LAJMI I FUNDIT:

Nga dritarja e banesës, Berisha thirrje mbështetësve: Vazhdojmë të pamposhtur mosbindjen civile

Nga dritarja e banesës, Berisha thirrje mbështetësve: Vazhdojmë të pamposhtur mosbindjen civile

Ish-kryeministri Sali Berisha i cili prej 30 dhjetorit është vendosur në “arrest shtëpie” ka mbajtur mbajtur fjalën e tij për simpatizantët demokratë me anë të një mikrofoni e duke dalë në dritare.

Ai u bëri thirrje mbështetësve që të vazhdojnë aksionin me mosbindje civile, pasi sipas tij nuk ka gjë më të rëndësishme se përmbysja e Edi Ramës.


“Ju garantoj se nuk ka qenë absolutisht vendimi i Edi Ramës që ka ndërprerë komunikimin, por ka qenë një gjendje gripale e cila kërkonte që të ruhesha për mosrëndimin e saj. Ajo kaloi shkëlqyeshëm dhe do ju rrëfej një gjë. Gjithë jetën unë kisha bërë vaksinën e gripit, por kur pushtetet filluan të na e imponojnë si në diktatura qytetarëve, unë hoqa dorë prej saj dhe nuk do ta bëj më ndonjëherë”.

“Miqtë e mi, Edi Rama në traditën e tij më të shëmtuar, në traditën e të atit të tij xhelat, i cili si zëdhënës i Ramiz Alisë dhe Nexhmije Hoxhës, firmoste varjen në litar të fjalës së lirë të poetit të pavdekshëm Havzi Nela, urdhëroi mercenarët e tij të vendosin t’i ndërpresin Sali Berishës çdo komunikim me ju”, tha Berisha

Më tej ai tha se “Unë dhe çdo njëri prej jush kemi dy Kushtetuta. Kushtetutë supreme kemi ndërgjegjen tonë. Ajo është hyjnore, është tokësore. Ne i bindemi asaj, njëlloj si Zotit dhe ndaj u garantoj ju se Sali Berisha do pranojë dhe do bëjë vetëm atë që është në interesin tuaj, në interesin e demokratëve, në interesin e pluralizmit, në interesin e Shqipërisë. Përveç kësaj, vendi, kombi ka një Kushtetutë të miratuar. Një Kushtetutë që përdhoset, shkelmohet çdo ditë nga diktatori i bandave, Edi Rama dhe mercenarët e tij në SKAP dhe në drejtësi. Për Edi Ramën, Kushtetuta e vendit nuk ekziston”.

“Kushtetuta ka një nen të saj, ka nenin 17, në të cilin përcakton se nuk ka kryeministër, nuk ka gjykatës, nuk ka prokuror që mund të mohojë lirinë e shprehjes. Ajo mund të ndodhë vetëm me ligj, por horrat ligj nuk kanë, horrat moral nuk kanë. Ndaj dhe ne respektojmë Kushtetutën supreme, por respektojmë edhe Kushtetutën që qëndron në themel të shtetit ligjor. Miqtë e mi, kjo është një betejë që ka një mision të shenjtë hyjnor, rikthimin e pluralizmit pas zhdukjes së tij 33 vjet nga themelimi i PD”.

“Edi Rama është vërsulur ndaj çdo demokrati dhe demokrateje me urrejtjen primitive, me tërbimin e papërmbajtur të etërve të tij, me shpresë dhe besim se do mund të arkivojë në histori PD.
Por ne jemi këtu sot për t’u betuar para ndërgjegjes sonë, para njëri-tjetrit se Edi Rama me grupin e tij kriminal, me skapistët e tij, mercenarë të krimit, do marrin shumë shpejt vendin që meritojnë. Në këtë betejë megjithatë ne jemi shumica, pasi shumica e padiskutueshme e shqiptarëve janë për pluralizmin politik, janë kundër mafies dhe shtetit të saj.
Megjithatë, për momentin është sundimi i saj”, tha Berisha.

Avokatët e Berishës ankimojnë masën e sigurisë arrest shtëpie për ish-kryeministrin
Lexo po ashtu Avokatët e Berishës ankimojnë masën e sigurisë arrest shtëpie për ish-kryeministrin

“Sot, është pra një ditë e mbarë për ne, sepse ne jemi më të vendosur se kurrë, ne sot jemi më të vetëdijshëm se kurrë se cili është regjimi i Edi Ramës.Në fakt edhe unë u përpoqa të jap modestisht të jap ndihmesën time në mënyrë që të gjithë shqiptarët ta marrin vesh, bota ta marrë vesh se ç’përfaqëson kllouni i Brukselit, që në Uashington rekruton McGonigal, në Bruksel sillet si kloun, kurse këtu sillet si një narkodiktator. Duhet t’u them dhe një moment, frika miqtë e mi është një ndjenjë fiziologjike, mbrojtëse e rëndësishme për njeriun. Por frika ndaj frikacakëve, frika ndaj horrave pa moral është e pafalshme, është mëkat. Këtë ta ketë të qartë çdo shqiptar”.

Berisha tha më tej se “Askush të mos mendojë se ka bandit krim, çdo njeri ta dijë se njeriu më frikacak i Shqipërisë është Edi Rama. Njeriu i parë që ia mbath është Edi Rama, pas tij si zagarë skapistët e krimit e të tjerë me radhë. Ndaj le të vazhdojmë ne të pamposhtur çdo ditë me aktet e mosbindjes civile kundër kësaj diktature. E them dhe një herë, Zoti të vret kur armikut nuk i thua armik. Dhe ne ndonjëherë në histori nuk kemi pasur një armik më të egër të qenies sonë se Edi Ramën”.

“Jetojmë në një vend ku ligji nuk ekziston, ku ligji shkelmohet çdo ditë dhe zëvendësohet nga urdhrat e Edi Ramës. Jetojmë në një vend ku Kushtetuta zëvendësohet me vullnetin e lig të një njeriu që vjedh dhe që ka vjedhur në 10 vite më shumë se të gjithë kryeministrat, shqiptarë dhe pushtues të të gjitha kohërave. Jetojmë në një vend ku 90 përqind e gjithçkaje që krijohet si të ardhura, vidhet dhe shpërdorohet nga Edi Rama dhe suita e tij. Jetojmë në një vend nga i cili, si në asnjë vend tjetër në Europë, shqiptarët largohen me brengën e madhe se këtu nuk jetohet”.

“A ka pra, mision më të shenjtë, a ka gjë më të madhe se të firmosim kthesën e historisë? A ka gjë më të madhe se së bashku të firmosim përmbysjen e kësaj diktature të dytë në 32 vite? A ka gjë më të madhe se së bashku të kthejmë Shqipërinë në dheun e shqiptarëve, jo të Edi Ramës, mafies së Xhorxh Sorosit dhe mafies ndërkombëtare. Shqipëria e shqiptarëve, Shqipëria e shqiptarëve, Shqipëria e shqiptarëve!”, tha ai.

Tutje tha se “Vetëm Shqipëria e shqiptarëve do jetë një vend i denjë, krenar për bijtë dhe bijat e saj. Do të jetë një vend i denjë krenar për miqtë e saj në rajon, për miqtë e saj në Europë, për miqtë e saj në botë”.

“Shqipëria e Edi Ramës është Shqipëria e mallkuar për shqiptarët. Shqipëria e Edi Ramës është Shqipëria e burgosjes së liderëve të opozitës njëlloj si Mianmari, Teherani, Bjellorusia, Rusia dhe të tjerë. Shqipëria e Edi Ramës është Shqipëria në të cilën qytetarët vidhen më shumë se në çdo vend të tjetër të botës. Shqipëria e Edi Ramës dhe e Xhorxh Sorosit është Shqipëria e demoralizimit të plotë të rinisë, të qytetarëve, për situatën e krijuar. Ndaj dhe duhet të ngrihemi, të ngrihemi me guxim. Është koha e guximtarëve, është koha e sakrificave, është koha e fitores. Ne do fitojmë!”, tha Berisha. /Telegrafi/