LAJMI I FUNDIT:

Një abetare për shkollat e mesme

Një abetare për shkollat e mesme

Më shumë se shqetësuese dhe alarmante, duhet të konsiderohet e dhimbshme deklarata e drejtorit të shkollës së mesme teknike në Suharekë. Ai tha se pothuajse gjysma e nxënësve që janë regjistruar sivjet në këtë shkollë, nuk dinë shkrim-lexim as matematikën elementare.

Nga ajo që tha drejtori, i bie se për nëntë vjet në shkollën fillore e mesme e ulët, mësuesit/et dhe arsimtarët/et e gjuhës atyre nuk mësuan as nga katër (4) shkronja të alfabetit gjatë një viti shkollor.


Drejtori e tha një të vërtetë të madhe, jo veç për shkollën e tij, por për shkollat tona sot.

Kjo është shkolla jonë e shekullit XXI (njëzetë e një).

Kjo është shkolla jonë ku mëtohet të aplikohet kurrikula moderne, me tekste shkollore që as mësimdhënësit nuk u bien në fije. Shkolla të pajisura me kabinete të teknologjisë informative dhe pajisje digjitale, kabinete të shkencave natyrore … Fatkeqësisht, në krejt këtë “të arritur”, në vend se mësimdhënësit t’ua bëjnë nxënësve mësimin më atraktiv – dhe të paktën t’i mësojnë shkrim-lexim, për nëntë vjet – shkollat ia dalin të prodhojnë analfabetë klasikë e funksionalë.

Kjo është shkolla jonë, mjerimi ynë.

Janë shkollat e SBAShK-ut të Rrahman Jasharajt dhe Ymer Ymerit, të cilët kryefjalë të angazhimit dhe aktivitetit sindikal i kanë grevat, pagat, pagat dhe pagat.

Janë shkollat e Ministrisë së Arsimit dhe drejtorive komunale të arsimit, të cilat rrahin gjoks me investimet e bëra për ngritjen e cilësisë në arsimit që peshohet me infrastrukturën fizike (numrin e shkollave të reja, kabineteve e sallave të fizkulturës) dhe jo me rezultatet në mësimdhënie e mësimnxënie.

Këto janë shkollat e pozitës dhe opozitës. Këto janë shkollat tona. Kjo është Kosova.

Sa herë zëmë në gojë cilësinë e arsimit, përmenden rezultatet turpëruese në testin ndërkombëtar Pisa.

Harrojeni testin ndërkombëtar të nxënësve.

Lërini përrallat për kurrikulat moderne dhe trajnimet koti të mësimdhënësve.

Ministria e Arsimit duhet urgjentisht të gjejë formë për testimin e aftësive profesionale (pse jo edhe psikofizike) të mësimdhënësve.

***

Njerëz përgjegjës të arsimit, numri i nxënësve në shkolla po bie çdo vit! Objektet e reja shkollore po mbesin pa nxënës.

Në bazë të statistikave, nga viti shkollor 2008/09 deri në vitin shkollor 2019/20, numri i nxënësve në Kosovë ka rënë për 26 për qind, apo për 114 323 nxënës (që i bie se do të duhej të kemi rreth 300 e më shumë shkolla më pak).

Në viset rurale shkollat që dikur kishin mbi 100 nxënës sot kanë ngelur me nga 5-6 nxënës dhe askush s’e vret mendjen për këtë.

Askund nuk ka strategji se çfarë të bëhet në 10 vitet e ardhshme, kur – nëse vazhdon trendi i rënies së numrit të nxënësve – edhe shumë shkolla do të mbesin boshe.

Përpjekjen e parë për të bërë diçka në këtë aspekt, në dobi të nxënësve, nuk e bëri Ministria e Arsimit as SBAShK-u, por e bëri kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati. Qëndroni vetëdijshëm u viktimizua politikisht dhe sakrifikoi edhe një mandat të kryetarllëkut duke nisur zbatimin e reformës në arsim përmes një projekti që do të duhej të ndodhë në çdo komunë.

Qëndroni ra viktimë e atyre që i duan shkollat me nga 3-4 nxënës e 5-6 mësimdhënës dhe një punëtor teknik, që do ta kalojnë një gjysmë dite rekreative (lojë shahu e duke pirë kafe e çaj në ambientet e ngrohta të shkollës).

Ministria e Arsimit, SBAShK-u dhe ekspertë të arsimit duhet urgjentisht të përgatisin strategjinë e arsimit dhe strategjinë e ngritjes së cilësisë me një plan veprimi të menjëhershëm.

Përndryshe, në letër shumë gjëra të bukura janë shkruar për ngritjen e cilësisë në arsimin e Kosovës.

Në shtator të vitit 2019, zëvendëskryeministri i atëhershëm – e që dikur ishte edhe ministër i Arsimit – Enver Hoxhaj, kishte thënë se prioritet i qeverisë është që të bëhet procesi i mësimit tërë ditor, duke thënë se nga viti shkollor 2020/21 do të fillojë në gjithë Kosovën.

Nejse, në vitin 2020, shkaku i pandemisë – jo i grevave – mësimi u zhvillua herë në shkolla e herë online, e herë as ashtu as kështu.

Mësimi tërë ditor u paralajmërua nga një qeveri që nuk është më. Dhe, kush e di edhe sa qeveri do të ndërrohen e ky projekt do të mbetet veç si ide. E, në letër nuk do të shkruhen statistikat e frikshme të numrit të analfabetë “funksionalë” që i nxjerrin shkollat dhe fakultetet tona. Ata do të vazhdojnë “shkollimin” nga e mesmja dhe kush e di ku do të ndalen në rrugën e “dijes”.

***

Tek lajmi dhe deklarata e drejtorit të shkollës teknike të Suharekës – të publikuar nëpër media e portale dhe të shpërndarë gjithandej nëpër rrjete sociale – mund të lexoje komente nga më të ndryshmet dhe më të dhimbshmet. Komentues si ne më. Secili i jep vetes të drejtë të shes mend, të shajë e qortojë.

Njëri nga komentuesit nuk e shihte si shumë tragjike këtë punë, duke shkruar: “Secili nga ata (100 analfabetët e kasës së dhjetë) e kanë rrugën e tyre, disa prej tyre një ditë edhe do të bëhen udhëheqës institucionesh”.

Nejse.

Dikur organizoheshin kurse kundër analfabetizmit, të cilat zgjasnin nga 4-5 muaj. Dhe, për këtë periudhë, personat e rritur ia dilnin të mësojnë shkrim-lexim.

Sot nuk mjaftojnë as nëntë vjet shkollim të rregullt për të mësuar të shkruhet e lexohet në alfabetin e gjuhës sonë.

Në fund të klasës së parë mësuesit/et organizojnë Festën e Abetares, që i bie se nxënësit i kanë mësuar 36 shkronjat dhe dinë të lexojnë dhe shkruajnë. Por, po del se 100 nga 240 nxënësit e shkollës teknike në Suharekë (fatkeqësisht dhe shumë nxënës të shkollave të tjera të mesme sot) nuk duhej të ishin pjesë e Festës së Abetares.

Atyre, në përfundim të vijimit të shkollës nëntëvjeçare, në vend të dëftesës, do të duhej t’u jepej … abetarja.