LAJMI I FUNDIT:

Mbi shtatë vite zvarritje, nisin punimet në magjistralen Prishtinë-Podujevë

Mbi shtatë vite zvarritje, nisin punimet në magjistralen Prishtinë-Podujevë

Punimet për zgjerimin e magjistrales Podujevë-Prishtinë, të cilat nisen para se më shumë se shtatë viteve nuk kanë përfunduar deri më sot.

Mirëpo, këto punime tashmë kanë rinisur pasi që ditë më parë ishin shpallur fituesit e tenderit për ndërtimin e kësaj rruge. Në nisjen e këtyre punimeve, të pranishëm ishin kryeministri Albin Kurti, ministri Liburn Aliu si dhe kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi.


Kurti tha se kjo rrugë është mjaftë e rëndësishme, pasi ka shumë qarkullim të automjeteve.

“Rruga Prishtinë-Podujevë është e vjetër gjysmë shekulli dhe ka qenë nevojë e kamotshme e trevës së Llapit që të lidhet me kryeqytetin në mënyrë efikase, pra të shpejtë e të sigurt dhe do të bëjmë çmos që kjo rrugë të përfundojë sa më parë. Natyrisht që numri i ditëve është rreth numrit të ditëve që ka viti që nevojiten si ditë pune për t’u përfunduar kjo, por tash jemi në rrugë të mbarë për të përfunduar këtë zgjerim i cili është i rëndësishëm pra jo vetëm për shpejtësinë e lidhjes me kryeqytet por edhe për sigurinë e të gjithë udhëtarëve siç ka treguar këto vitet e shkuara ku kemi pasur shumë aksidente me fatalitet”, tha Kurti.

“Tash ne e rikuperuam me shpejtësi maksimale dhe do të bëhet zgjerimi i rrugës. Do të vazhdojmë natyrisht edhe me një vizitë tjetër që do t’ia bëjmë edhe zgjerimit të rregullimit të rrugës Prishtinë Mitrovicë e cila paraqet gjithashtu një arterie shumë të rëndësishme për shtetin e Kosovës dhe për popullin tonë”, përfundoi ai.

Ministri Aliu dha detaje për këtë projekt duke treguar se projekti i zgjerimit të rrugës Prishtinë-Podujevë është projekt i cili i ka 5 lote, ku 4 lotet janë zgjerim të rrugës ekzistuese, ndërsa loti i pestë është finalizim i tashmë lotit të mëhershëm që është nga Lluzhani deri në Podujevë.

“Jemi të vendosur që kjo rrugë të kryhet në kohë, që të kemi cilësi të punimeve e paralelisht me këtë edhe për projekte të tjera, për ato të cilat kemi pas ngecje të vazhdueshme nga e kaluara të cilat janë duke u zgjidh një për një, e po ashtu edhe për projektet e reja që presin të fillojnë dhe të na vijnë në muajt në vijim”, u shpreh Aliu.

Ndërsa, Bulliqi u shpreh se kjo rrugë është jetike për qytetarët.

Vazhdon ngecja e punimeve në magjistralen Prishtinë-Podujevë, mbesin pa ujë të pijshëm banorët e disa fshatrave
Lexo po ashtu Vazhdon ngecja e punimeve në magjistralen Prishtinë-Podujevë, mbesin pa ujë të pijshëm banorët e disa fshatrave

Ditë më parë, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës kishte shpallur fituesit e tri lloteve të tenderit për zgjerimin e rrugës Prishtinë-Besi-Podujevë.

Janë tri konsorciume private që kanë përfituar nga një llot të tenderit.

Sipas njoftimit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), vlera totale e këtyre lloteve është mbi 24 milionë euro.

Ministria e Infrastrukturës shpall fituesit e tenderit për zgjerimin e rrugës Prishtinë-Podujevë
Lexo po ashtu Ministria e Infrastrukturës shpall fituesit e tenderit për zgjerimin e rrugës Prishtinë-Podujevë

Ministri Liburn Aliu në dhjetor të vitit të kaluar ka thënë se kanë zgjidhur problemet me shpronësimet për rrugën Prishtinë-Besi-Podujevë.

Aliu kishte sqaruar se i tërë segmenti do të jetë pesë llote, 16 kilometra nga Lluzhani deri në Bërnicë do të jetë e ndarë në katër llote dhe se lloti i pestë është përfundimi i rrugës nga Lluzhani deri në Poduejvë, që përbën segmentin prej 9 kilometrash. /Telegrafi/