LAJMI I FUNDIT:

NINULLA E DADOS

NINULLA E DADOS

Poezi nga: Roald Dahl
Përktheu: Naum Prifti

Trimit të pashoq këngën ia thur sot,
Ky burr’ i dheut, m’i forti në botë,
Njëherë e një kohë ishte çilimi,
Pothuaj dyzet centimetra gjatësi.


E kam njohur që kur ish kërthi,
E ushqeja dhe e mbaja në pëqi,
E vija pastaj të ulej n’oturak,
Pa bërë çiçin aty nuk hidhte asnjë hap.

Ia laja palavitë mes gishtave përherë,
Thonjtë e vegjël ia prisja me gërshërë,
I krihja flokët, ia fshija hundën me kujdes,
Mbi peshore e hipja mëngjes për mëngjes.

Në ditët e lumtura të fëmijërisë qe harrakat,
Sikurse gjith’ djemtë e mirë pak i prapë.
Kur nuk bindej, ia ngjeshja një shuplakë,
Ama kur sillej mirë, e lavdëroja me hak.

Ç’kam hequr me të, unë e di.
Ma plasi shpirtin e shkretë në rini.
Kur vajti e u bë njëzet e tre vjet djalë,
S’dinte të lexonte e të shkruante një fjalë.

“Si do t’i vejë halli këtij?”pyesnin prindët e tij.
“Shtatin pyll e mendjen fyell,
Ku ka punë për këtë zymbyl?
Për gazep, veç gazetat do shpërndaëj nëpër qytet.”

“Aha,” thashë unë, “më duket se ky xhudan,
Ka ndërmend të bëhet politikan.”
“Dado, dado,” hovi djali me ngazëllim,
“Ke dhënë një super propozim!”

“Mirë,” thashë unë, “pa humbur kohë,
Artin e politikës do përvetësojë.
Të mësojë të flasë broçkulla pa doganë
sesi të fus shkopinj që ta hedhë quern matanë.
Si t’i fitojë votat e popullit me hilera,
Dhe plot e përplot marifete të tjera.

Le të sajojë nga një fjalim përditë,
Aq sa surrati në ekran do t’i ngjit’.
Dhe me gojë kurrë mos të pohojë,
Ato që në mendje do t’i mendojë.
Dhe kryesorja, si punë mësimi,
Mos lër krimbin dhëmbët t’ia haj
dhe gishtat palarë mos i mbaj”

Dhe tani që jam tetëdhjet’e nëntë vjet,
Për pendesa nuk kam fare nge.
Është faji im, ndaj ndihem pikë e vrer,
Që vajta e bëra President një derr.