimore, po e mbrojmë vendin me gjak

Evropa
Vuçiq humb kontrollin gjatë konferencës, analisten amerikane Ivana Stradner e quan të çmendur

Vuçiq humb kontrollin gjatë konferencës, analisten amerikane Ivana Stradner e quan të çmendur

Serbia
Kalo në kategori