Ushtarët e Komandës Rajonale-Perëndim të KFOR-it realizuan një stërvitje me helikopterë në kampin “Villaggio Italia” në Pejë, me qëllim përmirësimin e gatishmërisë operacionale dhe forcimin e koordinimit midis ekuipazheve ajrore dhe personelit tokësor.

Sipas KFOR-it, aktiviteti përfshiu skenarë të ndryshëm operativë, duke përfshirë transportin e personelit, evakuimin e të lënduarve dhe reagimin ndaj emergjencave.


Ushtrimet synojnë që personeli të ruajë një nivel të lartë përgatitjeje dhe ndërgjegjësimi për situatën në terren.

KFOR-i thekson se stërvitje të tilla janë pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Forca e sigurisë ndërkombëtare vazhdon të zbatojë mandatin e saj në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, duke kontribuar në ruajtjen e sigurisë dhe lirisë së lëvizjes për të gjithë, në mënyrë të paanshme dhe të qëndrueshme./Telegrafi.