LAJMI I FUNDIT:

Nga të shtënat në një market në Virxhinia, humbin jetën 10 persona – sulmuesi kryen vetëvrasje

Nga të shtënat në një market në Virxhinia, humbin jetën 10 persona – sulmuesi kryen vetëvrasje

Një person i armatosur hapi zjarr mbi civilët në një market të Walmart në shtetin amerikan të Virxhinia, duke vrarë 10 persona.

Ky burrë që besohet të jetë menaxheri i një lokali hapi zjarr mbi turmën, dhe më pas ia ktheu vetes tytën e armës duke kryer vetëvrasje, transmeton Telegrafi.


Në anën tjetër policia në qytetin Chesapeake, ka njoftuar se ka pasur të shtëna armësh që rezultuan me fatalitet.

Policia ka njoftuar gjithashtu se nga këto të shtëna kanë humbur jetën 10 persona, dhe disa tjerë janë plagosur.

Deri më tani nuk dihen motivet e këtij sulmi, ndërsa pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë njësi të shumta të policisë amerikane.

Zëdhënësi i policisë Leo Kosinski ka deklaruar para mediave se të shtënat besohet të kenë ndodhur brenda një dyqani, dhe se i dyshuari kishte vepruar i vetëm – pra nuk kishte person tjetër që e asistoi në këtë vrasje masive.

Në anën tjetër nga Walmart kanë bërë të ditur se janë “të shokuar më këtë ngjarje tragjike”, dhe se po punojnë ngushtë me forcat e rendit për të zbardhur rastin.

Një punonjës i Walmart ka dhënë disa detaje të këtij sulmi vdekjeprurës, duke theksuar se po largohej nga dhoma ku qëndron stafi, kur menaxheri filloi të hap zjarr mbi civilët.

“Për fat të keq kemi humbur disa nga bashkëpunëtorët”, duke bërë të ditur se nuk e di saktë se për sa persona apo kolegë të tij bëhet fjalë që janë qëlluar nga menaxheri.

Zëdhënësja e spitalit Sentara Norfold, është cituar nga mediat lokale se të paktën pesë persona janë trajtuar në spitalin ku ajo punon.

Një grua tha për Wavy TV se vëllai i saj, një nëpunës 20-vjeç i atij dyqani, ishte qëlluar vetëm 10 minuta pasi kishte nënshkruar kontratë me këtë kompani.

Një grua tjetër e identifikuar si Joetta Jeffrey tha për CNN se e ëma e saj ishte brenda ndërtesës kur filloi sulmi dhe se kishte arritur t’i dërgojë mesazh. Ajo theksoi se ëma e saj nuk është lënduar, por është e shokuar me atë çfarë ka ndodhur.

Mark Warner, senator demokrat në shtetin e Virginia, ka shkruar në Twitter se është “tmerruar nga raportimi i të shtënave masive”.

Edhe senatori tjetër demokrat Louise Lucas, tha se “është e tmerrshme ajo çfarë ka ndodhur”. /Telegrafi/