LAJMI I FUNDIT:

Nikoliq: Nuk mund të kopjohet Asociacioni

Nikoliq: Nuk mund të kopjohet Asociacioni

Presidenti serb, Tomislav Nikoliq ka thënë sot se nuk mund të kopjohet Asociacioni i Komunave Serbe, duke shtuar se në asnjë vend tjetër në rajon apo në pjesë të tjera të territorit të Serbisë, nuk po bisedohet për autonomi substanciale.

Nikoliq ka deklaruar për gazetën beogradase “Novosti” se për Asociacionin diskutohet në territorin e Kosovës, për të cilën “parashihet autonomi substanciale”, dhe Serbia merr pjesë realisht në të.


“Për asnjë vend tjetër në rajon, as në pjesë të tjera të territorit të Serbisë, nuk bëhen bisedime për autonomi substanciale” shtoi ai, transmeton Klan Kosova.

Presidenti serb tha se bashkëpunimi në mes të pushtetit lokal është i mundur  brenda vendit dhe përtej kufijve në përputhje me kushtetutën e këtyre vendeve dhe vendimeve të qeverive.

Ky reagim i tij erdhi pas krijimit të Unionit të Bashkive dhe Komunave kryesore që drejtohen nga shqiptarë në  rajon.

Ky union synon krijimin  e mekanizmave të duhur të bashkëpunimit ndërmjet qyteteve shqiptare.

Unioni ka startuar me Bashkinë e Tiranës, Prishtinës, Tetovës, Ulqinit dhe Preshevës, që kanë firmosur një platformë bashkëpunimi në fusha si urbanistika, mjedisi, arti dhe inovacioni, transmeton Klan Kosova.