Eraldo Xhelili

Pak ditë më parë, duke ndalur televizorin tek ERT 1, më tërhoqi mënyra si televizioni publik grek prezantonte me dinjitet epokën e re dixhitale - me studio moderne, aplikacione të reja dhe bashkëpunime me BBC e RAI. Por, kjo rilindje erdhi pas mbylljes së ERT-së në vitin 2013, për shkak të shpërdorimeve dhe mungesës së transparencës, një fat që, në një mënyrë a tjetër, po ndjek edhe RTSh-në sot.


RTSh-ja është më shumë se një institucion publik. Është kujtim, zë dhe histori kombëtare. Për mua personalisht, është vendi ku nisa të njihja botën në gjuhën shqipe, një pjesë e pandarë e identitetit mediatik të shqiptarëve.

Në prill 2025, për herë të parë në krye të RTSh-së u emërua një grua: gazetarja Eni Vasili. Ajo e gjeti institucionin në krizë të thellë, me borxhe, gjyqe të humbura dhe punonjës të papaguar për muaj të tërë. Problemet nuk i krijoi ajo, por i trashëgoi. Mungesa e investimeve, infrastruktura e amortizuar dhe politikat e gabuara menaxheriale e kanë zhytur RTSh-në në dekadencë.

Godina ikonike e dikurshme sot ngjan më shumë me një institucion të braktisur sesa me një televizion kombëtar. RTSh-ja ka mbetur peng i burokracisë dhe servilizmit, me pak hapësirë për profesionistë e talente të reja. Edhe mbyllja e emisionit kulturor “ARTES” është tregues i një mungese vlerësimi për gazetarinë e kulturës dhe mendimin kritik.

Megjithatë, përpjekjet e drejtoreshës janë të dukshme: kontakte me EBU-në, diskutime në Bruksel për asistencë teknike dhe kërkesa për fonde shtesë nga shteti. Vasili synon të rikthejë frymën publike të televizionit, ta bëjë më transparent dhe më afër qytetarëve. Por, reforma kërkon kohë, mbështetje dhe vullnet politik real.

Transformimi dixhital është një tjetër domosdoshmëri. Platforma “RTSh TANI”, dikur një ndër më funksionalet në rajon, sot është jashtë përdorimi, një simbol i stanjacionit teknologjik të RTSh-së. Pa prani dixhitale dhe përfshirje publike, RTSh-ja rrezikon të mbetet e izoluar dhe e parëndësishme për brezat e rinj.

Në një vend demokratik, media publike është pasuri kombëtare, jo pronë politike. Drejtuesit e saj duhet të matin suksesin me besnikërinë ndaj publikut, jo ndaj qeverisë. Kjo është sfida më e madhe dhe ndoshta shpresa e fundit për ta shpëtuar RTSh-në nga dekadat e krizës.

Eni Vasili ka përpara një rrugëtim të vështirë, por jo të pamundur. Nëse arrin të rikthejë besimin, dinjitetin dhe transparencën, ajo mund të shndërrohet në figurën që do ta nxjerrë më në fund RTSh-në nga dekada e errët drejt epokës së saj të re.