LAJMI I FUNDIT:

Nëse lufta fillon nesër!

Nëse lufta fillon nesër!
Ilustrim

Evropa sot po përballet me krizën më të madhe dhe më të rrezikshme të sigurisë, sepse Rusia ka të rreshtuar në kufi me Ukrainën 140 mijë trupa dhe armatime të sofistikuara, ku bien në sy 70 grup-batalione taktike, njësi të Ushtrisë të Tankeve të Gardës, forca të blinduara, aeroplanë, raketa dhe anije, që e kanë rrethuar Ukrainën në formë patkoi, plotësisht të përgatitur për të nisur një pushtim.

Kontinenti ynë ndodhet në prag të ofensivës më të madhe ushtarake që nga Lufta e Dytë Botërore, që Rusia mund të kryejë kundër Ukrainës, e cila do të jetë një katastrofë me pasoja të pashoqe. Për të shmangur këtë tragjedi, Shtetet e Bashkuara dhe gjithë Komuniteti Euroatlantik po bëjnë përpjekje të ethshme diplomatike, duke i kombinuar me shkurajimin ushtarak dhe sanksione ekonomike.


Shërbimet informative amerikane paralajmërojnë se Presidenti Vladimir Putin mund të nisë pushtimin e Ukrainës brenda disa ditësh, ndërsa vetë ai dhe personalitete të larta të shtetit rus po përsërisin refrenin: “Ne nuk duam luftë, por nuk do të lejojmë askënd që të shkelë mbi interesat tona”.

Kjo retorikë është historikisht mjaft e njohur në Rusi dhe jashtë saj. Shembujt janë të shumtë. Në vigjilje të Luftës së Dytë botërore, më 1938, në Rusi u bë mjaft e njohur kënga “Po të fillojë lufta nesër”, e cila thotë: “Ne nuk duam luftë, por do të mbrohemi … do ta shfarosim armikun … me pak gjakderdhje dhe një goditje të fuqishme…”. Sapo kënga pushtoi imagjinatën e vendit, Bashkimi Sovjetik pushtoi Finlandën. Sot, Kremlini vazhdon të thotë se dëshiron të shmangë konfliktin, por duket se po bën gjithçka që mundet për ta provokuar atë.

Po kështu, katër muaj pas samitit të Bukureshtit, prill 2008, ku NATO njoftoi se Ukraina dhe Gjeorgjia do t’i bashkoheshin Aleancës, Rusia pushtoi Gjeorgjinë. Në vitin 2014, kur Ukraina po përgatitej të nënshkruante Marrëveshjen e Asociimit me Bashkimin Evropian, Moska goditi sërish, duke akuzuar Ukrainën se po përpiqej të hynte në NATO me mënyra të tërthorta, aneksoi Gadishullin e Krimesë dhe nxiti një luftë të vazhdueshme në Ukrainën juglindore, në Donbas dhe Luhansk.

Çfarë kërkon Rusia?

Presidenti Putin, me kërkesat e veta që Shtetet e Bashkuara dhe NATO të japin garanci ligjore që NATO nuk do të zgjerohet më në Lindje; që NATO të ndërpresë përgjithmonë zgjerimin e mëtejshëm të infrastrukturës ushtarake të Aleancës në territorin e vendeve të Evropës Lindore të anëtarësuara në Aleancë pas vitit 1997 dhe që Perëndimi të ndërpresë ndihmën ushtarake për Ukrainën etj., nuk kërkon as më shumë e as më pak, por shkatërrimin e arkitekturës të sigurimit euroatlantik dhe një kthim prapa nga marrëveshjet themelore ndërkombëtare, që rregullojnë të drejtat e shteteve për vetëvendosje, gjë që Shtetet e Bashkuara, aleatët dhe partnerët e vet nuk do ta pranojnë kurrë.

Presidenti Biden dhe NATO nuk mund të miratojnë asnjë marrëveshje, që do të ndalonte një shtet sovran të anëtarësohej në Aleancë. Në Traktatin e Uashingtonit është sanksionuar që këto vendime janë individuale dhe i përket çdo kombi të vendosë për vetveten. Ato nuk mund të tjetërsohen sipas ambicieve hegjemoniste të Rusisë, e cila ka një objektiv të katërfishtë: rikuperimin e territorit sovjetik, shndërrimin e Evropës Qendrore në një zonë të influencës ruse, të përçajë Bashkimin Evropian dhe të krijojë mosmarrëveshje midis Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, garantuesit të paqes dhe të sigurisë evropiane.

Kësisoj, qëllimi i Putinit është më i madh se mbyllja e “derës së hapur” të NATO-s ndaj Ukrainës dhe marrja e më shumë territoreve; ai dëshiron të largojë Shtetet e Bashkuara nga Evropa. Zyrtarët e Kremlinit jo vetëm që sfidojnë legjitimitetin e arkitekturës së sigurisë euroatlantike, por po përpiqen t’i çojnë ambiciet dhe mosmarrëveshjet e tyre në Evropë edhe në Azi dhe Hemisferën Perëndimore. Dhe pyetja e thjeshtë që lind është: çfarë lidhje ka Ukraina me Japoninë, me Kubën apo Venezuelën?

Qasja e NATO-s

NATO është aleancë politiko-ushtarake e themeluar sipas Traktatit të Uashingtonit për të mbrojtur anëtarët e vet dhe nuk është kërcënim as për Rusinë dhe për askënd. Krahas përpjekjeve të veta për të forcuar mbrojtjen dhe shkurajimin, NATO fton Rusinë për dialog, të ulë menjëherë tensionet dhe të zgjidhë mosmarrëveshjet jo përmes forcës apo kërcënimit me anë të forcës, por përmes dialogut dhe diplomacisë. Konkretisht, NATO i propozon Rusisë:

– të forcojnë marrëdhëniet NATO-Rusi;

– për sa i përket sigurisë evropiane, duke përfshirë situatën në dhe rreth Ukrainës, NATO është e përgatitur të dëgjojë shqetësimet e Rusisë në Këshillin NATO-Rusi dhe të angazhohet me të në një bashkëbisedë real për të forcuar parimet themelore të sigurisë evropiane, përfshirë të drejtën e çdo kombi të zgjedhë vetë mënyrën se si dëshiron të garantojë sigurinë e vet, kësisoj, Rusia të heqë dorë nga kërcënimet dhe aktivitetet kundër aleatëve dhe vendeve të tjera, të tërheqë forcat e veta nga Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia dhe, së bashku, të angazhohen për zgjidhjen e konflikteve, duke përfshirë edhe formatin e Normandisë dhe,

– së fundi, të punojnë për reduktimin e rreziqeve, rritjen e transparencës dhe modernizimin e Dokumentit të Vjenës për transparencën ushtarake, kontrollin e armatimeve, duke përfshirë edhe armët bërthamore dhe raketat me rreze të mesme dhe të shkurtër veprimi. Pos propozimeve për bashkëpunim dhe përkushtimit për të gjetur një zgjidhje politike, Aleanca po përgatitet edhe për më të keqen. NATO ka rritur praninë e vet në pjesën lindore të Aleancës me më shumë trupa, grupe luftarake, me grupet luftarake të aeroplanmbajtëseve amerikane dhe britanike, me më shumë anije në detin Mesdhe dhe Detin e Zi, si dhe me më shumë aeroplanë. Po kështu, NATO ka rritur gatishmërinë e Forcës së Reagimit dhe po shqyrton, gjithashtu, nëse duhet të ketë ndryshime më afatgjata në konfigurimin ushtarak të Aleancës në pjesën e vet lindore.

Fronti i bashkuar

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Kryeministri i Britanisë së Madhe, Presidenti i Francës, Kancelari i Gjermanisë, Kryeministri i Italisë, Presidenti i Polonisë, që kryeson edhe OSBE-në; Kryeministri i Kanadasë, Presidenti i Rumanisë, Presidenti i Këshillit Evropian dhe Presidentja e Komisionit Evropian, ministra të Jashtëm dhe të Mbrojtjes, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë të këtyre vendeve bëjnë përpjekje të vazhdueshme dhe të pandërprera virtuale dhe të drejtpërdrejta për një front të njësuar kundër kërcënimit, që ngërthen rreshtimi i trupave dhe kapaciteteve ushtarake ruse përgjatë kufirit me Ukrainën, duke ftuar Presidentin rus të dialogojnë me synim uljen e tensioneve dhe parandalimin e pushtimit të Ukrainës, që do të jetë një katastrofë e tmerrshme. Sekretari amerikan i Shtetit vëren se, javët e fundit, zyrtarët amerikanë janë angazhuar në 200 takime diplomatike, telefonata dhe video-konferenca për të koordinuar të gjithë partnerët në përballje të një agresioni të mundshëm kudër Ukrainës.

Pushtim i mëtejshëm rus i Ukrainës apo copëtimi dhe neutralizimi i saj nuk mund të jetë një çështje negociatash. Komuniteti euroatlantik po i tregon zotit Putin se ai do të përballet me një rezistencë globale dhe agresioni i zotit Putin do t’i rrezikojë marrëdhëniet politike dhe ekonomike të Rusisë përtej Evropës. Sekretari Blinken, para disa ditësh, e trajtoi këtë krizë edhe me vendet e ‘Dialogut Katërpalësh të Sigurisë’: Australi, Japoni, Indi dhe Shtetet e Bashkuara. Po kështu, Shtetet e Bashkuara, aleatët e tyre dhe vetë Ukraina e kanë ngritur dhe do të vazhdojnë ta trajtojnë këtë çështje në Këshillin e Sigurimit dhe në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Mbështetja euroatlantike

Duke filluar nga viti 2014, Shtetet e Bashkuara i kanë akorduar Ukrainës 2,5 miliardë dollarë ndihmë. Vetëm dhjetorin e kaluar, Ukraina mori një ndihmë prej 200 milionë dollarësh për armatime e municione, radio të sigurta, pajisje mjekësore dhe pjesë këmbimi, përfshirë raketa antitank Javelin, si dhe mitraloza të rëndë. Po kështu, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur mijëra trupa shtesë në vendet e NATO-s në Evropën Lindore dhe mijëra të tjerë qëndrojnë në gatishmëri. Këto trupat janë dërguar për të përforcuar dhe mbrojtur Aleancën brenda territorit të vet. Shtetet e Bashkuara nuk do të dërgojnë trupa në Ukrainë, sepse ajo nuk është anëtare e NATO-s.

Ndërsa në Kongresin amerikan janë paraqitur projektligje si ai i Senatorit Menendez për të mbështetur më tej Ukrainën, administrata e Presidentit Biden po bashkëpunon me furnizuesit e gazit dhe të naftës nga Lindja e Mesme, Afrika e Veriut dhe Azia për t’u siguruar aleatëve evropianë karburant, në rast se Rusia do të ndërpresë furnizimet me karburant gjatë një përshkallëzimi të konfliktit.

Këto lëvizje janë një mesazh i qartë se Amerika është e gatshme të sigurojë aleatët e vet të NATO-s dhe është e vendosur t’i mbrojë ata kundër çdo agresioni. Në shembullin e Shteteve të Bashkuara po veprojnë edhe aleatët evropianë. Mbretëria e Bashkuar po luan një rol mjaft aktiv edhe nga pikëpamja ushtarake. Pos trajnimit që u ka ofruar 22000 ushtarëve ukrainas, ka shtuar praninë e vet ushtarake në veri dhe në lindje të kontinentit: në Norvegji ndodhet aeroplanmbajtësja Princi i Uellsit; në Estoni, Britania e Madhe po dyfishon praninë në Tapa; në Poloni mbërrijnë 350 trupa shtesë; në Rumani kryen policimin ajror, kësisoj, po rrit numrin e aeroplanëve Tajfunë pranë Qipros, po dërgon anije në Mesdheun lindor dhe Detin e Zi, po vendos në gatishmëri 1000 trupa në rast të një krize humanitare në kufijtë lindorë të NATO-s dhe i ka ofruar Ukrainës 110 milionë dollarë për të forcuar marinën e vet. Estonia, Letonia dhe Lituania kanë mbështetur Ukrainën me raketa antitank dhe kundërajrore, po kështu Republika Çeke.

Turqia e ka pajisur ushtrinë ukrainase me dronë Bayraktar TB2. Holanda dhe Spanja kanë dërguar në rajon aeroplanë dhe anije luftarake për të mbështetur NATO-n. Aleatë të tjerë, si: Danimarka dhe Belgjika kanë në gatishmëri aeroplanë F-15 dhe F-16. Ndihma ka ofruar Kanadaja, Gjermania dhe shumë vende të tjera. Kohët e fundit ka pasur disa kundërthënie për rolin e Gjermanisë, të cilat i qartësoi pa mëdyshje kryeministri Scholz: “Ne”, tha ai, “do të veprojmë së bashku. Ne jemi absolutisht të bashkuar”.

Po kështu, në rast se Rusia do ta sulmojë Ukrainë, Gjermania do të bllokojë gazsjellësin Nord Stream 2. Bashkimi Evropian vendosi t’i akordojë Ukrainës 1.2 miliardë euro ndihmë urgjente për të përmbushë nevojat financiare për shkak të konfliktit. Gjatë një vizite në Finlandë, Presidentja Von der Leyen deklaroi se ky solidaritetit është për të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian, që mund të kërcënohen nga Moska.

Uashingtoni dhe Brukseli e kanë paralajmëruar Moskën se do t’i vendosin sanksione të pashembullta financiare, teknologjike dhe të konsumit, që do të pengonin aftësinë e Moskës për të funksionuar normalisht në arenën ndërkombëtare. Ky plan përjashton Rusinë nga sistem i Telekomunikacionit Financiar Ndërbankar Mbarëbotëror, SWIFT, gjymton pjesë të teknologjisë dhe industrisë ruse të hapësirës ajrore, pengon Rusinë të blejë gjysmëpërçues dhe disa mallra të konsumit teknologjik. Sidoqoftë, ka ende vend për negociata. Zgjidhja diplomatike është rezultati i preferuar për të gjithë komunitetin euroatlantik, duke i bërë të ditur zotit Putin se qëllime strategjike nuk mund të arrihen nëpërmjet pazareve të mbështetura me tytën e pushkës.