Manuel Neuer pritet ta zgjasë qëndrimin e tij legjendar te Bayern Munich, pasi raportohet se ka arritur marrëveshje të plotë për rinovimin e kontratës.

Portieri veteran, i cili së fundmi i mbushi 40 vjeç, është zotuar të qëndrojë edhe një vit te gjiganti bavarez, duke bërë që epoka e tij në “Allianz Arena” të vazhdojë të paktën deri në vitin 2027.


Telenovela e gjatë rreth së ardhmes së Neuerit më në fund ka marrë fund. Sipas Sky Germany, fituesi i Kupës së Botës ka arritur “marrëveshje të plotë” për ta zgjatur kontratën me Bayern Munich deri më 30 qershor 2027.

Ky lajm shihet si një përforcim i madh për drejtuesit e klubit, të cilët ishin të vendosur t’i ruanin shërbimet e kapitenit edhe për një sezon tjetër.

Rinovimi pritet të finalizohet para ndeshjes së fundit në shtëpi për Bayern Munich këtë sezon në Bundesliga, ndaj Kolnit, të shtunën.

Që nga transferimi nga Schalke në vitin 2011, Neuer është konsoliduar si një nga portierët më të mëdhenj, madje nga shumëkush konsiderohet portieri më i mirë në historinë e klubit dhe kjo marrëveshje e fundit i mundëson të synojë edhe më shumë rekorde në vitet e fundit të karrierës.

Edhe pse Bayern ishte i interesuar ta mbante portierin numër një, një pjesë kyçe e negociatave lidhej me një ulje të ndjeshme të pagës bazë.

Aktualisht, 40-vjeçari raportohet se fiton rreth 20 milionë euro bruto në vit, përfshirë bonuset.

Mirëpo, sipas kushteve të reja, ai do të pranojë një ulje page, në mënyrë që klubi ta menaxhojë më mirë buxhetin e përgjithshëm të pagave./Telegrafi/

telegrafi sport app