Nga kampion bote te trajner – çfarë po bën sot shqiptari i vetëm që e ka fituar Kupën e Botës?

Sonte sytë e botës do të jenë të drejtuar nga stadiumi "MetLife" në New Jersey, ku Spanja dhe Argjentina do të përballen në finalen e madhe të Kupës së Botës 2026.
Teksa dy kombëtare synojnë të shkruajnë histori të re, kujtimet rikthehen 12 vite pas, kur Gjermania ngriti trofeun më të çmuar të futbollit në Botërorin e vitit 2014 të zhvilluar në Brazil.
Gjermanët triumfuan 1-0 ndaj Argjentinës në finale falë golit të Mario Gotzes në vazhdime, duke fituar titullin e katërt botëror.
Në atë sukses historik ishte pjesë edhe një futbollist shqiptar – Shkodran Mustafi.
Mbrojtësi me origjinë shqiptare mbetet edhe sot futbollisti i vetëm shqiptar që ka fituar Kupën e Botës. Ai ishte pjesë e skuadrës së Joachim Lowit gjatë turneut, duke dhënë kontribut në rrugëtimin e Gjermanisë drejt trofeut.
5 years ago and this still gives me goosebumps 🇩🇪🏆🥇#sm20 #WorldCup #brazil2014 pic.twitter.com/IdGpSAMdfx
— Shkodran Mustafi (@MustafiOfficial) July 13, 2019
Mustafi e mbylli karrierën si futbollist profesionist në vitin 2024, pasi regjistroi 20 paraqitje dhe dy gola me fanellën e kombëtares gjermane.
Megjithatë, ai vazhdon të jetë pjesë e futbollit gjerman. Aktualisht punon si ndihmëstrajner i kombëtares U21 të Gjermanisë, e cila është pranë sigurimit të kualifikimit në Kampionatin Evropian U21 që do të organizohet vitin e ardhshëm në Shqipëri dhe Serbi.
Në nivel klubesh, Mustafi ndërtoi një karrierë të pasur në disa prej ligave më të forta të Evropës. Ai u bë i njohur sidomos me Arsenalin, ku zhvilloi 135 ndeshje dhe realizoi nëntë gola.
Gjatë karrierës ai veshi edhe fanellat e Hamburgut në kategoritë e reja, Sampdorias, Evertonit, Valencias, Schalkes dhe Levantes, ku edhe i dha fund karrierës si futbollist.
Sot, ndërsa Spanja dhe Argjentina përgatiten të luftojnë për titullin e kampionit të botës, Shkodran Mustafi vazhdon të mbetet një emër historik për futbollin shqiptar, si lojtari i vetëm që ka ngritur trofeun më prestigjioz në futbollin botëror./Telegrafi/









































