LAJMI I FUNDIT:

Nishani i radhit “detyrat” Ramës: Sjellje ordinere, paburrëri, lëre ‘show-n’

Nishani i radhit “detyrat” Ramës: Sjellje ordinere, paburrëri, lëre ‘show-n’

Kreu i shtetit Bujar Nishani është ndjerë i fyer nga fjalimi i kryeministrit Edi Rama këtë të enjte në Kuvend.

Përmes një reagimi të publikuar në faqen zyrtare të Presidencës, Nishani thotë se është i indinjuar nga gjuha shpifëse e kryeministrit. “Sjellje kaq ordinere nuk ka ndodhur kurrë më parë në sallën e Parlamentit shqiptar. Të fyesh Kryetarin e Shtetit duke shfrytëzuar një vend ku Presidenti nuk është prezent është paburrëri e pashembullt”, thotë Nishani.

Në reagimin e tij Presidenti Nishani i bën thirrje kreut të qeverisë që të largojë nga administrata individët e përfshirë në veprimtari kriminale. Por sot ishte Partia Demokratike e cila përmes kreut të grupit Edi Paloka, i kërkoi Komisionit Qendror Zgjedhor të bënte publik formularët e vetëdeklarimit që zyrtarët dhe deputetët kanë plotësuar, në mënyrë që të shikohet nëse ka apo jo të inkriminuar.

Nishani i ka radhitur disa “detyra” kryeministrit, i cili sipas tij i ka obligim t’i realizojë ndaj qytetarëve të cilët i besuan votën 3 vjet më parë, raporton Express.

“Të krijojë mundësitë për punësim të qytetarëve të vendit, të cilët po vuajnë nga një situatë e rëndë ekonomike. Të luftojë bandat e krimit të organizuar. T’u ofrojë shërbimin shëndetësor publik qytetarëve që vuajnë çdo ditë nga nevoja për trajtim mjekësor. Të luftojë korrupsionin e përmasave shqetësuese në dëm të pasurisë publike dhe private të qytetarëve shqiptarë”, thuhet në reagimin e Nishanit.

Sipas kreut të shtetit, është Rama ai që po bllokon reformën në drejtësi, ndaj ai i bën thirrje që të ofrojë kompromisiin e nevojshëm për miratimin e saj. Edhe opozita shqiptare akuzon kreun i qeverisë si personin që po zvarrit këtë proces, ndërsa Rama pretendon të kundërtën.

“Institucioni i Presidentit të Republikës beson vendosmërisht se, përtej pengesave provizore, Shqipëria do të ecë përpara drejt forcimit dhe begatimit”, përfundon njoftimi.

Reagimi i plotë

Institucioni i Presidentit të Republikës është i indinjuar nga sjellja e paprecedent e Kryeministrit aktual në Parlament, i cili duke keqpërdorur aulën e Kuvendit të Shqipërisë fyen dhe shpif ndaj Presidentit të Republikës.

Sjellje kaq ordinere nuk ka ndodhur kurrë më parë në sallën e Parlamentit shqiptar.

Të fyesh Kryetarin e Shtetit duke shfrytëzuar një vend ku Presidenti nuk është prezent është paburrëri e pashembullt.

Institucioni i Presidentit të Republikës i kërkon Kryeministrit aktual ta lerë më së fundi ‘shoën’ dhe ekzibicionin dhe të fillojë menjëherë nga puna për të cilën është ngarkuar që tre vjet më parë.

Gjithashtu i kërkon Kryeministrit aktual të largojë urgjentisht nga administrata e shtetit individët e përfshirë në veprimtari kriminale.

Të krijojë mundësitë për punësim të qytetarëve të vendit, të cilët po vuajnë nga një situatë e rëndë ekonomike. Të luftojë bandat e krimit të organizuar. T’u ofrojë shërbimin shëndetësor publik qytetarëve që vuajnë çdo ditë nga nevoja për trajtim mjekësor. Të luftojë korrupsionin e përmasave shqetësuese në dëm të pasurisë publike dhe private të qytetarëve shqiptarë.

Të mos bllokojë reformën e sistemit të drejtësisë, por të ofrojë kompromisin e nevojshëm për miratimin e saj.

Institucioni i Presidentit të Republikës beson vendosmërisht se, përtej pengesave provizore, Shqipëria do të ecë përpara drejt forcimit dhe begatimit.