LAJMI I FUNDIT:

Nisma për tregun e përbashkët Shqipëri-Kosovë të lëvizë përtej aspiratave

Nisma për tregun e përbashkët Shqipëri-Kosovë  të lëvizë përtej aspiratave

Me qëllim të diskutimit mbi sfidat dhe potencialet e investimeve të përbashkëta ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, Dhoma Amerikane e Tregtisë së Shqipërisë në bashkëpunim me Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe revistën Monitor, organizuan konferencën e përbashkët me temë “Aspiratat për një treg të përbashkët Shqipëri-Kosovë”.

Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës, Arian Zeka tha se problemet dhe barrierat që pengojnë tregtinë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë do të duhej të zgjidheshin me mirëkuptim dhe dialog, dialog ky i cili vetëm se ka ekzistuar.


“Veprimet që merren nga qeveritë janë në kundërshtim me frymën e bashkëpunimit që promovohet nga marrëveshje për tregti të lirë me Evropën Qendrore dhe me frymën e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve. Problemet që paraqiten mes dy shteteve e bëjnë edhe infrastrukturën rrugore të pavlerë dhe jofitimprurëse”, tha Zeka.

Ministri i Zhvillimit të Kosovës Blerand Stavileci tha se të dy vendet kanë varësi të lartë nga importet dhe industri jo të zhvilluar. Bizneset synojnë fitime afatshkurtra dhe të shpejta duke mos u përqendruar te industria prodhuese.

“Duhen lidhje infrastrukturore që ka shënuar përparime si në telekomunikacion, energji etj”, tha Ministri Stavileci.
Në lidhje me energjinë ai tha se kanë arritur marrëveshje me një kompani amerikane për të ndërtuar termocentralet me kapacitet 450 megavat. Ai u shpreh optimist në lidhje me funksionimin e bursës së energjisë.

Ndërkaq, Hykmete Bajrami tha se tregu kosovar është përgjithësisht me i hapur ndaj prodhuesve ne Shqipëri dhe vendet e tjera, derisa shtoi se përmes dialogut, Ministria e Tregtisë ka arritur të eliminojë barrierat me të cilat janë përballur prodhuesit kosovar gjatë eksportit.
Sipas saj, duhet të ketë më shumë takime ndërmjet bizneseve që të këtë më shumë marrëveshje bashkëpunimi, siç ishte rasti në një aktivitet të fundit në Sarandë ndërmjet bizneseve në Kosovë dhe në Shqipëri.

Ministrja Bajrami foli edhe për reformat që Kosova ka ndërmarrë për përmirësimin e mjedisit të investimeve. /Telegrafi/