LAJMI I FUNDIT:

Nga Shqipëria drejt majave të suksesit botëror në fitnes – Njihuni me Senada Grecën, trajneren shqiptare të ndjekur nga miliona njerëz në botë

Nga Shqipëria drejt majave të suksesit botëror në fitnes – Njihuni me Senada Grecën, trajneren shqiptare të ndjekur nga miliona njerëz në botë
Senada Greca (Foto-kolazh: Endrit Dallaveraj/Telegrafi)

Të shumtë janë emrat shqiptarë që kanë arritur në fusha të ndryshme në arenën ndërkombëtare. Populli shqiptar është kryesisht i njohur me emrat nga bota e artit që i përfaqëson në rrafshin global, por në fakt përveç artit ka edhe më tej…

Senada Greca, një shqiptare me prejardhje nga Elbasani e cila është zhvendosur që në adoleshencën e saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mund të thuhet lirshëm se ka kapur majat e suksesit në botën e fitnesit – profesion ky të cilin e ushtron tash e sa vite.


E diplomuar dhe shkolluar me Master në Biznes, Greca nuk e gjeti veten për shumë gjatë në fushën të cilës ia besoi investimin e jetës, kështu ajo vendosi që pasionin e saj për fiskulturën ta shndërrojë në profesion, duke u bërë kështu një trajnere globale e fitnesit, me një aplikacion trajnimi që quhet “Crush It By Senada Greca” dhe një linjë rrobash fiskulture, të quajtur “Zentoa”. Fama e Senadës shtrihet në mbi 3.4 milionë njerëz që e ndjekin në rrjetin social Instagram dhe 1.4 milion sosh në Tik-Tok.

Senada Greca

Shqiptarja e cila ka punuar me një mori të famshmit për tonifikimin e trupit të tyre si: Eva Longoria, Alex Rodriguez, Bebe Rexha, e shumë të tjera, ka rrëfyer ekskluzivisht në një intervistë për Telegrafin, se si arriti deri në kulmin e karrierës sportive.

Ajo thotë se pavarësisht jetesës shumëvjeçare në ShBA, rrënjët e saj mbesin në Shqipëri, gjersa dëshira për ta vizituar Kosovën dhe trevat tjera shqiptare janë gjithashtu në sirtarin e saj.

Telegrafi: Senada, ju jeni një trajnere e suksesshme e fitnesit në botë me miliona ndjekës në rrjetet sociale. Na trego pak si ka nisur karriera jote në fitnes dhe nutricion?

Senada Greca: Kam qenë gjithnjë person aktiv, që i pëlqente të ngjitej nëpër peme, si çdo shqiptar që kishte qejfin të luante përjashta. Kam qenë gjithmonë e dhënë pas sportit, kam luajtur në disa sporte të them të drejtën: basketboll, futboll, ragbi, tenis. Por për karrierë, u futa në biznes edhe shpenzova disa vite në këtë fushe por nuk isha e lumtur dhe gjithmonë isha e pasionuar pas trainimit fizik sepse më ka ndihmuar shumë nga ana fizike, por më tepër nga ana mendore.

Telegrafi: Si evoluoi gjithçka?

Senada Greca: Siç shumë njerëz që ndërrojnë faza të ndryshme të jetës, kalova një periudhë depresioni e ankthi – kështu që trajnimi fizik më ka ndihmuar shumë nga ai aspekt. Depresioni dhe ankthi janë shumë të përhapur në kohët e sotme, prandaj doja të ndihmoja shumë njerëz në botë jo vetëm nga ana fizike por edhe mendore. Në mënyrën 1-1 nuk mund të ndikosh shumë njerëz në masë, nëpër botë dhe me këtë qellim në vitin 2019 fillova të vë në Instagram të gjitha ushtrimet e mia, duke u zgjuar herët në mëngjes e me pas vazhdoja të shkoja në punën e përditshme. Pas një farë kohe, sidomos në periudhën e COVID-it, njerëzit që ishin të mbyllur gjithë ditën në shtëpi e gjetën faqen time si diçka shumë të vlefshme, sepse mund të mësonin si të bënin ushtrimet ne shtëpi dhe ishte diçka që i ndihmonte po prapë si nga ana fizike, ashtu edhe mendore. Dhe aty ka qenë periudha ku kam kapur njerëz nga çdo skaj i botës edhe që sot e kësaj dite më falënderojnë për ndihmën, sidomos gjatë periudhës së COVID-19. Kjo ishte pak a shumë historia ime, që nga një punë me numra në financa dhe biznes, arrita ta lërë atë mënjanë dhe ta kthej pasionin tim për fitnes në karrierë.

Senada Greca

Telegrafi: Sa ka qenë e vështirë të krijoni një ndjekje të tillë në rrjetet sociale dhe si e keni arritur këtë sukses?

Senada Greca: Të krijosh një ndjekje të tillë nuk është e lehtë. Dedikimi kërkon orë të tëra, pa e ditur se një ditë do shpërblehet apo jo. Kjo e bërë pavarësisht nga kërkesat e punës apo jetës ditore. Por pa sakrifica të mëdha, nuk arrihet shumë. Jam shumë e lumtur dhe falënderuese që sakrificat, lotët, djersa e netët pa gjumë nuk shkuan kot. Dhe asnjëherë nuk do shkonin kot, sepse nëse ndihmova edhe veç një njeri, kjo ishte arritje në vetvete.

Telegrafi: Ju keni prejardhje nga Shqipëria, më saktësisht nga Elbasani. Si ka qenë fëmijëria juaj këtu dhe sa ju merr malli për Shqipërinë?

Senada Greca: Po, jam nga Elbasani dhe fëmijëria ime, edhe pse nuk kemi pasur shumë, si çdo fëmijë që ka kaluar komunizmin, nuk kemi pasur shumë gjëra por ato që kemi pasur ka qenë koha që e shpenzonim me shoqërinë përjashta duke kaluar në oborr. Ka qenë periudha më e gëzuar e jetës time kur e mendoj. Më merr shumë malli dhe do të vijë këtë vit në Shqipëri (qesh).

Senada Greca

Telegrafi: Kohë më parë kemi parë se aktorja e madhe Eva Longoria ka qenë një prej klienteve tuaja që e keni ndihmuar në tonifikimin e trupit. Mund të na tregosh me cilët prej emrave të tjerë të famshëm të Hollywoodit ke pasur rastin të punosh?

Senada Greca: Ajo punon me ushtrimet e mia ne shume raste. Me shumicën e yjeve kemi punuar në mënyrë virtuale, siç e dini ndoshta edhe për Bebe Rexhën në vitin 2020. Beben e kam trainuar edhe ne person kurdo qe shkoja ne Los Angeles. Pastaj ka edhe shumë të tjerë që trajnohen me metodat e mia. Për shembull Dwayne ‘The Rock’ Johnson ka shumë njohuri për trajnnimin fizik, që kështu nuk them se trajnohet me metodat e mia (qesh) por është një mik i cili respekton shumë punën time, dhe u ndjeva shumë krenare dhe e respektuar kur nisi të më ndjekë në Instagram. Kohët e fundit kam trajnuar lojtarin e famshëm të bejsbollit, Alex Rodriguez (ish-i fejuari i Jennifer Lopezzit). Alexit i pëlqen shumë mënyra ime e trajnimit. Dhe ne fakt jemi miq të mirë me respekt të ndërsjellë.

Senada Greca duke ushtruar me atletin e famshëm amerikan Alex Rodriguez:

Telegrafi: Dua Lipa, Rita Ora, Bebe Rexha dhe Ava Max janë disa prej shqiptareve që gjithashtu kanë arritur majat e suksesit në rrafshin ndërkombëtar – përmes muzikës. A ke pasur rastin të takohesh me ndonjërën dhe cilën do veçoje për nga muzika?

Senada Greca: Siç e thash, Bebe Rexhën e kam takuar dhe kam pasur rastin të punoj me të. Sa i përket muzikës, të gjitha më pëlqejnë, i dëgjoj të pa përjashtim dhe secila ka stilin e vet. Nuk mund t’i ndaj.

Telegrafi: Obeziteti është një problem mjaft prezent te shqiptarët. Na trego pak këshillën tënde prej trajnere të fitnesit, si duhet të bindim veten për të filluar një jetesë të shëndetshme dhe t’i përkushtohemi trupit?

Senada Greca: Gjëja per te cilen flas më shumë është që njerëzit te gjejnë nje arsyen më shumë se pamja fizike… Kush është arsyeja më e madhe në mendjen e tyre se ata duhet të jenë në formë, sepse kur e bëjmë vetëm për pamjen fizike, jo shumë njerëz bëjnë fiskulturë apo hanë në mënyrë të saktë apo i bëjnë për një kohë të gjatë ndryshimet. Por kur e mendojnë për anën e shendetit fizike e mendor, e kuptojnë se sa shumë impakti ka fakti se çfarë hamë dhe çfarë aktiviteti bëjmë ditë për ditë, ne kualitetit e jeteses ne moshe te madhe– atëherë njerëzit fillojnë të bëjnë ndryshime më të thella. Kështu që them gjithmonë mbajeni ne fokus ate arsyen kryesore, dhe lerini ate t’ju shtyje. Shumë njerëz mendojnë se duhet të jesh i motivuar ose duhet të kesh diçka speciale që nuk e kanë të tjerët që të shkosh në fitnes ditë për ditë – jo, është mënyra se si ti krijon hapësirë në ditën tënde për t’ia dedikuar shëndetit dhe kur e bënë këtë ditë pas dite, ajo fillon të bëhet pjesë e jetës dhe kur fillon të bëhet pjesë jetës, ti qëndron konsistent në atë që ke krijuar, deri në arritjen e rezultateve. Mendoj që shumë rrallë mendomë se si do të jemi kur të jemi 60, 70, 80 vjeç – mendojmë vetëm për momentin. Mendojmë se si do dukemi për verën… Njerëzit, në qoftë se fillojnë dhe marrin perspektivën që ‘ky është trupi që kam për një kohë të gjatë’, me te cilin do plakem. Kur kujdesesh për trupin kujdesesh edhe për mendjen. Është e studiuar edhe nëpër shumë letra shkencore që mënyra se si fiskultura ndikon jo vetëm në trup por edhe nga ana mendore, dhe kjo është ajo që njerëzit duhet të mbajnë mend – aktivitetet dhe vendimet që marrin ndikojnë jo vetëm për sot, për një verë apo për një vit, por ndikojnë se si do të ndjehemi në të ardhmen kur të kemi nevojë për të qenë më mirë fizikisht dhe psikisht.

Senada Greca

Telegrafi: Na fol pak për jetën tënde private. A jeni në lidhje dhe si është raporti yt me motrat dhe prindërit?

Senada Greca: Jeta private shkon mirë, me partnerin kemi marrëdhënie shumë të mira. Më mbështet në çdo anë të jetës time: nga ana e biznesit, nga ana shpirtërore .Me motrat dhe prindërit janë shumë e lidhur. Kam dy motra që janë më të vogla se unë dhe jemi shumë të lidhur, flasim për ditë, dy herë në ditë. Dhe sa herë kam mundësi për shembull një herë ose dy herë në muajsh shkoj dhe i vizitoj në New York. Do jemi të gjithë këtë fund-verë në Shqipëri. Janë bërë goxha vite pa ardhur, janë bërë shtatë vite që nga hera e fundit kur ishim atje dhe me zor pres

Telegrafi: A keni qenë ndonjëherë në Kosovë dhe nëse jo – a keni në plan ta vizitoni?

Senada Greca: Nuk kam qenë në Kosovë dhe do doja shumë të vija, nuk e di nëse do e kem këtë mundësi këtë herë por do të doja shumë patjetër. Kam shumë shoqe që janë nga Kosova dhe janë njerëz shumë të mirë. I kam shumë të afërt në zemër, janë njerëz shumë të dashur, shumë të çiltër dhe shumë familjarë.

Senada Greca

Telegrafi: Një ditë e zakonshme e jotja: Si nis, si vazhdon dhe si përfundon?

Senada Greca: Dita ime fillon duke medituar, duke bërë frymëmarrje të thella, pastaj bëj një dush ose banjo me ujë të ftohtë, të paktën pesë deri në 10 minuta dhe kjo është shumë e vlefshme për të përforcuar sistemin imunitar, qarkullimin e gjakut, përmirësimin e shëndetit mendor dhe shumë gjëra të tjera që unë i bëj për tu kujdesur për trupin dhe mendjen. Pastaj fiskulturën e bëj pasdite kohëve të fundit, e kam pasur në mëngjes por tani duke iu vënë punës që kam me biznesin paradite, e zhvendosa për pasdite palestrën. Paradite mbaj mbledhjet me njerëz të ndryshëm anë e mbanë botës, sepse kam lansuar edhe një linjë rrobash fiskulture (Zentoa) kështu që punoj me njerëz të ndryshëm – me aplikacionin “Crush It” punoj me njerëz që janë në Londër, me linjën e rrobave punoj me njerëz që janë në Australi, kështu që orari im i punës është shumë i ngjeshur. Pasdite shkoj në palestër sepse kjo funksionon më tepër për orarin tim edhe ka më pak njerëz, ku mund të xhiroj pak më lirshëm. Shumicën e kohës, ndodh nganjëherë që të harxhoj edhe 14 orë në ditë duke punuar (qesh). Shikoj ndonjëherë rrallë televizor, ndonjë dokumentar biografik, apo emision natyre. Kohëve të fundit jam obsesionuar me emisionin “Alone”, më jep qetësi shpirtërore para se të bie në gjumë.

Telegrafi: Nga dëshira për rezultate të shpejta, shumë të rinj në vendin tonë mashtrohen me përdorimin e substancave steroid. A ndodh e njëjta edhe në Amerikë dhe çfarë sugjeron ti?

Senada Greca: Më vjen shumë keq që e dëgjoj këtë sepse nuk e dija të them të drejtën si është situata atje. Këtu mesa dëgjoj unë ka njerëz të rinj dhe që përdorin substanca që nuk i konsiderojnë në mendjen e tyre që të jenë shumë abuzive në trup. Por për mendimin tim nuk janë natyrale, unë nuk i kam përdorur asnjëherë dhe nuk kam ndër mend t’i përdor kurrë, sepse çdo gjë që dua të fus në trupin tim dua të jetë sa më e pastër dhe natyrale. Sepse jam e mendimit që çdo substancë jo-natyrale që i futë trupit do të ndikojë një aktivtet patjetër dhe nëse ti nuk e shikon tani, do ta shikosh në të ardhmen. Tani çdo njeri merr vendimet e veta, është vendim personal por unë nuk jam në mbështetje të përdorimit të këtyre substancave, sepse mendoj se me punë arrihet shumë. Gjithashtu mendoj se është shumë më e vlefshme të arrish diçka me punë sesa duke i shtuar vetes gjëra jo natyrale. Kur e bën çdo gjë me vullnet, e forcon atë muskulin e brendshëm që unë e quaj ”The I can muscle” (Unë mundem të arrij muskul). Shumë flasin për muskujt e jashtëm, por e vërteta është se duhet të punojmë mbi muskulin më të rëndësishëm, “muskujt e mendjes”.

Telegrafi: Cila është motoja jote e jetës?

Senada Greca: Më pëlqen shumë fraza “Mendja e shëndoshë në trup të shëndoshë” [lat; Mens sana in corpore sano], sepse janë gjithmonë të lidhura bashkë. Sepse kur kujdesemi për trupin, kujdesemi edhe për mendjen.

Telegrafi: Senada, faleminderit shumë për intervistë. Për fund, cili do të ishte mesazhi yt drejtuar të gjithë atyre që po e lexojnë këtë intervistë?

Senada Greca: Për sa i përket fitnesit, sugjerimi që do të jepja është që të fokusohen në faktin se mënyra se si aktivitet qe inkorporojnë në jetë, nuk është për sot ose nesër, por është për të ardhmen, për ta pasur këtë shtëpi, këtë trupin tonë, i cili është shtëpia jonë e vetme që kemi, që e marrim me vete kudo – iu them që të kujdesemi për atë dhe ta bëjmë fitnesin me tepër me atë qëllim në mendje. Dhe çdo gjë të merret ditë për ditë, hap më hap, të mos shikojnë për rezultate të shpejta. Por shko të marrësh hapa të vogla, ndonjëherë kur shikojmë malin që kemi për të ngjitur përpara ndonjëherë është intimidues, kështu që shiko vetëm hapin përpara, merr një hap pastaj një tjetër dhe duke marrë këta hapa të vegjël, arrihen lartësi të mëdha. /Telegrafi/

Senada Greca

Në trend

Më shumë
Numri i serbëve në Kosovë po zvogëlohet, por jo për shkak të “terrorit shqiptar”, Knaus: Pretendimet e tilla të Vuçiqit janë mashtrim

Numri i serbëve në Kosovë po zvogëlohet, por jo për shkak të “terrorit shqiptar”, Knaus: Pretendimet e tilla të Vuçiqit janë mashtrim

Lajme

"O Bes Kallaku", reagimi epik i Xhensilës kur fansat i përmendin ish-partnerin në koncert

Magazina
Gazetari britanik tregon nëse mund të ketë luftë në Kosovë dhe Bosnjë

Gazetari britanik tregon nëse mund të ketë luftë në Kosovë dhe Bosnjë

Siguri
Araujo merr vendim për të ardhmen

Araujo merr vendim për të ardhmen

La Liga
Ana Skrel

Ana Skrel "djeg" rrjetin me një fotografi ku dukej tejet joshëse, nuk mungon komenti i Robert Berishës

Magazina
A u vodh Barcelona në El Clasico? Cafu deklarohet shkurt dhe qartë

A u vodh Barcelona në El Clasico? Cafu deklarohet shkurt dhe qartë

La Liga
Kalo në kategori